Bota

Presidenti i SHBA-së i prerë, do të rrëzojë çdo balonë spiune

Mirëpo Bideni e ka bërë të qartë se në të ardhmen rrëzimi i objekteve të panjohura do të jetë i klasifikuar, por për këtë do të jetë i informuar Kongresi. Bideni ka thënë se ndryshimet nuk do të jenë publike me qëllim që “armiqve tanë të mos u tregohet rruga se si të shmangin mbrojtjen tonë”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nuk do të kërkojë falje për shpërthimin e balonës spiune në hapësirën ajrore të SHBA-së dhe se nuk do të hezitonte ta bënte përsëri nëse shkelet sovraniteti i SHBA-së. Bideni ka komentuar reagimin vendimtar ndaj asaj që Washingtoni e ka cilësuar si satelit kinez, teksa Pekini ka insistuar se ishte pajisje për matjen e motit që ka dalë nga kontrolli. Bideni ka tërhequr vërejtjen se çfarëdo objekti që kërcënon sigurinë e amerikanëve do të rrëzohet menjëherë.

“Mos u gaboni, çfarëdo objekti që paraqitet si kërcënim për sigurinë e amerikanëve, unë do ta rrëzoj”, ka thënë Bideni, disa ditë pasi urdhëroi shpërthimin e balonës dhe tri objekte të tjera të paidentifikuara. “Dërgon mesazh të qartë, shumë të qartë, se shkelja e sovranitetit tonë është e papranueshme”, ka shtuar presidenti amerikan.

Lexo më shumë  Britania e Madhe për shkarkimin e ministrit rus: Putini do një tjetër kukull

Presidenti amerikan ka thënë se SHBA-ja do të vërë në funksion pajisje më të mira që vërejnë objektet e paidentifikueshme. Bideni në konferencën për media ka thënë se Inteligjenca Amerikane ka vlerësuar se tri objektet e fundit me shumë gjasë u përkisnin kompanive private apo instituteve kërkimore që po hulumtonin kushtet e motit.

Shpërthimi i balonës spiune të Kinës ishte shkatërrimi i parë i fluturakeve në kohë paqeje. Ajo ishte objekt i paautorizuar në hapësirën ajrore të SHBA-së. Procedura e shkatërrimit të objekteve të paidentifikuar është përsëritur tri herë gjatë javës së kaluar.

SHBA-ja ka qenë në gjendje alarmi qëkur një balonë e bardhë nga Kina ishte vërejtur duke mbikëqyrur mbi vende top-sekrete të SHBA-së, para se të rrëzohej në lindje të SHBA-së më 4 shkurt.

Mirëpo Bideni e ka bërë të qartë se në të ardhmen rrëzimi i objekteve të panjohura do të jetë i klasifikuar, por për këtë do të jetë i informuar Kongresi. Republikanët kanë qenë kritikë ndaj Shtëpisë së Bardhë që nuk ka ofruar informacione për balonën spiune të Kinës.

Bideni ka thënë se ndryshimet nuk do të jenë publike me qëllim që “armiqve tanë të mos u tregohet rruga se si të shmangin mbrojtjen tonë”.

Presidenti, ka konfirmuar se do t’u kthehet angazhimeve me Kinën, duke thënë se shumë shpejt do të flasë me presidentin kinez, Xi Jinping, dhe ka theksuar se “ne kërkojmë konkurrencë, por jo konflikt me Kinën”.

“Nuk po kërkojmë Luftë të re të Ftohtë”, ka shtuar Bideni.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *