KryesoreLajme

Pranohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Kosova kaloi me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Për këtë ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti.

“Komiteti i Ministrave të shteteve anëtare, me mbi dy të tretat e votave të nevojshme, i dha sot mbështetje aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke përmbyllur kështu fazën e parë të anëtarësimit të plotë të Republikës sonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. Shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka falënderuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ministren e Jashtme Donika Gërvalla, zëvendësministrin Kreshnik Ahmeti dhe ekipet e tyre për siç ka thënë, punën e pandërprerë.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Gjithashtu ka falënderuar edhe partnerët e shtetet anëtare, për “përkrahjen e pakursyer”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi po ashtu se Këshilli i Ministrave përmbylli fazën e parë për anëtaresimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare.

Ministria shkroi të hënën se si hap i radhës do të përgatitja e opinionit nga Asambleja për anetarësimin e Kosovës, teksa falënderoi shtetet që votuan me 2/3 të votave.

“Ky vendim pozitiv vjen pas një pune të gjatë intensive, koordinimi të brendshëm ndër-institucional dhe bashkëpunimit të ngushtë me shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe aleatët e tjerë. Republika e Kosovës është thellësisht mirënjohëse të gjitha shteteve që kanë votuar dhe ndihmuar në votimin pozitiv të Komitetit të Ministrave. Përkundër faktit që proceduralisht Kosova ka kaluar etapën e parë të anëtarësimit, duhet theksuar se kjo ishte ‘finale para finales’ meqë kemi kaluar sfida të rëndësishme ligjore dhe politike”, thuhet në njoftim.

Lexo më shumë  Mid'hat Frashëri: Ç'fituam nga Kongresi i Manastirit?

MPJD-ja shtoi se mbetet shumë punë për t’u bërë, por Kosova mbetet e përkushtuar për respektimin e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar të hënën se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës e ka marrë këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme me më shumë se 2/3 e votave.

“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, shkroi Gërvalla, duke shtuar se “mbetet edhe shumë punë për të bërë”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *