Porti i peshkimit në Durrës, pranë qytetit dhe larg qytetarëve
Hapja e portit të peshkimit për qytetarët dhe vizitorët do ta kthente këtë hapsirë tregtare në në pol për zhvillimin e turizmit.
Porti i peshkimit në Durrës është ndërtuar 10 vjet më parë, por në mjediset e tij nuk mund të futesh pa një leje portuale.
Megjithëse mund të kthehet në një hapësirë atraktive, e cila mund të vizitohet jo vetëm për qëllime biznesi por edhe turizmi, porti i peshkimit vazhdon të jetë i mbyllur për qytetarët vendas dhe të huaj.
Rindërtimi i shëtitores bregdetare 3 vjet më parë e afroi publikun shumë pranë urave ku ankorohen barkat e peshkimit, por muri i betonit që i ndan njerëzit e interesuar nga ky port është ende në këmbë.
Mjafton të zgjatet shtëtitorja në një gjatësi prej 100 metra e të hapet hyrja për në portin e peshkimit, qyteti do të fitonte përmasën e merituar të një biznesi tradicional në qytetin bregdetar.
Në kushtet e hyrjes së bllokuar, mjaft qytetarë të moshave të ndryshme ngjiten mbi digën me gjatësi 5 metra për të parë më nga afër urat ku rrinë pranë njera tjetrës rreth 100 motopeshkatore, por sidoqoftë shëtitja e tyre është sa e paligjshme edhe e rrezikshme.
Porti i peshkimit mbetet pjesë e mjediseve të Autoritetit Portual, dhe në territorin e tij aplikohen masa të njejta sigurie.
Ndërtimi i urave dhe kalatave në basenin me sipërfaqe 13 hektarë ka krijuar kushte normale pune për peshkatarët dhe armatorët e anijeve, të cilët e depozitojnë peshkun përkohësisht në magazinat e ndërtuara brenda territorit të këtij porti.
Bashkia e qytetit, megjithë projektet e mëparshme për ngritjen e një merkatoje peshku në zonën e Shkozetit nuk ka mundur ende që ta bëjë realitet këtë kompleks mjaft të nevojshëm për qytetit.
Peshku vazhdon të shitet vetëm në disa pika tregtimi, e ndonjëherë edhe me karroca ambulante në rrugë.
Sipas specialistëve, sipërfaqja e lirë brenda territorit të portit të peshkimit e bën krejtësisht të mundur edhe ndërtimin e merkatos së peshkut dhe shitjne e tij me çmime të shumicës dhe pakicës, pikërisht në vëndin ku atë e sjellin të freskët motopeshkatoret.
Ndryshe nga përplasjet e forcave politike, të cilat 10 vjet më parë mbrojtën qëndrime të ndryshme kur diskutohej projekti për ndërtimin e portit të peshkimit, tani vendimi për ngritjen e merkatos së peshkut si dhe i rrugës për qarkullimin e automjeteve të specializuara nga qyteti në port nuk po diskutohen më.
Por ndërsa për diskutimin rishtaz e këtyre projekteve që kërkojnë edhe investimet përkatëse mund të nevojitet edhe qëndrimi i specialistëve, vazhdimi i shëtitores dhe lëvizja e lirë e qytetarëve drejt portit të peshkimit mund të realizohet me lehtësi.
Mjafton vullneti i mirë!/reporter.al/
Rruga Press