Lajme

Përmbysja e Vetingut/ Antoneta Sevdari: Proces i korruptuar, kapur nga krimi dhe politika!

Antoneta Sevdari është prokurorja e vetme që ka arritur ta zhbëjë vetingun. Me një kokëfortësi për t’u admiruar, ajo ngulmoi për 5 vjet me radhë në kërkim të së drejtës së saj, derisa këtë të premte u kthye në detyrë, pasi Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasbug shpalli të pavlefshëm vendimin e KPA (Kolegji i Posaçëm i Apelimit) në 28 Shkurt 2019.

Në atë kohë, prokurorja e kishte kaluar shkallën e parë të vetingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por u përjashtua në shkallën e dytë nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit.

“Shkak” u bë një shumë parash e bashkëshortit të saj, Arben Sevdari që kishte punuar në Arabinë Saudite dhe sipas trupës gjykuese nuk e justifikonte dot.

Komisioni pranonte se provat e sjella nga ish-prokurorja për punën e bashkëshortit si inxhinier gjeodet në Arabinë Saudite “arrinin nivel besueshmërie”, por më pas e rrëzonte këtë qëndrim duke hapur kllapat dhe shtuar “por jo atë të bindjes”.

“Keni qenë një forcë e madhe për mua në rrugën time për të ardhur tek kjo ditë. Ndihem e gëzuar që arrita të marr drejtësinë që meritoja, kam 2-fish përgjegjësi të jem e përkushtuar ndaj drejtësisë Faleminderit! Jam e emocionuar, s’mund të them gjë tjetër”’, u shpreh Sevdari në një reagim të shkurtër për mediat.

Por 5 vite më parë, prokurorja nuk ishte kaq lakonike. Atëherë ajo sulmoi për paaftësi trupën gjykuese që e kishte përjashtuar duke lëshuar akuza të forta ndaj procesit në tërësi.

Në një letër publike që ia dërgoi institucioneve të vendit dhe të huaja, Sevdari shprehej se vetingu ishte një proces i korruptuar dhe i kapur nga segmente të caktuara të politikës dhe të krimit. Në letrën që shkroi në vitin 2019, shprehej se nuk gjente asnjë shpjegim tjetër për padrejtësinë qe iu bë veçse tek elementët kriminalë, të cilët i kishte pasur përballë gjatë punës së saj.

“Mos po shndërrohet edhe ky në një proces të korruptuar, në një vegël në shërbim të hakmarrjes prej kriminelëve të cilët gjyqtarët dhe prokurorët, që i nënshtrohen këtij proçesi, i kanë çuar përpara drejtësisë?” ishte pyetja që ngrinte Sevdari.

Mos ndoshta po përdoret edhe ky proces, si një vegël në shërbim forcash politike të cilat, jo rrallë, fatkeqësisht, u shërbejnë interesave të tyre të ngushta politike dhe jo interesave kombëtare?” thoshte ajo.

E përjashtuar nga një sistem ku kishte punuar për 16 vjet, prokurorja shprehej se kishte qenë e demoralizuar prej ditësh, por pasi kishte bërë nëj analizë, arrinte në përfundimin se shkaqet e përjashtimit të saj ishin ose paaftësia e gjyqtarëve ose një urdhër nga interesat që kishte pasur përballë gjatë punës së saj si prokurore.

“Gjatë këtyre ditëve jam përpjekur të kuptoj një vendim të pakuptueshëm. Në analizën time të fakteve dhe ngjarjeve kam arritur në konkluzionin se shkarkimi im, u bë për një nga këto dy arsye:

•Ose si rezultat i profesionalizmit të dobët në gjykim nga anëtarët e trupës së Kolegjit të Apelimit, që votuan për shkarkimin;

•Ose (dhe ky rast është edhe më flagrant, sa i përket të ardhmes së drejtësisë shqiptare) ai ishte një shkarkim i urdhëruar, në shërbim të interesave me të cilat unë në punën time si prokurore jam përballur” shkruante Sevdari.

