Kurti: Për qeverisje përgjegjësia bie mbi ne, për presidentin të gjithë kemi përgjegjësi
Kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar “konstruktiv” takimin me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe ka thënë se pret njëjtë edhe nga takimi i pasdites me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku. Por, ai ka kritikuar kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini, për refuzim të ftesës për takim.
Megjithatë, Kurti deklaroi se nga takimi me Hamzën nuk pati “ndonjë rezultat konkret”.
“Uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të mbizotërojë edhe në vijim dhe në përputhje me afatet të konstituojmë institucionet. Për bindjen time vullneti është aty, atmosfera kontruktive duhet të vazhdoj të mbizotërojë”, ka thënë ai.
Kurti ka theksuar se për zgjedhjen e presidentit përgjegjësia bie mbi të gjitha partitë, ndërsa shtoi se për këtë pozitë duhet një figurë konsensuale.
“Pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale, dikush i asnjë partie, përtej polemikave të skenës aktuale, që i ka vlerat e dëshmuar kombëtare e profesionale dhe të jetë shprehje e unitetit… Për qeverisje përgjegjësia bie mbi ne, por për zgjedhjen e presidentin të gjithë kemi përgjegjësi”.
Të enjten Kurti i ka ftuar në takim Hamzën, Abdixhikin e kryetarin e Aleancës Ardian Gjini.
Hamza e Abdixhiku i janë përgjigjur pozitivisht ftesës, ndërkohë që Gjini ka thënë se takimi nuk është i nevojshëm.
Kurti të premten ka thënë se Gjini duhet ta pranonte ftesën për takim.
“Nuk besoj që është në rregull që një parti e respektuar parlamentare si AAK të refuzojë takimin me mua si kryeministër dhe kryetar i partisë fituese”.
Të enjten (dje) ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit deri më 7 gusht.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, LVV-ja mori 53 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 18 e Aleanca 7.
Konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e qeverisë nuk do të jenë problem për Vetëvendosjen, pasi ka fituar 53 mandate dhe nevojiten 61 vota që edhe sipas deklarimeve të zyrtarëve të saj i ka, duke llogaritur në votat e deputetëve të pakicave, pa përfshirë ata të Listës Serbe.
E për presidentin duhen 80 vota, e që nënkupton se nevojitet edhe pjesëmarrja e PDK-së ose LDK-së.
Presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit.
Rruga Press

