Kuriozitete

Përralla sovjetike që na ndihmon të kuptojmë mendjen e një autokrati

Rreth fundit të Luftës së Ftohtë, shkrimtari rus Evgeny Shvartz shkroi një përrallë fëmijësh për të cilën ai rrezikoi burgjet sovjetike – të njohura si Gulag – dhe që akuzohen se kanë qenë po aq të ashpra sa kampet naziste.

Përralla e shkruar në vitin 1944, u titullua ‘Dragoi’ – dhe ajo na ndihmon edhe sot e kësaj dite, të kuptojmë se si funksionon mendja e një lideri autokrat dhe se si edhe ditët e sotme, kur duket sikur liberalizmi dhe të drejtat e njeriut janë himni në sfondin e shekullit 21, këto lloj figurash ia kanë dalë të mbijetojnë.

‘Dragoi’ nuk është vërtetë një përrallë për fëmijë edhe pse Shwartz u kamuflua pas këtij zhanri letrar për vite të tëra, në mënyrë që të mos persekutohej nga sistemi i ashpër i ish-Bashkimit Sovjetik, i cili i luftonte mendjet opozitare njësoj si Kremlin vazhdon ta bëjë sot e kësaj dite – me dhjetëra gazetarë të zhdukur apo të burgosur.

Përralla fillon me heroin, Lancelot – i cili mbërrin në një tokë të huaj që kishte qëndruar nën kthetrat e një dragoi tiran me tri kokë qëkur mund të mbahej mend.

Dragoi ushtronte ndikimin e tij mbi banorët dhe vendoste për çdo gjë rreth jetëve të tyre.

Kjo figurë mitike – e pranishme në shumë legjenda mesjetare në të gjithë Europën – kërkonte çdo vit, sakrifikimet e posaçme: një vajzë të re e të hijshme, së bashku me të tjera të mira materiale.

Lanceloti i del për zot banorëve dhe u jep atyre fjalën se do ta vrasë bishën, por ata çuditërisht protestojnë.

Ata i luten atij të mos e vrasë dragoin, jo vetëm nga frika se ai do të hakmerret por edhe sepse sipas tyre, ai nuk kishte qenë vetëm i keq me ta.

Në të shkuarën, ai kishte qëlluar edhe t’i ndihmonte, duke tharë një liqen që solli fundin e një murtaje para plot 82 vitesh.

Kalorësit e tjerë që ishin munduar nuk ja kishin dalë dhe vetëm sa i kishin përkeqësuar gjërat edhe më tej.

Veç kësaj, ai i mbronte ata nga dragonjtë e tjerë.

Kur Lanceloti – i shtangur – i tha se ata mund të çliroheshin përjetësisht nga dragonjtë dhe të jetonin të lirë, ata nuk e besuan.

Lanceloti e provoi gjithsesi edhe pse disa prej banorëve bashkë me kryeplakun e fshatit u munduan ta sabotojnë.

Si fillim beteja ishte e vështirë, dhe banorët dolën në krah të dragoit derisa iku koka e parë, e më pas e dyta dhe në fund edhe e treta.

Vetëm atëherë banorët nisën të festojnë dhe të falënderojnë kalorësin.

Por ç ‘ndodhi më pas?

Një vit më vonë, Lanceloti rikthehet dhe merr vesh se kryeplaku kishte detyruar të gjithë banorët e fshatit të besonin gënjeshtrën se në fakt ishte ai që e vrau dragoin, jo Lanceloti. Duke përdorur spiunë, shantazhe, korrupsion dhe burgosje, ai ishte kthyer në një tiran despot duke i marrë kështu vendin dragoit tri-krerësh.

I zhgënjyer, Lanceloti e mbyll përrallën duke thënë se “të vrasësh dragoin nuk mjafton, pasi krimbi i tij i kishte përdredhur e shtrembëruar aq shumë shpirtrat e banorëve, sa që për t’i shpëtuar, ai tani do të duhej të vriste dragoin brenda secilit prej tyre”.

Në gjyq, Shvartz u detyrua të mbrohej duke thënë se dragoi në fakt përfaqësonte Hitlerin – jo Stalinin, edhe pse të gjithë mund të kuptojmë që kjo përrallë është një dekonstruktim gjenial për të gjithë mendjet e liderëve autokrat.

Është vërtetë e dhimbshme se si gati 3 dekada më vonë, kjo përrallë është ende mjaft koherente dhe tregon për të vërtetën e hidhur të dragoit në shpirtin e shoqërive që rriten dhe edukohen me ideologji përçarëse, me pseudo-nacionalizma dhe me armiq imagjinarë që ngre çdo klasë politike që i bie radha të udhëheqë, duke i mbajtur njerëzit e thjeshtë gati të hipnotizuar dhe sa më larg të vërtetës.

Të vërtetës cinike – që njerëzit e thjeshtë shpesh përdoren si kukulla të një sistemi të orkestruar nga lartë, i cili është i aftë të bëjë gjithçka, përfshi edhe të luftojë për të arritur qëllimet e interesat personale, që aq shpesh shiten si pseudo-ideale të mëdha.

The Economist

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *