EditorialKryesore

Më shiko në sy: Mbrapa apo Përpara?!

Më 14 maj 2023 Shqipëria do të organizojë zgjedhjet lokale ku do të marrin pjesë subjekte partiake, koalicione dhe kandidatë të pavarur që pretendojnë të drejtojnë për katër vite bashkitë në vend.

Ka tërhequr vëmendja fakti që fytyra e fushatës elektorale të Partisë Socialiste nuk janë kandidatët përkatës, por është vetë kryetari i saj, njëkohësisht edhe Kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama. Kjo duket qartazi që te posteri i kudogjendur nëpër Shqipëri, ku sipër qëndron imazhi i kuruar, ballor, me ngjyra dhe i qeshur i Ramës, shoqëruar dhe me tekstin “Vetëm Përpara”, kurse poshtë tij, Sali Berisha dhe Ilir Meta me imazh bardh e zi, me kokat ulur e me përmasa të zvogëluara, shoqëruar me tekstin “Kurrë Më Mbrapa”.

Rama po ekspozohet thuajse në çdo qytet ku garohet, e aty kandidatët e PS-së janë spektatorët e turbo-spektaklit të kryetarit të tyre. Programet e bashkive janë pjesa më periferike e turbo-fushatës. Aty dominojnë batutat që mbushin kohën e mungesës së ofertës politiko-administrative.

Nuk dihet mirë pse, në kokat e votuesit të zakonshëm shqiptar është ngulitur këtu e shumë kohë më parë ideja se udhëheqësit e Shqipërisë, gjithnjë të mirë, kanë dështuar me vendin pikërisht sepse ata që vijnë posht tyre bëjnë “pisllëqe”, e këtë udhëheqësi nuk e di, prandaj rezultatet e tij të dobta nuk janë përgjegjësi e tij.

Këtë formulim mund ta ketë ndeshur në Shqipëri secili, vetëm me emra të ndryshëm: Enver Hoxha nuk e dinte se çfarë po bënin këta të tjerët, se po ta dinte…, Sali Berisha nuk donte që…, se po ta dinte…, Fatos Nano nuk donte t’ia dinte, por po t’ia kishin thënë…, Edi Rama tani e mori vesh, se nuk ia kishin thënë, por tani do e shohin ata…

Në 10 vite pushtet total, jo vetëm në ekzekutiv dhe parlament, por edhe në gjyqësor dhe media, Partia Socialiste ka përsosur atë që edhe më parë e kishte cilësi që i jepte avantazh, e me të cilën tani identifikohet plotësisht, që është komunikimi publik i ngushtuar në formën e spektaklit më ordiner, por që në një vend ku politika dhe demokracia nuk janë ngjizur mirëfilli funksionon kur vjen puna te ruajtja e pushtetit.

Lexo më shumë  Presidenti jugkorean tentoi një grusht shteti, pasoi kaosi në parlament – çfarë ndodhi gjatë gjashtë orëve kaotike në Korenë e Jugut

Kjo fushatë ofron evidentimin më të qartë të kësaj “aftësie”, të cilës ky popull ia ka parë mjerimin në lëkurë. Edi Rama dhe partia e tij e turbo-komunikimit masiv e njeh shumë mirë, jo potencialin e këtij populli, por rrugët pa krye të opinionit pubik. Një ndër to është pikërisht ideja e udhëheqësit të mirë, puna e të cilit sabotohet pa dijeninë e tij nga ata posht tij.