Sot, që Sevdari është rikthyer në detyrë nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut akuzat e saj tingëllojnë akoma më fort. Pak ditë më parë, mediat greke publikuan dokumentat që vërtetojnë se gjykatësja Irena Gjoka është dëbuar nga vendi fqinj në vitin 2002 për shkak se kishte përdorur një vizë të falsifikuar. Mediat greke e konsiderojnë si gjyqtarja që dënoi kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, por e njëjta gjykatëse njihet si firmëtare e vendimit që la në arrest shtëpie liderin e opozitës Sali Berisha, që mes të tjerash ka denoncuar vazhdimisht kapjen e vetingut, si mjet për kapjen e drejtësisë së re.

Lexo më shumë  Taravari: Shqiptarët në Maqedoni të Veriut do të kenë kryeparlamentarin e gjashtë ministri

Letra e hapur e Antoneta Sevdari, në vitin 2019

E nderuar znj. Ambasadore në detyrë e SHBA në Shqipëri!

I nderuar z. Ambasador i Bashkimit Europian në Shqipëri!

Të nderuar Anëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit!

Të nderuar Anëtarë të Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të ligjit nr. 115/2016, “Për Organet e Qeverisjes të Sistemit të Drejtësisë”

I nderuar z. President i Republikës së Shqipërisë!

I nderuar z. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë!

E nderuar znj. Prokurore e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë!

E nderuar znj. Ministre e Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë!

Të nderuar Qytetarë të Republikës së Shqipërisë!

Ju drejtohem sot të gjithëve Ju, forcave dhe aktorëve të përfshirë e të interesuar për zhvillimin e një sistemi drejtësie transparent, të fuqishëm e të drejtë në Shqipëri, në një gjendje dhimbjeje e indinjimi të thellë e, për më tepër, shqetësimi në rritje për të ardhmen e kësaj drejtësie që procesi i Vettingut kërkon të vendosë.

Vetëm disa ditë më parë, më 28 Shkurt 2019, unë, Antoneta Sevdari, deri atë ditë një prokurore prej mbi 16 vitesh në detyrë, anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u shkarkova nga detyra e prokurores, me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Më duhet qysh në fillim të pohoj se shpallja e vendimit më shkaktoi të tillë gjendje tronditjeje, pështjellimi dhe zemërimi mbytës, sa që m’u desh të lija të kalonin disa ditë, përpara se të bëja këtë deklaratë.

E gjej të nevojshme të bëj publike, e jo për interesat e mija personale, ndjenjën e pamundësisë për të kuptuar, kur dëgjova shprehjen “Shkarkohet për shkak të humbjes së besimit të publikut”.

Të publikut!

Të atij publiku për të cilin unë kam punuar me çdo qelizë të qenies sime gjatë gjithë 16 viteve të punës sime si prokurore!

Të atij publiku të cilit unë i kam përkushtuar vite të gjatë ditë-netësh jashtëzakonisht të vështira të një pune shumë serioze në mënyrë që të bëja gjithçka varej nga unë që të vendosej drejtësia!

Të atij publiku të cilin unë e mbaja brenda meje për të më dhënë forcë shpirtërore në të gjitha betejat jashtëzakonisht sfiduese në luftën kundër kriminelëve të rrezikshëm!

Të publikut, të qytetarëve shqiptarë, interesin e të cilëve kam respektuar, pa përjashtim, e nuk e kam shkelur kurrë, duke punuar ndeshmërisht, pa u ndikuar nga interesat e kujdo, në një vend si ky yni ku korrupsioni, fatkeqësisht, mbretëron!

Qytetarëve shqiptarë, vëllezërve e motrave të mija, bashkëqytetarëve të mi të zakonshëm e të thjeshtë, mbështetja, konfirmimi e mirënjohja e të cilëve më ka dhënë çdo ditë kurajo të ndjek paluajtshmërisht ligjin, e vetëm ligjin, për të siguruar barazinë e të gjithëve para tij!

Qytetarëve shqiptarë, babait e nënës sime e bashkëfshatarëve të tyre fermerë, puna e ndershme e të cilëve, për të siguruar jetesën e përditshme më ka pajisur me një mburojë të padepërtueshme nga nënqeshjet, jo të rralla, përreth meje për “naivitetin” e “paaftësinë” time për të përfituar nga “benefitet” e profesionit dhe për të bërë të “natyrshmen”, “përmirësimin e kushteve” të mija personale e familjes sime nëpërmjet favoreve të natyrave të ndryshme të fituara lehtë!

I nderuar publik! Të shumënderuar Qytetarë Shqiptarë! Të dashur bashkëqytetarë!

Unë, Antoneta Sevdari, qëndroj sot këtu përpara jush me dhimbje, indinjatë e shqetësim të thellë por, krenare dhe e vendosur!

Kam luftuar fort! Kam sakrifikuar! Jam përplasur e i kam bërë qëndresë kujtdo që është përpjekur të më pengojë në misionin tim kundër kriminalitetit për sigurimin e paqes e drejtësisë në vendin tonë! Nuk e kam shkelur premtimin e dhënë! Nuk jam zmbrapsur! Nuk jam lëkundur!

Ju kam shërbyer, ashtu siç u betova solemnisht, me transparencë, me ndershmëri, me profesionalizëm të lartë por, më e rëndësishmja, me devotshmëri dhe me ndjenjë të lartë përgjegjësie personale.

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj!

Duke gjykuar nga rasti im, kam arsye të forta për të dyshuar nëse procesi i Vetting-ut po i shërben qëllimit, i cili unë besoj se është: “Largimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar dhe profesionalisht të paaftë dhe sigurimi i kushteve që prokurorët dhe gjyqtarët me integritet dhe profesionalisht kompetentë të vazhdojnë t’i shërbejnë drejtësisë shqiptare ashtu siç kanë bërë deri tani”.

Kur procesi i Vettingut filloi, unë, personalisht, u mbusha me shpresë, sepse besoja që drejtësia do të vihej në vend. Në rastin tim, fatkeqësisht, nuk ndodhi kështu.

Mos po shndërrohet edhe ky në një proces të korruptuar, në një vegël në shërbim të hakmarrjes prej kriminelëve të cilët gjyqtarët dhe prokurorët, që i nënshtrohen këtij proçesi, i kanë çuar përpara drejtësisë?

Mos ndoshta po përdoret edhe ky proces, si një vegël në shërbim forcash politike të cilat, jo rrallë, fatkeqësisht, u shërbejnë interesave të tyre të ngushta politike dhe jo interesave kombëtare?

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj!

Gjatë këtyre ditëve jam përpjekur të kuptoj një vendim të pakuptueshëm. Në analizën time të fakteve dhe ngjarjeve kam arritur në konkluzionin se shkarkimi im, u bë për një nga këto dy arsye:

•Ose si rezultat i profesionalizmit të dobët në gjykim nga anëtarët e trupës së Kolegjit të Apelimit, që votuan për shkarkimin;

•Ose (dhe ky rast është edhe më flagrant, sa i përket të ardhmes së drejtësisë shqiptare) ai ishte një shkarkim i urdhëruar, në shërbim të interesave me të cilat unë në punën time si prokurore jam përballur.

Unë Ju ftoj të investigoni dhe të merni të gjitha masat e mundshme në mënyrë që populli shqiptar të mos zhgënjehet edhe këtë herë. Kjo do të na kushtonte besimin e shqiptarëve në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe në proceset demokratike për zhvillimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Të dashur bashkëqytetarë shqiptarë!

Unë nuk linda Prokurore. Unë zgjodha të bëhem. Si e tillë u kalita çdo ditë nëpër betejat gjatë procesit të hetimit si dhe në sallën e gjyqit duke punuar që paqja dhe siguria në jetët tona të mos kërcënohen.

Unë isha, jam dhe do të mbetem një prokurore krenare. Beteja ime nuk përfundon këtu. Unë jam betuar solemnisht t’Ju shërbej dhe do ta bëj këtë, edhe më e fuqishme, edhe më e guximshme!

Ju falenderoj për besimin dhe mbështetjen gjatë gjithë këtyre viteve dhe, në veçanti, gjatë këtyre ditëve.

Sinqerisht Juaja!

Antoneta Sevdari

Lexo më shumë  2009-2023, Shqipëria me nivelin më të ulët të disbursimit të fondeve për kapitalin njerëzor në rajon
YouTube player