Poezitë e para evropiane për Skënderbeun
Nga Moikom Zeqo
Emri i lavdishëm e i pamortshëm i heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është i lidhur edhe me poezinë botërore. Marin Barleti ka dëshmuar për këngët popullore, pra për një traditë të këngës historike e legjendare të vetë popullit shqiptar. Vetë kryevepra e Barletit për bëmat e personalitetin e jashtëzakonshëm të Skënderbeut është shkruar plot me poezi të brendshme, me një forcë përgjithësuese, ku poezia në kuptimin e përgjithshëm dhe artistik është e pranishme. Librin e Barletit mund ta quajmë pa e tepruar edhe si një poemë epike. Ky libër, siç dihet u botua në Romë gjatë viteve 1508-1510.
Interesant është, të vihet në dukje se që në fillim të librit botohen edhe dy poezitë latinisht nga dy poetë bashkëkohës të Barletit tonë, e me sa duket, miq të tij, që e vlerësojnë shumë lart jo vetëm figurën e ndritshme të Skënderbeut, por edhe vetë nismën e pavdekshme të shkrimtarit e të dijetarit humanist. Poezitë janë shkruar në distikë e kanë karakter kushtimor e vlerësues, apologjik.
Njëra poezi është shkruar nga poeti Pjetër Reguli nga Viçenca, kurse tjetra nga Domeniko de Alcenjano, nga Padova. Këta dy poetë të kohës janë intelektualë, që u ka tërhequr vëmendjen Shqipëria, historia e saj dhe një nga pishtarët më të mëdhenj të lavdisë e lirisë shqiptare – Gjergj Kastriot Skënderbeu. ata kanë pasur patjetër lidhje me Barletin e shtojnë kështu nota për biografinë e tij, për rrethin e të njohurve të Barletit, për vetë procesin e shkrimit dhe të botimit të kryeveprës barletiane, e cila u përhap dhe u përkthye gati në të gjitha gjuhët e Evropës, duke e bërë Barletin shkrimtarin e parë shqiptar të kalibrit botëror.
Në përfundim, shënojmë se Pjetër Reguli dhe Domeniko de Alcenjano janë poetët e parë të Evropës dhe të botës, që kanë shkruar për Skënderbeun, duke u bërë kështu paraardhësit e asaj tradite shekullore të poezisë së popujve të ndryshëm, që përmendin me nderim emrin e Skënderbeut dhe të Shqipërisë.
Le të kujtojmë këtu poetët Ronsar, Agrippa D’Obinje, Gabriel Femi, Amadis Jamis, Luixhi Greto, Zhan Bussier, Margarita Sarroki, Lope De Vega, Kristofor Marlogu, Edmund Spencer, Bajroni i madh etj.
PJETËR REGULI I VIÇENCËS
(SHEKULLI XVI)
Kështu do të mahnitesh o lexues nga betejat
E kapedanëve të famshëm heroikë.
Ndër to çudi është Skënderbeu, rrufe e luftës,
Sa kënaqësi do të ndjesh kur të lexosh për të!
Prijës i madh, trim e shpirt hero
Kërdi ka bërë mbi turqit kaq mizorë!
Se emri i tij do të thotë “Aleksandër i Madh”,
Mirëmbetsh o lexues me lavdinë e tij përherë!
DOMENIKO DE ALCENJANO I PADOVËS
(SHEKULLI XVI)
Në qoftë se t’i lexues do të tejshohësh
Me aftësinë tënde në këtë vepër madhështore,
Ke për ta çuar famën e autorit deri në zenith,
Se ai këndoi Skënderbeun, bir i një populli të lartë.
Këndoi trimëritë e bëmat e prijësit arbër
Që asnjë mangut nuk i le Kamilit të madh.
I pakrahasueshëm në fitore, i shkatërroi me ngulm
Ushtritë pafund të perandorëve sulltanë.
Le të gëzojë e larta Arbëri për këto triumfe,
Le të ngrejë në qiell veprat e princit të vet.
***
Albanologu i njohur, i ndjeri at Vinçenc Malaj, që vdiq para disa vjetësh në moshën 70-vjeçare në Tuz të Malit të Zi, ka bërë të njohur publikisht ekzistencën e një dorëshkrimi në gjuhën latine, të shkruar nga poeti italian, humanisti Girolamo Bologni. Dorëshkrimi përbëhej gjithsej nga 20 faqe dhe përmbante në 243 distikë një poezi, pothuaj një poemë prej 436 vargjesh gjithsej. Çdo distikt përbëhej nga dy vargje me ritme të alternuara, një varg qe hekzametër, kurse tjetri pentametër, teknikë vargëzuese kjo tepër e njohur në poezinë e latinitetit mesjetar.
Poema kishte titullin « SCANDER », pra kemi të bëjmë me emrin e njohur të Gjergj Kastriotit, që u quajt nga turqit Skënderbe, formë kjo tipike e paraqitjes së emrit të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë.
Ky dorëshkrim qe zbuluar nga dr. Vinçens Malaj në Bibliotekën e Splitit, ku ai kishte punuar për disa kohë. Kjo poemë unikale është akoma dhe sot e pabotuar.
