Bota

Polonia krijon një brigadë të posaçme ushtarake për mbrojtjen e kufirit me Kaliningradin rus

Polonia po krijon një njësi të posaçme ushtarake, e cila do të ketë për detyrë mbrojtjen e kufirit me rajonin rus të Kaliningradit, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e sigurisë në krahun lindor të vendit.

Sipas portalit polak RMF24, siç raporton “European Pravda”, njësia e re do të jetë pjesë e Forcave të Mbrojtjes Territoriale të Polonisë dhe do të marrë përgjegjësi të zgjeruara në mbrojtjen e kufirit lindor.

Njëra prej brigadave ekzistuese të mbrojtjes territoriale pritet të transformohet në Njësinë Kufitare të Warmia-Masuria deri në fund të vitit 2026.

Ndryshe nga njësitë që merren kryesisht me patrullimin dhe ruajtjen e kufirit, brigada e re do të ketë rol të drejtpërdrejtë në mbrojtjen ushtarake të këtij territori, veçanërisht në pjesën kufitare me enklavën ruse të Kaliningradit.

Lexo më shumë  BE prezanton paketën e 22-të të sanksioneve ndaj Rusisë, në shënjestër bankat e kriptomonedhat

Ushtria polake ka bërë të ditur se riorganizimi i njësisë do të përfundojë deri në fund të vitit 2026, ndërsa arritja e gatishmërisë së plotë luftarake pritet të bëhet brenda dy viteve të ardhshme.

Ndërkohë, ka nisur edhe pajisja e pjesëtarëve të kësaj brigade me armatim dhe mjete të reja, në kuadër të përgatitjeve për përmbushjen e misionit të saj.

Në një zhvillim të ngjashëm, Lituania pritet të vazhdojë mbikëqyrjen e shtuar të kufirit me rajonin e Kaliningradit deri në mesin e nëntorit.

Kaliningradi, i cili ndodhet mes Polonisë dhe Lituanisë dhe është i ndarë gjeografikisht nga pjesa tjetër e territorit rus, ka rëndësi të veçantë strategjike për Moskën, pasi shërben si një pikë e rëndësishme ushtarake në Detin Baltik.

Lexo më shumë  Zelensky: Pranimi i Ukrainës në NATO është më efektiv sesa garancitë e sigurisë

Tensionet rreth këtij rajoni janë shtuar në kontekstin e përplasjes mes Rusisë dhe NATO-s. Më 1 tetor, presidenti rus, Vladimir Putin, përsëriti paralajmërimet ndaj vendeve të Aleancës, duke deklaruar se Moska do të përdorte të gjithë arsenalin e saj të armëve në rast të një sulmi ndaj Kaliningradit apo ndonjë rajoni tjetër rus.

Krijimi i njësisë së re polake vjen në kuadër të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse përgjatë kufirit lindor, në një periudhë kur vendet e krahut lindor të NATO-s po rrisin gatishmërinë ushtarake përballë kërcënimeve të perceptuara nga Rusia.

Rruga Press

YouTube player