Për sjellje parimore politike

Nga Artan Përnaska

Pa u mbyllur ende bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, vetë proçesi i dialogimit është shndërruar në objekt interpretimi. Pra është hapur për opinionin publik. Dhe na ka shërbyer një pafundësi interpretimesh.

Për të zhveshur interpretimet nga qëndrimet opinionale ndaj aktorëve në proçes dhe për të orientuar vëmendien në llogjikën e mekanikën e brendëshme të proçesit të dialogimit, na u duk e udhës ta ftojmë lexuesin të na shoqërojë në një varg vëzhgimesh :

1) Qëndrimet që hapen ndaj politikanit Albin Kurti mbyllen në sjellje ndaj institucioneve dhe vetë-shtetësisë së Kosovës

«Çështja e targave» ka tërhequr gjerë e gjatë vëmendjen e opinionit publik në shumëçka, përveçse në faktin se, dashur pa dashur, ajo ka sjellë përsëri kuptimshmërinë dhe llogjikën e brendëshme në procesin e bisedimeve me Serbinë.

Duke i nxjerrë këto bisedime nga pakohësia e derimëtashme. Duke bërë të pakalueshme e të pashmangshme më tej, përfshirjen në bisedime të një kalendari orientues.

Në këto shtrirje të opinionit publik në drejtime të kah-kahshme, vihet re edhe një qëndrim deri diku emocional e deri diku racional ndaj politikanëve që janë aktorë të këtyre ngjarjeve, e në shkallë më të lartë ndaj politikanit Albin Kurti, i cili sot bart fytyrën njerëzore të çështjeve të shtruara për zgjidhje.

«Çështja e targave» ka sjellë edhe padurim e sulme ndaj politikanit në fjalë.

Duke përshëndetur shëndetin e opinionit publik – i cili shfaqet, në rradhë të parë, tek gjallëria dhe tek ndjeshmëria e tij -, vlen të kuptohet se sulmet e hapura ndaj politikanit Albin Kurti, dashur pa dashur, mbyllen dikurherë në sulme ndaj shtetit e ndaj vetë-shtetësisë së Kosovës.

Sepse – në këtë çështje – Kryeministri i Kosovës po sulmohet pikërisht për arsye të veprimit të tij në kahje të shtetësisë.

2) Mungon një marrëveshjeje e dakortësuar me përgjegjësi të të dy palëve

Në thelb, të gjitha kritikat ose thirrjet e brendshme ose të jashtme ndaj Kryeministrit të Kosovës kërkojnë ose synojnë «shtyrjen» e «çështjes së targave».

Përderisa nuk ka marrëveshje të dakortësuar e të ndërkohme për shtyrje, kërkesat dhe trysjet në këtë pikë nuk mund t’i drejtohen ndarazi emocioneve dhe vullnetit të lirë të Republikës së Kosovës, pasi veprimi i kërkuar jo vetëm që nuk angazhon, por edhe çangazhon palën tjetër.

Lexo më shumë  Xhaka e Shaqiri titullarë ndaj Serbisë

Kjo shtyrje në përgjegjësi të një pale, dhe çangazhuese për palën tjetër, do të ishte pa vlerë dhe pa dobi në llogjikën dhe për ecurinë e brendëshme të procesit të bisedimeve.

A ka shfaqur Serbia interesim për shtyrjen e «çështjes së targave», e cila Kosovës i kërkohet një-palazi ? A ka hedhur Serbia hapat e nevojshëm për t’u marrë vesh me qeverinë e Kosovës ?

Jo, sepse një marrëveshje e dakortësuar për shtyrje do të kërkonte një shprehje të qartë interesi, zotime përmbajtësore e garantuese, të shoqëruara me një kalendar të bashkë-lidhur.

Një marrëveshje, qoftë edhe e ndërmjetme, në këtë pikë do të bënte të domosdoshme angazhimin e përgjegjësisë shtetërore të Serbisë në procesin e dialogut. Dhe angazhime të qenësishme, të matshme dhe të vërtetueshme në përmbajtje dhe në kalendar.

3) Në mungesë të një shtyrje të dakortësuar me përgjegjësi dy-palëshe, realizimi i shtyrjes, në përgjegjësi shtetërore të Republikës së Kosovës, është kryer përmes një procesi të përshkallëzuar (qortim, gjobitje, ndalim)

Ndërkohë që opinioni i brendshëm dhe i jashtëm vazhdon të zërojë «shtyrje …», shtyrja e kërkuar është përmbushur, me përgjegjësi shtetërore të Republikës së Kosovës, dhe pa marrëveshje dy-palëshe.

Përmes përshkallëzimit dhe shtrirjes në kohë të masave shtrënguese – (qortim, gjobitje, ndalim) – në tre faza të veçanta kohore, të cilat shtrihen deri në pranverën e ardhshme.

Siç tregoi, së voni, Kryeministri i Kosovës, ky afat pranveror ishte, pak a shumë, edhe ai i parashikuar në përgjegjësinë e Bashkimit Europian, në rolin e këtij të fundit si ndërmjetës.

Pra duhet vënë re me shumë kujdes : se shtyrja e kërkuar është përmbushur, pa e dëmtuar vënien në afat të procesit të bisedimeve!

Shtyrja e «çështjes së targave» – aq më tepër kur nuk e ka kërkuar – i intereson Serbisë jo për të përftuar ndonjë afat shtesë a kohë të dobishme për të çuar përpara procesin e bisedimeve.

Por për të anashkaluar ose për të nxjerrë jashtë loje çdo lloj afati dhe çdo lloj angazhimi kohor nga i gjithë procesi i bisedimeve.

Ndërkohë që për Serbinë politike çdo kohë e humbur është kohë e dobishme në dështimin e procesit, anasjelltasi çdo kohë e humbur është në dëm të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe të atyre europianë. E madje edhe të qytetarëve të sotëm serbë që, nesër, do të duhet të jetojnë në një Serbi të ardhme me fytyrë europiane.

Lexo më shumë  “Der Spiegel”: Borrell zemëron Berlinin pasi u përpoq ta shpërblejë me post një këshilltar të tij

4) Dalja e Serbisë nga pozitat e neutralitetit është dëshmi edhe për synimet e qëndrimet e Serbisë në procesin e dialogut

Duke penguar Kosovën të veprojë në territor të vet – përmes procesit të dorëheqjeve – Serbia ka dalë nga pozitat e neutralitetit.

Këto dorëheqje të njëpasnjëshme i përgjigjen një vullneti politik, por nuk i përgjigjen një shkakësie që do të mund të rëndonte mbi qeverinë e Kosovës.

Serbët e vetë-larguar nga detyrat që u sigurojnë dhe u garantojnë pozitën e tyre bashkësinore, nuk po luftojë për të arritur në këto pozita.

Vullneti politik që ka sjellë në daljen nga pozitat e neutralitetit, ndër shumë të tjera, dëshmon edhe për qëndrimin e vërtetë të Serbisë ndaj procesit të bisedimeve dhe në procesin e bisedimeve:

Serbia nuk ka interes në objektin e bisedimeve, por i intereson procesi i bisedimeve si kohë-humbje, që i dobëson dhe i dëmton të gjithë aktorët, edhe ata ndërmjetësues.

Të gjitha përpjekjet e Serbisë duken se rreken që ta nxjerrin procesin e bisedimeve nga llogjika dhe ecuria e brendëshme e këtij procesi. Dhe synojnë tek marrja, si përfitim politik i palës së painteresuar, e kohës së padobishme për këtë proces.

Në rrugën drejt kësaj kohë-humbje dhe drejt zvetënimit përfundimtar të kuptimshmërisë së bisedimeve, Serbisë ia ka anda të ketë në krahun e vet sa më shumë opinion dhe sa më shumë aktorë.

5) Pa afat humbet objekti, pa afat humbet kuptimi i bisedimeve

Nëse procesi i bisedimeve nuk do të vendoset në afate, nëse nga afatet do të dilet në mënyrë të pakontrolluar, të padakortësuar dhe të padobishme, procesi i bisedimeve – edhe sakaq i pakuptimtë – do të humbasë përfundimisht objektin dhe kuptimin e vet. Dhe dikur do të tregohet për hajgare.

Nëse pa afat dhe pa objekt, Kosova dhe Serbia mund të bisedojnë përjetësisht, në mënyrë kaotike dhe anarkike, duke lënë mënjanë nevojën për qeverisje.

Rruga Press

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

AlbanianEnglishFrenchGermanItalianPortuguese