Lajme

Policia po kryen operacion policor në veri lidhur me sulmin terrorist në Banjskë

Policia është duke bastisur disa lokacione në veri të vendit lidhur me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

Nga PK-ja është thënë se janë duke zhvilluar operacionin, ndërsa nuk dihet ende nëse ka ndonjë të arrestuar deri tash.

Më 24 shtator, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni tre sulmues u vranë. Është kapur edhe arsenal i madh armësh. 

Lexo më shumë  Kapen rreth 400 kg duhan kontrabandë në Gjilan

Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme. Gjykata ia ndaloi daljen nga Serbia dhe e obligoi të paraqitet në stacionin kompetent policor dy herë në muaj.

Lexo më shumë  Ministrja Haxhiu – opozitarëve: Jeni bërë milionerë veç duke qenë në qeveri

Sipas Prokurorisë serbe, Radoiçiq dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”. Më pas, ato armë “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”, sipas Prokurorisë serbe.

Radoiçiq i mohoi këto vepra.

Rruga Press

YouTube player