Kush ka jetuar pak kohë në Tiranë e ka dëgjuar dikë teksa shprehet se Rama është i madh, por ky Ilir Meta që ka në koalicion nuk po e lë të punojë, ose një tjetër që ankohet se dikush duhet ta informojë Edi Ramën se ky “lali” po ia nxin jetën qytetarëve të Tiranës duke ua prishur shtëpitë dhe duke lejuar larjen e parave të zeza nëpër kullat e kryeqytetit. Kështu mund të na ndodh të dëgjojmë edhe se Rama nuk e di se ç’po bën Saimir Tahiri, as Arben Ahmetaj, as kryetarët e bashkive që përfunduan njëri-pas-tjetrit nga zyrat në burg, përballë akuzave për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Rama ka 10 vjet që po rri në pushtet e që “nuk e di” se si po i prishin punët ata aty poshtë me afera e duke ua bërë jetën ferr qytetarëve. Në këtë drejtim, Rama e ka përdorur çdo arrestim, të çdo funksionari, përfshirë dhe të kryetarëve të bashkive për ta forcuar idenë se ai po lufton kundër të keqes jo vetëm te opozita apo te ky popull që nuk e do punën, por edhe brenda radhëve të tij. Rama ka 10 vite në luftë kundër të keqes, por pasi një e keqe arrestohet, një tjetër aferë, edhe më madhe del në shesh, për t’u mbuluar me arrestimin e një tjetër sabotatori, për të cilin udhëheqësi po ashtu nuk dinte gjë.

Kjo duket arsyeja pse e shohim Ramën në ballë të fushatës elektorale. Ai po u thotë votuesve se vota për kandidatët e bashkive të PS-së duhet të kalojnë nga fytyra e tij, sepse këta të parët, në vetvete janë të pavotueshëm, janë ata që nesër potencialisht do të arrestohen, kurse vetë Rama potencialisht do t’i arrestojë dhe është garancia (e rreme) se vota për një hajdut potencial nuk është votë që shkon te hajduti; vetëm pushteti shkon tek ai, si i pjesshëm dhe i kontrolluar nga Rama.

Lexo më shumë  Kurti në takim me presidentin e ri të KE-së: Kosova mbetet e përkushtuar drejt BE-së

Nga ana tjetët, kjo strategji i ka shërbyer Ramës për të bërë një zgjidhje të mesme sa i përket Erion Veliajt. Dihet mirë se ky i fundit pretendon udhëheqjen e PS-së, ndërkohë që Rama nuk e ka në plan ta dorëzojë atë. Por Veliaj është bërë gjithnjë e më kërcënues për pushtetin e Ramës. Para vendosje s së kandidatëve Rama ishte mes dy zgjedhjeve: Të mos kandidojë Veliajn që ta shuajë politikisht, me koston e humbjes së pushtetit masiv të Bashkisë Tiranë, që do të thotë hapi i parë për humbjen e pushtetit në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, apo ta vendosë kandidat, me koston e fuqizimit të mëtejshëm të Veliajt në pikën që mund t’ia marrë pushtetin brenda Partisë Socialiste?

E mesmja ishte që ta kandidonte Veliajn, por fytyra e tij dhe e çdo kandidati tjetër të rri periferike, që fitorja potenciale e ardhshme të jetë vetëm e Ramës dhe Veliaj të qëndrojë kryetar bashkie vetëm fal “zotësisë” së Ramës. Këto janë ato kalkulime banale, të cilat mbulohen nga posteri i Ramës “vetëm Përpara, kurrë më Mbrapa”.

Dhe përpara, sipas Ramës, do shkohet me turbo-fushatë, me turbo-premtime të tipit “në Durrës do sjellim një akademi të një ekipi të famshëm, por po e mbajmë sekret, si dhe kemi dy opsione për mënyrën si do e bëjmë”, me kërcime të Ramës me muzikë turbo-folk, me fjalë që thonë tjetër-për-tjetër problemin, siç është ikja aktuale masive nga vendi, e që ai e mbulon duke thënë atë që s’ia kërkoi askush, se nuk i kthejmë dot emigrantët që kanë ikur.

Të gjitha janë premtime, fjalë, diskurs publik çorientues, pa themel e pa kuptim në vetvete, zëvendësim i një budallallëku me atë të radhës, vetëm e vetëm të mos lihet kohë për reflektim, për të qëndruar, për t’i ikur dilemës së rremë për të shkuar “Mbrapa apo Përpara?”, për të qëndruar në vend e të bëhet pyetja: Çfarë dreqin po thua?!

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *