KryesoreOpinion/Aktualitet

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare: Do të ishte çmenduri nëse Kosova pranon të bëjë kompromise pa përfitim

Intervistë e zhvilluar në 28 mars 2022 me profesor Adian Hehir në KOHA.net

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se është i vetëdijshëm se Kosova ka bërë kompromise shumë, shumë herë.

Hehir ka shtuar se plani i Ahtisaarit ishte një kompromis.

Ai tutje ka shtuar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk ishte shkruar në të vërtetë nga qytetarët e Kosovës, por sipas tij, ishte në thelb e shkruar nga të huajt, në veçanti nga amerikanët, të cilët e përfshinë në atë Kushtetutë një nga ligjet më gjithëpërfshirëset për të drejtat e pakicave në botë.

‘Vendet e rezervuara në Parlament, votimin në Parlament të Kosovës, që ua mundëson pakicave të kenë fuqi të jashtëzakonshme autonome brenda Kosovës dhe për të drejtat. Kështu që Kosova ka bërë mjaftë kompromise. Kosova ka bërë kompromise nga vitit 2008 edhe në shumë çështje të tjera. Kështu që, nuk është fakti se unë apo Qeveria e Kosovës po merr një linjë të fortë kundrejt Serbisë. Qeveria e Kosovës tash po sheh pas dhe po thotë: I kemi bërë kaq shumë gjëra dhe një qasje racionale në negociata është pastaj: çka morëm ne nga ky proces”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se do të ishte çmenduri nëse Qeveria e Kosovës pranon të bëjë kompromise, pa e shtuar edhe një fjali se presin të marrin diçka.

Sipas tij, më e pakta është që Serbia ta pranojë se çfarë ka bërë në të ‘90-at.

Hehir ka thënë se është shumë e lehtë për Lajçakun të thotë se duhet harruar e kaluara dhe të shikohet nga e ardhmja.

“Është e lehtë për një të huaj ta thotë këtë për Kosovën, Bosnjën, Ruandën apo cilido vend që ka përjetuar krime të tmerrshme duke iu thënë: ejani njerëz, duhet të shihni përpara, kjo ka ndodhur edhe në Irlandën Veriore. Në mënyrë të justifikueshme, kjo i bën njerëzit të ndihen të zemëruar. E dini, ka konflikte në të kaluarën kur agresori ka kërkuar falje dhe ka provuar t’i sanojë krimet e tmerrshme. Ky është skenari një. Por, kemi edhe skenarin tjetër kur agresori i ka mohuar krimet dhe ka vazhduar mizorinë e shkaktuar ndaj familjeve të viktimave. Këtë po e bën Serbia”, ka thënë ai.

Sipas tij, njerëzit ende po i zbulojnë varrezat masive në Serbi dhe kjo duhet t’ia rikujtojë BE-së që Vuçiqi ka qenë pjesë e asaj qeverie që sillte kamionë përplot me trupa të shqiptarëve nga Kosova duke i varrosur në varreza masive.

Ai thotë se të njëjtën gjë e kishte bërë edhe me dhunën masive në Bosnjë.

Hehir shton se askush me një sens të paktë s’duhet të thotë se të gjithë serbët duhet demonizuar përgjithnjë për çfarë kanë bërë gjate viteve ’90-a.

“Ç’ është më e rëndësishmja, është gjetja e eshtrave të të masakruarve në vitet 1990. Është e pabesueshme se si Kosova është gjuajtur në qoshe këtu duke u quajtur ‘i keqi’ vetëm pse kërkon diçka që secili shtet me pak respekt për veten do ta bënte. Kjo është qartësia për të kaluarën, drejtësia dhe e drejta për të ekzistuar. Serbët as nuk iu referohen Kosovës si Kosovë: kjo është pika fillestare ku duhej të niste në vitin 2011, kur nisi dialogu Beograd-Prishtinë. Dikush duhej të thoshte që në fillim: Prisni, ne nuk mund të lëvizim përpara nëse as emrin Kosovë nuk po na e përmendi. Nëse nuk i referohemi njëra-tjetrës si shtete sovrane.. Dhe nëse nuk do ta pranoni se çfarë keni bërë në vitet ’90, ishin krime të tmerrshme dhe jashtë çdo imagjinate…dhe nëse e lejon Serbinë BE-ja t’i ikë kështu, BE-ja mbetet një organizatë e dobët, krejtësisht e dobët. Ka lejuar Sllovakinë, Poloninë e Hungarinë të bëhen shumë e më shumë autoritare dhe po e humb kredibilitetin në skenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.


Hehir: Kosova duhet të shpërblehet për progresin që ka bërë

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit, Aidan Hehir, thotë se Kosova duhet të shpërblehet për progresin që është duke bërë.

Ai ka thënë se duhet gjithsesi të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës.

“Mendoj se Kosova duhet të shpërblehet për progresin që po bën. Derisa bota po përballet me ekstramizma populistë, Kosova ka zgjedhur një Qeveri që nuk është ekstremiste. Është pro-demokracisë dhe vlerave liberale, e për këtë Kosova duhet të shpërblehet. Një gjë që duhet të ndodhë dhe është kriminale që s’ka ndodhur d eri tash: vizat duhet t’u jepen kosovarëve. Si mundet që në vitin 2020 të merremi me të tilla politika. Është përtej besimit që ende s’ka ndodhur liberalizimi i vizave”, ka thënë Hehir. “Duhet po ashtu garanci të sigurisë, edh bilaterale ndaj Kosovës, meqë jo të gjitha vendet e NATO-s e njohin Kosovën. Kjo është paksa problematike, por vendet sikurse Britania e Madhe e SHBA-ja mund t’i japin garanci bilaterale të sigurisë Kosovës. Siç kam thënë më herët, SHBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe duhet të zgjohen e ta shohin realitetin e regjimit të Vuçiqit në Serbi dhe të thonë: Prisni, çfarë jemi duke bërë ne këtu”.

Hehir ka thënë se nuk beson se ka shumë gjasa që Vuçiqi të vendosë ta sulmojë Kosovën.

“Nuk mendoj se ai është aq i çmendur. Ai mund të lëshojë forca që do ta destabilizonin rajonin në Mal të Zi, Bosnjë dhe Kosovë dhe që sporadikisht të shkaktonin destabilizim në Ballkan”, tha Hehir.

Hehir: Është dashur dikush të marrë guximin ta prish qasjen “ne bëjmë çfarë na thoni”

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit, Aidan Hehir ka thënë se do të ketë kritika në vend për qasjen e kryeministrit Albin Kurti dhe të partisë së tij. Ai ka thënë se do të dilet e thuhet si brenda ashtu edhe jashtë se qasja është e ashpër dhe se nuk do që të akomodohet kërkesave.

Porse sipas tij, ia vlen të shtrohet si çështje se kjo qasje nuk është provuar të zbatohet menjëherë pas shpalljes së pavarësisë.

Ai ka thënë se Kosova e ka zbatuar një strategji me dekada dhe ka dështuar, duke shtuar se kjo strategji ka qenë, ‘ne bëjmë çfarë të na thoni’.

“Kjo e ka sjellë Kosovën në një limbo ndërkombëtare. As nuk ka njohje, as liberalizim vizash, shumë larg anëtarësimit në BE apo edhe në NATO. Pra, kjo politikë u provua dhe dështoi. Ka shumë njerëz që flasin për Kosovën thuajse nuk është shtet i pavarur, se është një pengesë dhe se ndoshta më mirë të mos ishte nisur kjo punë fare, mundësisht të hidhet anash e të lejohet anëtarësimi i Serbisë, e t’i hidhet ndonjë kockë kohë pas kohe, dhe gjithçka do të jetë në rregull”, ka thënë ai.

Ai thotë se dikur dikush u desh ta mbledhë guximin e të dalë e të thotë se kjo mënyrë ka dështuar qartazi dhe se fatmirësisht, Kosova e ka zgjedhur një Qeveri që nuk është e ekstremit të majtë, se nuk është ndonjë organizatë ekstremiste fetare, porse është qeveri progresiste që i përqafon vlerat liberal-demokratike të BE-së dhe të NATO-s.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

“Pikërisht si e thatë: edhe sa më e izoluar mund të jetë Kosova se kaq? Pra nuk është se Kosovën e ka përqafuar bashkësia ndërkombëtare, e as nuk është duke hyrë në BE dhe se është duke përparuar aq shumë saqë kjo qeveri e rrezikon tash këtë status. Kjo nuk po ndodh, dhe ky është alarmi që e zgjoi popullin e Kosovës që e votoi një parti që i kishte këto argumente”, ka thënë ai.


Hehir: Kosova do të ketë më tepër respekt nëse fillon të sillet si shtet sovran

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Westministerit, Aidan Hehir, në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se do të ketë më tepër respekt për Kosovën në terma afatgjatë nëse Kosova fillon të sillet si shtet sovran.

“Unë besoj se në terma afatgjatë do të ketë më shumë respekt për Kosovën nëse sillet si shtet sovran në vend që në mënyrë konstante të kërkojë nga njerëzit të trajtohet si shtet i pavarur. E dini Kosova është një shtet i pavarur. Pjesa e komunitetit ndërkombëtar duhet ta shohë ashtu, që kurrë nuk ka mundësi më Beogradi të ushtrojë pushtet mbi Kosovën. Kështu që realiteti është që Kosova është e pavarur dhe na duhet të punojmë rreth këtij realiteti. Kjo kërkon që komuniteti ndërkombëtar ta rimendojë strategjinë e vet dhe ta mendojë prapë për mënyrën se si e kanë kënaqur Vuçiqin, mënyrën se si kanë provuar t’i shtyjnë njerëzit në Kosovë të lëvizin nga ajo çfarë ka ndodhur në vitet e 90-ta”, tha Hehir.

Hehir ka thënë se po i përkrah dhe promovon njerëzit që kanë kryer masakra si në Kosovë ashtu edhe Bosnjë.

“Duhet vetëm t’i lexoni raportet e Komitetit të Helenikut për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe të shihni se çfarë thonë për Qeverinë e Serbisë dhe qasjen e saj ndaj këtyre gjërave”, tha Hehir.

Hehir: Perëndimi të zgjohet, të mos shtyhet përpara anëtarësimi i Serbisë në BE

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit, Aidan Hehir ka thënë se fakti se Serbia nuk i përmbahet linjës politike të BE-së në lidhje me sanksionet kundër Rusisë është e qartë që nuk qëndrojnë me Evropën dhe se Serbia nuk u beson standardeve evropiane.

Ai ka thënë se edhe para pushtimit të Ukrainës, ka qenë e qartë se Vuçiqi nuk është përkrahës i demokracisë liberale dhe nuk është as demokrat. Sipas tij, e kaluara e tij në të ’90-at flet shumë për karakterin e tij. Ai ka thënë se Perëndimi duhet të zgjohet, duke shtuar se nuk ka pse të shtyhet anëtarësimi i Serbisë në BE pa u ndal kjo punë.

“Situata e Kosovës është shumë e brishtë dhe është shndërruar në një diçka që mund të shërbejë për kusurim. Shtegtimi i Serbisë drejt BE-së e ka zënë momentumin aq sa e ka zor të ndalet disi. Dhe kjo ka pasoja shumë të rënda për Kosovën, edhe për shtetet e tjera në rajon, por posaçërisht për Kosovën. Nuk e besoj, edhe nëse kjo luftë përfundon shpejt, se francezët a holandezët, e popuj të ngjashëm, që kanë qenë kaq armiqësor ndaj Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi, se përnjëherë do ta ndërrojnë mendjen dhe ta ndërrojnë qëndrimin ndaj Serbisë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se beson se populli i Kosovës, politikanët, akademikët, gazetarët – kushdo që ka interes për sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës, duhet të nisin e të mendojnë për raportet që i kanë me disa nga shtetet e fuqishme dhe sinqerisht të ndalen dhe të vlerësojnë se sa e rëndësishme është Kosova për këto shtete.

Sipas tij, për fat të keq, këto shtete nuk çajnë shumë kokë për Kosovën ka 10-15 vjet.

Hehir ka thënë se kjo nuk do të thotë se Kosova nuk është e rëndësishme porse duhet ta dijë se më nuk mund të llogarisë në përkrahjen që ka pasur në fazat e para të shtetndërtimit apo më 1999.

“Sinqerisht duhet të analizohet kjo çështje dhe duhet të kultivojë një qasje shumë më vetjake dhe të pavarur në raporte ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Hehir: Sjellja e Serbisë po bëhet gjithnjë e më luftënxitëse

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit, Aidan Hehir ka thënë se është plotësisht e kuptueshme që Qeveria e Kosovës t’i thotë edhe bashkësisë ndërkombëtare se duhet shikuar se me kë kanë punë.

“Kemi të bëjmë me një shtet që i ka shkaktuar këto krime dhe jo vetëm në vitet ’90. Edhe në këto çaste, ky shtet është kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, dhe kërkoni nga Kosova që të bëjë ende koncesione këtij subjekti që shytë kërcënim ndërkombëtar”, ka thënë ai.

Duke folur për mbajtjen e zgjedhjeve në vitet e kaluara ai ka thënë se dikur ishte marrë vendimi për ta mbajtur ndikimin e Rusisë jashtë Ballkanit duke e sjellë Serbinë më afër Perëndimit, dhe këtu kishte logjikë.

Porse, sipas tij, tash ajo që ndodh është se insistim nga fuqitë perëndimore për ta akomoduar Serbinë, ashtu që t’i iket ndikimit rus në Ballkan, e ka lejuar Serbinë të bëjë çfarë të dojë.

Hehir thotë se nuk i bëhet trysni për të gjitha që i ka shkaktuar në të ’90-at, nuk kritikohet mjaftueshëm për shkeljen e lirisë së shtypit, duke shtuar se nëse lexohen raportet e “Freedom House” apo indeksin e demokracisë në “The Economist“, rangimi i Serbisë është duke rënë dita më ditë.

“Arsyeja se pse bashkësia ndërkombëtare e ka bërë këtë është se ka besuar me shumë naivitet se disi do ta ndalë ndikimin e Rusisë nga përhapja në Ballkan, porse Serbia nuk e ndryshon sjelljen e saj me afrimin në BE-në. Sjellja e saj po bëhet më luftënxitëse dhe më agresive”, ka thënë ai.

Hehir: Kosova është qeverisur nga parti të korruptuara që se çanin kokën për status-quo

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit, Aidan Hehir, ka thënë se beson se bashkësia ndërkombëtare po e shfrytëzon faktin se Kosova nuk mund ta shantazhojë.

Ai ka thënë se nuk mund të injorohet fakti se qeveritë e Kosovës në shumë vite janë krijuar nga partitë politike që nuk kanë çarë kokë për status quonë dhe moslëvizjen para, ndërkohë që shpresonin se SHBA-ja, Britania, Franca , Gjermania, do t’i linte rehat të merreshin me korrupsion. Ai ka shtuar se Kosova kështu u bë shembull klasik i shtetit të kapur.

“Është e pabesueshme se me gjithë ata të huaj në terren në Kosovë, që Kosova të shndërrohet në arketipin e kapjes së shtetit. Porse kjo nuk ka qenë e rastësishme. Njerëzit që e kanë mbajtur pushtetin dhe kanë përfituar nga ai, pra elita e korruptuar, ata kanë pasur interes të fuqishëm ta mbanin Kosovën në gjendje të paralizës së vazhdueshme ku asgjë nuk do të ndodhte”, ka thënë ai.

Sipas tij, ish-qeveritë ishin të gatshëm të shkonin pas bashkësisë ndërkombëtare, t’u nënshtroheshin kërkesave dhe trysnisë, derisa me një çast populli tha mjaft më dhe në tri zgjedhjet e fundit parlamentare, partia e cila mori përkrahjen më të madhe e mori mbi këtë bazë “mjaft më”.

