Lajme

Prezantohen masat e reja për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për biznese

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në lansimin e masave për subvencionim për pajisje efiçiente për ngrohje për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

Në fjalën e tij, ai u shpreh shumë i lumtur që së bashku po e nisim masën e gjashtë me radhë – programin e efiçiencës së energjisë për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, pas sukseseve të programeve të efiçiencës të energjisë në sektorin rezidencial.

“Me investimin në pajisje efiçiente, bizneset do të kursejnë dukshëm në faturat e tyre të energjisë elektrike. Kjo masë do të ndikojë në mënyrë direkte jo vetëm në buxhetin e tyre por edhe në buxhetin e shtetit. Sa më i suksesshëm sektori privat, aq më e mirë edhe ekonomia vendore dhe buxheti i Republikës’’, tha kryeministri.

Efiçienca e energjisë është një nga masat kosto-efektive që ne mundemi t’i ndërmarrim, andaj edhe tani, po vazhdojmë t’i mbështesim bizneset kosovare që të investojnë në investime më të qëndrueshme dhe afatgjate, shtoi ai.

Po ashtu, krahas masave të efiçieincës së energjisë, kryeministri renditi tre veprimet kryesore që janë ndërmarr deri më tani për të ulur ndikimin e krizës energjetike te bizneset dhe familjet. E para është subvencionimi i tarifave të reja për secilën familje dhe biznes në vend që nga shkurti i vitit 2022; e dyta, është subvencionimi i faturave të energjisë elektrike për familjet kursimtare, dhe e treta – subvencionimi shtesë për familjet e cenueshme me të ardhura të ulëta.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Ndërkaq ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli me këtë rast tha se janë duke punuar për kapacitetet e reja gjeneruese, me një varg projektesh prej 1.2 miliardë euro që do të zhvillohen dhe tenderohen përgjatë dy viteve, dhe të gjitha këto në burime të ripërtëritshme të energjisë solare dhe të erës, si dhe në kapacitete të baterive për akumulim dhe për stabilizim e frekuencës gjë që mundëson teknikisht të rritet fleksibiliteti dhe të mundësohet integrimi i këtyre projekteve në sistemin energjetik. Ajo shtoi se gjatë vitit të kaluar për herë të parë kanë pasur një masë të subvencionimit për amvisëri me 5 milionë euro, me të cilën janë subvencionuar rreth nëntë mijë familje. Rreth 40% është ulur konsumi i energjisë elektrike në familjet të cilat janë subvencionuar, kjo është bërë në kuadër të Pakos emergjente 75 milionëshe nga Bashkimi Evropian.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se si Ministri kanë hartuar një strategji ambicioze për zhvillimin e industrisë dhe mbështetjen e bizneseve cila është miratuar në qershor të këtij viti dhe përmes kësaj strategjie synohet të përmirësohet mjedisi i biznesit në Kosovë.

Këtë vit për herë të parë është duke investuar një shifër rekord prej 35 milionë euro në programet e efiçiencës së energjisë për sektorin rezidencial dhe bizneset – që njëherësh shuma më e madhe ndonjëherë e investuar në Kosovë. Ky investim është mundësuar falë mbështetjes nga Komisioni Evropian në kuadër të pakos emergjente për energji prej 75 milionë euro. Për këtë kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Masat që u prezantuan synojnë mbështetjen e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme, si investim në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, e të cilat përfshijnë: Pompë termike; Kondicioner/ klimë efiçiente (pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë); Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket); Stufa individuale me biomasë.

Lansimi dhe prezantimi i masave u bë në Parkun për Teknologji Digjitale “Tech Park Prishtina” në Bërnicë, investim ky prej 1.2 milion eurosh nga Qeveria e Kosovës, e që u inaguruar në tetor të këtij viti.

Aplikimi për subvencionim është e ndarë në dy faza dhe në të dy fazat aplikimi bëhet online përmes platformës e-Kosova: https://rks-gov.net/476

Afati i fundit për aplikim për fazën e parë është 12 dhjetor 2023 ose deri në shpenzimin e buxhetit të alokuar për këtë thirrje. Aplikimet e pranuara në fazën e parë do të shqyrtohen bazuar në parimin “Kush Aplikon i pari, shërbehet i pari”. Ndërsa, afati i fundit për fazën e dytë është deri me datën 10 janar 2024.

Informatat e plota të thirrjes mund t’i gjeni në linkun: https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/11/1Draft-final-21-11-2023-NMVM-Thirrja-per-Pajisje-ngrohese-eficiente.docx

Rruga Press

YouTube player