Bota

Përndjekja e grave në Afganistan, kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale kërkon fletarrestime për udhëheqësit talibanë

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) tha se po kërkon që të lëshohen fletarrestime ndaj udhëheqësve të lartë talibanë në Afganistan lidhur me përndjekjen e grave, që është krim kundër njerëzimit.

Karim Khan tha se ka arsye të bazuara për të dyshuar se udhëheqësi suprem, Haibatullah Akhundzada, dhe shefi i drejtësisë, Abdul Hakim Haqqani “kanë përgjegjësi kriminale për krimin kundër njerëzimit të përndjekjes mbi baza gjinore”.

Khan tha se gratë dhe vajzat afgane, por edhe komuniteti LGBTQ, po përballen “me përndjekje të paprecedent, të paarsyeshme dhe të vazhdueshme” nga talibanët.

“Veprimi ynë sinjalizon se status quo-ja për gratë dhe vajzat në Afganistan është e papranueshme”, shtoi Khan.

Gjykatësit e GJNP-së tani do ta shqyrtojnë kërkesën e Khanit para se të vendosin nëse do të lëshojnë fletarrestime, proces që mund të marrë javë apo muaj kohë.

Gjykata, me seli në Hagë, është themeluar për të vendosur për krimet më të tmerrshme në botë, sikurse janë krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.

Lexo më shumë  Aksion i mirëorganizuar i ukrainasve, arrijnë të eliminojnë 21 ushtarë koreano-veriorë dhe të plagosin 40 tjerë në Kursk

Ky institucion nuk ka mekanizma për zbatimin e vendimeve dhe mbështetet te 125 shtetet anëtare që të zbatojnë fletarrestimet.

Teorikisht, kjo nënkupton që kushdo që është subjekt i një fletarrestimi të lëshuar nga GJNP-ja nuk mund të udhëtojë në një vend anëtar nga frika se mund të arrestohet.

Khan paralajmëroi se së shpejti do të dërgojë edhe kërkesa të tjera për të lëshuar fletarrestime edhe për zyrtarë të tjerë talibanë. Kryeprokurori tha se edhe krime të tjera kundër njerëzimit po kryhen, përveç përndjekjes.

“Rezistenca apo kundërshtimi i perceptuar ndaj talibanëve ishte dhe është shtypur brutalisht përmes kryerjes së krimeve, përfshirë vrasjen, burgosjen, torturën, përdhunimin dhe forma të tjera të dhunës seksuale, zhdukjen me forcë dhe akteve të tjera çnjerëzore”, tha ai.

Pasi u rikthyen në pushtet në gusht të vitit 2021, talibanët u zotuan se nuk do të aplikonin politika të ashpra sikurse herën e parë kur ishin në pushtet nga viti 1996-2001. Por, shumë shpejt ata vendosën kufizime ndaj grave dhe vajzave dhe Kombet e Bashkuara kanë thënë se kjo përbën “aparteid gjinor”.

Lexo më shumë  Luftë e rreptë në Kursk, ukrainasit me Javelin shkatërrojnë artilerinë ruse

Në bazë të interpretimit të talibanëve të Ligjit islamik të Sheriatit, që zbatohet nga Akhundzada, grave dhe vajzave u janë vendosur kufizime të ashpra ndaj të drejtave të tyre.

Talibanët ua kanë ndaluar vajzave shkollimin e mesëm dhe grave ua kanë ndaluar vijimin e arsimit universitar. Autoritetet po ashtu kanë vendosur kufizime sa i përket punësimit të grave në organizata joqeveritare dhe në sektorin publik.

Sallonet e bukurisë janë mbyllur, sikurse edhe palestrat dhe banjat, teksa grave u ndalohet që të vizitojnë parqet publike dhe nuk iu lejohet të udhëtojnë në distanca të gjata pa shoqërimin e një mashkulli.

Grupet për të drejtat e njeriut dhe komuniteti ndërkombëtar kanë dënuar këto kufizime, duke thënë se këto vendime janë arsye kryesore pse shtetet nuk i njohin zyrtarisht talibanët si udhëheqës të Afganistanit.

Talibanët vazhdimisht hedhin poshtë kritikat ndërkombëtare për politikat e tyre, duke thënë se qytetarët kanë të gjitha të drejtat sipas Ligjit të Sheriatit./ REL

Rruga Press

YouTube player