Kuriozitete

Studimi/ Politikanët jetojnë më gjatë sesa qytetarët e zakonshëm

Politikanët jetojnë më gjatë sesa popullata në përgjithësi. Për ta treguar këtë, në Gazetën Evropiane të Epidemiologjisë është botuar së fundmi një studim i ri, që analizoi se si funksionet specifike të “elitës”, ky hyn edhe klasa politike, ofrojnë avantazhe të rëndësishme sa i përket mbijetesës, dhe për këtë arsye lidhen me një shëndet më të mirë.

Për ta kuptuar këtë, studiuesit nga “Oxford Population Health”, kryen një nga kërkimet më gjithëpërfshirëse në këtë fushë deri më sot, duke shqyrtuar të dhëna nga 11 vende me të ardhura të larta dhe mbi 57.000 politikanë. Rezultati më domethënës? Jetëgjatësia në moshën 45-vjeçare u zbulua të ishte rreth 7 vjet më e lartë për politikanët sesa për pjesën tjetër të popullsisë.

Për të arritur në këtë përfundim, studiuesit fillimisht mblodhën informacione nga Australia, Austria, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Zelanda e Re, Zvicra, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, nga viti 1816 (për Francën) deri në vitin 2017, për gjithsej 57.561 politikanë (40.637 tashmë kishin ndërruar jetë), nga të cilët përqindja e grave varionte nga 3 (Francë dhe Shtetet e Bashkuara) në 21 për qind (Gjermani).

Më pas studiuesit krahasuan profilin e secilit politikan, bazuar te kombësia, mosha dhe gjinia, me të dhënat kombëtare të vdekshmërisë së popullsisë për atë periudhë kohore, dhe më pas krahasuan numrin e vdekjeve midis politikanëve të regjistruar çdo vit me shkallën e vdekshmërisë së popullsisë në përgjithësi.

Studiuesit llogaritën për çdo 10 vjet rresht diferencën e jetëgjatësisë në moshën 45-vjeçare midis politikanëve dhe popullatës së përgjithshme. Analizat treguan se për gati të gjitha vendet, politikanët kishin norma vdekshmërie të ngjashme me ato të popullsisë së përgjithshme deri në fillimin e shekullit XX.

Që atëherë, dallimet në normat e vdekjeve janë rritur ndjeshëm, gjë që do të thotë se politikanët kanë treguar një avantazh gjithnjë e më të madh mbijetese ndaj popullsisë së përgjithshme. Gjithsesi, kishte një ndryshim në madhësinë e këtij avantazhi midis kombeve. Për shembull, ndërsa në Itali një qytetar kishte një probabilitet 2.2 herë më të madh për të vdekur brenda vitit të ardhshëm në krahasim me një politikan të së njëjtës moshë dhe gjini, në Zelandën e Re kjo shifër ishte vetëm 1.2 herë më e madhe.

Diferenca në jetëgjatësinë në moshën 45-vjeçare midis politikanëve dhe popullsisë së përgjithshme është rritur gjithashtu ndjeshëm gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Aktualisht, hendeku i jetëgjatësisë varion nga rreth 3 vjet në Zvicër në 7 vjet në Shtetet e Bashkuara.

Edhe pse këto rezultate mund të mendohet se janë vetëm rezultat i rrogës më të lartë të politikanëve, që është shumë mbi nivelin mesatar të popullsisë, studiuesit sugjerojnë se faktorë të tjerë mund të ndikojnë në jetëgjatësinë e tyre, siç janë ndryshimet në standardet e jetesës apo faktorët e stilit të jetesës (pirja e duhanit dhe dieta). Sepse ndërsa është e vërtetë që pabarazia e të ardhurave nisi të rritet në vitet 1980, pabarazia e jetëgjatësisë filloi të zgjerohej shumë më herët, që para viteve 1940. /Wired.it/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *