Lajme

Presidentja Osmani kërkon që Serbia të ekstradojë terroristët dhe paramilitarët që sulmuan në Banjskë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë. Këtë deklaratë, presidentja e bëri pas takimit me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, takim për të cilin tha se ishte përmbajtësor për zhvillimet e fundit në Kosovë.

E para e shtetit u shpreh se Serbia duhet të ekstradojë të gjithë ata që ishin pjesë e planifikimit, financimit dhe organizimit të këtij akti agresioni kundër Kosovës.

“Grupi terrorist dhe paramilitarë nga Serbia i përfshirë në sulmin e 24 shtatorit duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë për këtë akt agresioni dhe sulm terrorist duhet të ketë përgjegjësi. Serbia duhet të ekstradojë të gjithë ata që ishin pjesë e planifikimit, financimit dhe organizimit të këtij akti agresioni kundër Kosovës dhe stabiliteti në Rajon. Ne do të vazhdojmë t’i zbatojmë standardet më të larta për një gjykim të drejtë dhe do të vazhdojmë të punojmë krah për krah me aleatët tanë, në veçanti me ShBA-të  që kufiri ynë të jetë i sigurt dhe të parandalojmë edhe sulme të tilla në të ardhmen, për çka jam e bindur që edhe në qoftë se Serbia tenton një gjë të tillë, përderisa punojmë së bashku do të dështojë ashtu siç ka dështuar edhe më 24 shtator”, tha Osmani.

Lexo më shumë  4 vite pas krijimit, 'Tirana DC' e bashkisë s'ka realizuar asnjë projekt

Më tej, Osmani tha se sa i përket Dialogut me Serbinë, ky proces varet edhe nga qasja parimore dhe e barabartë e ndërmjetësuesit, në këtë rast, Bashkimit Evropian ndaj palëve, njofton Klankosova.tv.“Procesi i dialogut me Serbinë, është proces në të cilin jemi të përkushtuar. Kam potencuar se suksesi i këtij procesi varet edhe nga qasja parimore dhe e barabartë e ndërmjetësuesit në këtë rast e Bashkimit Evropian ndaj palëve dhe se është kruciale të këtë zbatim të plotë të marrëveshjeve të dakorduara në vitin e kaluar, veçanërisht të marrëveshjes bazike të shkurtit të vitit 2023 dhe aneksit të Ohrit të marsit 2023. Angazhimi dhe roli i ShBA-vë mbetet kyç për një përmbyllje të suksesshme të procesit të dialogut që do të çonte në njohje të ndërsjellë”, tha ajo.

Lexo më shumë  Xi Jinping në Beograd, me synim për ta shtrirë ndikimin e Kinës në Evropë

Rruga Press

YouTube player