Ai ka thënë se ka shumë shtete në botë që e lejojnë votimin e shtetasve të tyre në territor tjetër që të votojnë. Sipas tij, problemi është se në fakt për këtë duhet të kërkohet leja për t’u mbajtur zgjedhjet.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Ai ka thënë se është çështje e një balancimi të raporteve midis Kosovës e Serbisë.

“Me sa kuptoj shqiptarëve të Kosovës u lejohet votimi në Shqipëri, e ky nuk është problem. Sikurse irlandezët që jetojnë në Angli mund të votojnë për zgjedhjet në Irlandë, pra ky s’është problem. Problemi është se në këso situata dy shtetet duhet ta njohin shtetësinë e njëra-tjetrës dhe ta trajtojnë njëra-tjetrën si shtete. Pra jo ku një shtet i shpenzon 50 vjet duke e shtypur popullin e shtetit tjetër – pra dinamika duhet të ndryshojë”, ka thënë ai.

Hehir: Quint-i gabimisht po ushtron trysni ndaj Kosovës, Serbia është destabilizuese

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit, Aidan Hehir, ka thënë se shtetet e Quint-it po ushtrojnë trysni ndaj subjektit të gabuar.

Ai ka thënë se forca rajonale e cila ka më së shumti kapacitet për të shkaktuar destabilitet në Ballkan është Serbia e jo Kosova.

Hehir thotë se është Serbia ajo që është bërë autokratike, nga aspekti i politikës së brendshme dhe është Serbia ajo që shënon rezultatet më të këqija te matjet ndërkombëtare për demokraci, për liri të shprehjes.

Ai shton se Serbia ka pësuar një rënie të jashtëzakonshme që nga 2012-a, kur partia e Vuçiqit erdhi në pushtet.

Sipas tij, Serbia është ajo e cila e rrezikon stabilitetin e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, të Kosovës dhe të Bosnjës dhe nuk është Kosova ajo që e bën këtë.

“Prandaj Kosova, e cila në vazhdimësi e përsëritë se do që të anëtarësohet në BE, në NATO. Madje edhe Qeveria e re për të cilën thuhej se nuk ishte shumë në favor të integrimit në BE e ka përsëritur këtë. Dhe jo vetëm se e ka përsëritur porse ka filluar me zbatimin e shumë politikave që BE-ja, NATO-ja dhe bashkësia ndërkombëtare i kanë sugjeruar që të zbatohen. Dhe këtë e ka bërë me vullnet”, ka thënë ai.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare ka thënë se është Serbia ajo që lëviz në drejtimin e kundërt, kurse sipas tij BE-ja do të duhej të niste të shqyrtonte situatën në një shtet si Hungaria që është duke shkaktuar shumë telashe përbrenda BE-së, për shkak të faktit se është shtet autoritar.

“Njëmend duan ta integrojnë edhe një shtet autoritar si Hungaria? Trysnia duhet të orientohet andej, pra mbi Beogradin e jo mbi Prishtinën”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se askush nuk mund të jetë aq naiv sa të besojë se Kosova mund të veprojë si një fuqi e madhe, duke shtuar se nuk mundet dhe meqë gjendet në një situatë të brishtë ka nevojë për ndihmë, ka nevojë për përkrahje dhe për aleatët e saj.

“Shikoni nëse shkoni një hap prapa dhe e shihni se si është trajtuar Kosova në 10-15 vjetët e fundit, prej kur fuqia e Perëndimit ka rënë, është marrë një vendim me plot vetëdije në Bruksel e edhe në Washington që t’i jepet përparësi Serbisë për anëtarësim në BE dhe kjo ka nënkuptuar se Kosova është detyruar të bëjë koncesione shumë të dhimbshme: që nga demarkacioni me Malin e Zi, me themelimin e Gjykatës Speciale dhe nisma të ngjashme. Këto janë formësuar ashtu që ta lehtësojnë qasjen e Serbisë për anëtarësim në BE”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se njerëzit në Kosovë duhet të pyesin se pas gjitha gjërave që i kanë bërë, cili është shpërblimi.

