Presidenti Biden pritet të nënshkruajë urdhrin për qasjen ndaj abortit
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Joe Biden do të nënshkruajë të premten një urdhër ekzekutiv për të mbrojtur qasjen e grave ndaj abortit dhe kontraceptivëve, pasi Gjykata e Lartë rrëzoi muajin e kaluar një vendim të mëparshëm që legalizonte abortin.
Presidenti Biden, ka qenë nën presionin e mbështetësve të partisë së tij, veçanërisht krahut progresist, për të vepruar pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që shfuqizoi mbrojtjen kushtetuese 50 vjeçare për të drejtat riprodhuese të grave.
Presidenti Biden pritet të udhëzojë Departamentin e Shëndetësisë të ndërmarrë veprime për të mbrojtur dhe zgjeruar qasjen ndaj “abortit me ilaçe” të miratuara nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, tha Shtëpia e Bardhë.
Ai do të udhëzojë gjithashtu departamentin që të garantojë qasjen e grave tek kujdesi mjekësor urgjent, shërbimet e planifikimit familjar dhe metodat kontraceptive.
Vendimi i Gjykatës së Lartë shfuqizoi garancitë që ofronte qeveria federale për të drejtën për abort, duke ia rikthyer çështjen shteteve të veçanta që të vendosin vetë për ta lejuar, ose jo të drejtën e abortit. Një sërë shtetesh, kryesisht ato të drejtuara nga republikanët, kanë miratuar tashmë ligje për të ndaluar abortet. Si rezultat, grave me shtatzëni të padëshiruar, u duhet të shkojnë në shtetet ku procedura mbetet e ligjshme, të blejnë pilula aborti në internet, ose të bëjnë një abort të paligjshëm, që mund të përbëjë rrezik për to.
Zoti Biden e ka dënuar vendimin e gjykatës.
Çështja mund të kontribuojë në mobilizimin e demokratëve në zgjedhjet për Kongresin në nëntor, kur republikanët kanë një shans për të marrë kontrollin e Kongresit. Aktualisht, demokratët kanë një shumicë të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kontrollojnë Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë, vetëm përmes votës së nënpresidentes Kamala Harris./voa/
Rruga Press