Policia e Kosovës jep detaje për arrestimin e të tre serbëve në Prishtinë që blenë emblema të UÇK-së
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e tre shtetasve të Serbisë, të cilët dyshohet se kanë blerë emblema të UÇK-së në Prishtinë.
Përveç tyre, edhe dy persona të tjerë, shtetas të Kosovës janë arrestuar bashkë me ta gjatë mbrëmjes të së shtunës.
Siç njofton Policia, ndaj të dyshuarve janë duke u bërë verifikimet e nevojshme në koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës.
“Policia e Kosovës ka ndaluar pesë (5) persona; dy (2) shtetas të Kosovës dhe tre (3) shtetas të Serbisë, ndaj të cilëve janë duke u bërë verifikimet e nevojshme në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Për procedurat e mëtejshme jemi në konsultim me Prokurorin kompetent derisa të kryhen verifikimet e nevojshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Mësohet se njëri nga të arrestuarit në këmbim të shtetësisë serbe, i ka kërkuar një qytetari të Kosovës që ta dërgojë në dy dyqane ku ka uniforma ushtarake. Në dyqanin e fundit ka blerë edhe emblemat e UÇK-së, raporton KosovaPress.
Të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë.
Rruga Press