Malaj kishte projektuar ta kthente poemën në shqip, pasi “poema shton një subjekt dhe motiv të ri të rëndësishëm për bibliografinë skënderbejane”. Gjirolamo Bologni është një poet që ka lindur në Italinë e Veriut në qytetin Trevizo në vitin 1454. Kur vdiq Skënderbeu në 1468 poeti italian ishte 14 vjeç. Ai vdiq në vitin 1517 dhe mundet që poema e tij për Skënderbeun të jetë shkruar diçka para vitit 1517 pra në fillim të shekullit XVI. Në fletën e parë “dorëshkrimi “ është shkruar latinisht “Huic Libello Est Titulus Scander”, (“Ky libër e ka titullin Skënderbe”).
Ka dhe një nëntitull, ku thuhet në latinisht me dy vargje:
Një ankim i mallëngjyeshëm mbi shkatërrimin
E të krishterëve të gënjyer nga turqit e tmerrshëm.
Për të pasur një ide më të qartë të fillimit të poemës po japim të përkthyer në shqip edhe dy distikë të tjerë:
Skënderbeu, dëbuesi i turqve, që nga Venediku,
Qe i ashpër, i tmerrshëm për dhunuesit.
E meriton me këtë Hero ta titulloj këtë libër,
Se me veprat heroike ia ka dhënë substancën.
Poema në fjalë, afro 500 vargje, meriton e tëra, që të shqipërohet. Kështu krijohet një trinitet poetësh italianë që kanë jetuar midis fundit të shekullit XV dhe fillimit të shekullit XVI. Që të tre këta autorë janë me origjinë italiane, ç’ka tregon, se krijuesit humanistë evropianë kanë qenë shumë të ndjeshëm dhe reflektues ndaj famës dhe bëmave të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Hulumtimet e ardhshme kanë për të zbuluar vepra dhe motive të tjera.
***
Në vitin 1567 u përkthye libri i Barletit për Skënderbeun në portugalisht. Mbi këtë botim u mbështet Luis De Meneses, një nga emrat më të shquar të kulturës portugeze për të botuar në vitin 1688 në Lisbonë një libër, që përmban edhe 21 kushtime, sonete dhe decima të autorëve të ndryshëm.
Për këtë koleksion poezish flet në një studim të saj në formë disertacioni dr. Anila Bitri. Nuk ka shumë të dhëna për autorët e poezive që janë frymëzuar nga lavdia e Skënderbeut. Një sonet dihet, që është shkruar nga Markez De Arronche. Në sonetin e tij janë dhe këto vargje:
Nga kjo lakmi e Diellit, mrekulli e artit
E mbretit shqiptar kaq të lavdishëm
Në çdo germë unë e ngre një kurorë
Dhe në çdo fletë e ve një flamur.
Një sonet tjetër është anonim, nuk e ka emrin e autorit. Mendohet se është shkruar në shekullin XVI. Veçojmë më poshtë këto vargje (shqipërimi është i Dr. Anila Bitrit):
Në degë dafine, në djep prej ari
Rilind sot ti i ndritur Feniks
Hero që me shkronja diamanti
Shkruan në Zefir thesarin e pamort.
Ai qe i pari është në Korin e Muzave
Jetës që lind botën, ti këndoj
Të lerë gjurmë në dritat vezulluese
Dafinë pa rreze, pendë pa shkëlqim.
Me njërën, dhe tjetrën është krahasuar
Feniksi, që sot ringjallet në këtë shkrim
Dhe i mençuri Apolon, që plot lavdi,
Famën tregon në fluturimin e dyfishtë.
***
I paharruar Frang Bardhi në kryeveprën e tij “Apologjia e Skënderbeut” të botuar në 1636 citon librin “Argëtime te Parnasit”, të shkruar nga poeti italian Joan Jakov Ricci, i shekullit XVII. Frang Bardhi citon këtë fragment poetik nga Ricci me titull “Beteja e Herkulit dhe e Skënderbeut”:
Me gëzim të madh dhe me furi
Sulmon Skënderbeu shqiptar i pathyeshëm
Kreshnik në beteja, ku del ngadhënjimtar
Shpirtmadh, i vrullshëm dhe plot fuqi.
Dhe më poshtë:
Ndalon Skënderbeu i lindur nga Epiri
Kali e tij madhështor dhe krenar,
Që ka ecje të lehtë për çdo kundërshtar.
Heroi i armatosur trimërisht
Parzmore prej lëkure të ashpër ka,
Shpatë, hark dhe shtizë të tmerrshme
U hodhën heshtat e shpjeta dhe Arbërori,
Merr pozicion dhe hedh një topuz
Krejt ndryshe nga topuzi i Herkulit të Tebës.
Ne nuk e dimë librin me autor Riccin, ku padyshim një kapitull poetik i kushtohet Skënderbeut në shoqëri nga një hero mitologji, siç është Herkuli i Tebës.
***
Për poetin Ricci Skënderbeu është po aq i famshëm, kapërcen kohërat si një subjekt surrealist dhe lufton së bashku me Herkulin e Tebës.
***
Në shekullin XVII edhe një poete italiane Margarita Sorochi, një mike e njohur e Galileo Galileut, ka shkruar një epos në qindra vargje për Skënderbeun, epos, që fatmirësisht është botuar dhe përkthyer edhe në gjuhën shqipe./Dita
Rruga Press