Hehir thotë njerëzit në Kosovë e dinë këtë shumë më mirë se ai, porse ata ende as liberalizim vizash nuk kanë, duke shtuar se vjen çasti kur duhet thënë “Mjaft më”.

“Jemi këta që jemi, nuk jemi fuqi e madhe, porse nuk jemi as leckë që shkelet. Nuk kemi luftuar aq gjatë për pavarësinë saqë tash të bëjmë vetëm ajo që na thuhet nga fuqitë e mëdha. Duhet thënë se atë që e kërkon Kosova, që e kërkojnë kosovarët është shumë e arsyeshme. Pra kërkojnë atë që secili shtet që ka vetërespekt do të kërkonte… e këto janë ndërlidhur me masakrat që u shkaktuan gjatë luftës”, ka thënë ai.

Hehir: Është legjitime që Kosova t’i thotë jo Quint-it për zgjedhjet serbe

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit, Aidan Hehir, ka folur në Interaktiv të KTV-së për reagimin ndërkombëtar për moslejimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Ai ka thënë se forma në të cilën ka evoluuar Kosova në 22 vitet e fundit e ka dëshmuar se mënyra e vjetër e të vepruarit nuk ka funksionuar mirë.

Ai ka thënë se kështu e sheh edhe populli i Kosovës, e që sipas tij, kjo është më e rëndësishmja, ngase thotë se kanë vendosur ta zgjedhin me shumicë një qeveri të re me agjendë të re.

Hehir ka shtuar se vetë fakti se e kanë bëtë këtë zgjedhje dhe se përpiqen për t’i bërë gjërat më ndryshe bën që njerëzit që janë mësuar të funksionojnë si në të kaluarën do të ndihen të hidhëruar duke e parë se pushteti u ikën duarve, porse kjo gjë është pritur.

“Nuk e besoj se populli i Kosovës ka dashur të bëhet i pavarur ashtu që italianët a britanikët t’i tregojnë se si duhet sjellë, apo edhe amerikanët. E gjithë esenca e të qenit i pavarur është se ti vet i merr vendimet. Sikurse secili shtet, Kosova nuk ekziston në hava, dhe ka nevojë të ketë miq të fuqishëm, gjë që është shumë e rëndësishme, porse kur miqtë tuaj nuk i keni miq për shkak se u përmbaheni udhëzimeve që jua japin. Dhe në këtë kontekst, duke e parë trysninë të cilën e ushtrojnë shtetet e QUINT-it dhe shtetet e tjera ndaj Kosovës, e besoj se është shumë legjitime që Kosova t’ua thotë: ju faleminderit për këshillën, porse nuk do të shkojmë atij shtegu”, ka thënë ai

Sipas tij, në këtë çështje specifike, është shumë më tepër sesa lejimi ose jo i votimit. Ai thotë se ka të bëjë me atë që Qeveria e udhëhequr nga Kurti kërkon nga Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare që ta marrë kërkesën zyrtarisht që serbët e Kosovës të votojnë në zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

Hehir ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e shesh problem parimin, porse do që kjo t’i kërkohet zyrtarisht një shteti sovran. Ai shton se kjo është një e drejtë që të gjitha shtetet, përkatësisht është një respekt që të gjitha shtetet do të prisnin ta kenë në këtë kontekst specifik.

“Krejt çfarë kërkon Kosova është që të trajtohet si shtet. Pra krejt shtetet e QUINT-it e kanë njohur Kosovën, dhe do të duhej të bënin më shumë sesa vetëm ta hapin ambasadën në Prishtinë dhe ta valojnë flamurin diku në qytet dhe t’i ledhatojnë kosovarët në kokë tek u thonë: faleminderit që po bëni atë që ua themi ta bëni. Duhet ta trajtojnë Kosovën me respekt dhe duhet t’i inkurajojnë shtetet e tjera ta bëjnë të njëjtën gjë”, ka thënë ai./KOHA tv/

YouTube player

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *