Pavijoni i Kosovës në Venecia merr vëmendje nga politikanë evropianë
Një numër ministrash të kulturës nga disa shtete evropiane kanë vizituar Pavijonin e Ukrainës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Me ftesë të ministrit italian të Kulturës, Dario Franceschini, ata kanë qëndruar te Pavijoni i Ukrainës në shenjë solidariteti e mbështetjeje për këtë shtet, që prej fundit të shkurtit po përballet me agresionin rus. Pavijoni Ukrainës është krahas atij të Kosovës në hapësirën ekspozuese arsenale.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, të dielën ka njoftuar se disa ministra të kulturës kanë vizituar Pavijonin e shtetit më të ri të Evropës që sivjet përfaqësohet nga artisti Jakup Ferri me “Monumentalitetin e përditshmërisë”.
“Kisha kënaqësinë dhe nderin e veçantë që në Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venecias të mirëpres Dritan Abazoviq, zv. kryeministër i Malit të Zi, Elva Margariti, ministre e Kulturës e Shqipërisë, Alain Berset, ministër i Kulturës i Zvicrës, Andrea Mayer, sekretare shteti e Ministrisë së Kulturës së Austrisë, Vasko Simoniti, ministër i Kulturës i Sllovenisë dhe Manuel Frick, ministër i Kulturës i Lihtenshtajnit”, ka shkruar Çeku në Facebook. Sipas tij, në ditët e para pas hapjes në Pavijonin e Kosovës shumë personalitete të politikës, artit e diplomacisë nga e gjithë bota kanë vizituar punimet e Ferrit.
Prej ditës së enjte deri më 27 nëntor të këtij viti vizitorët e ngjarjes më të madhe të artit bashkëkohor në botë mund t’i shohin veprat që në Bienale nëpërmjet thjeshtësisë ndërlidhin jetën njerëzore dhe në mënyrë të hollë bëjnë thirrje për paqe. Kombinimi i pikturave me tapiceri dhe mbulimi i dyshemesë me qilima e bëjnë Pavijonin e Kosovës në “Sale d’armi” të Arsenales vibrant, siç është përshkruar qysh para hapjes.
“Monumentaliteti i përditshmërisë” i shkon fort për shtat edhe temës qendrore të sivjetme, “The milk of dreams” (Qumështi i ëndrrave). Veprat shumëngjyrëshe të Ferrit, pos të tjerash, prekin edhe ëndrrat.
Është njëfarë rrëmuje urbane dhe jo vetëm, e nxjerrë në stilin e artistit Jakup Ferri. Njerëz që ecin, luajnë, sodisin e kafshë të ndryshme që përbëjnë mozaikun e jetesës, zënë vend te veprat e Ferrit të cilat mbi të gjitha paraqesin shpresë. Harmonia që shfaqet në Pavijonin e Kosovës, të kuruar nga gjermania Inke Arns është në kontrast me pavijonin fqinj, atë të Ukrainës.
Në herën e pestë me radhë kur Kosova inauguroi Pavijonin në ngjarjen më të madhe të artit bashkëkohor në botë, hapësira ishte e mbushur plot. Kryesisht me vizitorë nga Kosova, por edhe të huaj. I pranishëm qe edhe presidenti i Bienales, Roberto Cicutto. Hapësira ku shtrihen veprat e Ferrit është përgatitur nga studioja “Nitsche” dhe ka marrë pak a shumë formën e një nëndetëseje.
Siç ka shpjeguar kuratorja Inke Arns në një tekst të saj kuratorial, Ferri i prezanton pikturat, qëndisjet dhe qilimat në një instalacion të madh specifik për lokacionin. Sipas saj, shumë prej vizatimeve të Ferrit, në të cilat janë të vendosura qëndisjet dhe pikturat, tregojnë skena të përditshmërisë që përfshijnë kafshë, fëmijë, akrobatë, muzikantë dhe aktivitete sportive, si noti, zhytja dhe çiklizmi.
“Dhe pastaj është ky aspekt i gjuhës popullore që kthehet në surrealitet ose magji, si kafshët që flasin ose bëjnë muzikë, njerëzit që kthehen në zogj, njerëzit që bëjnë muzikë për kafshët apo edhe bëhen kafshë ose krijesa hibride. Shumë shpesh ka ndërlidhje poetike ndërmjet njerëzve, kafshëve dhe objekteve, të cilët e shikojnë njëri-tjetrin dhe kështu krijojnë vija të shikimit – si dialogë të heshtur – duke sugjeruar mënyra të reja potenciale të bashkëpunimit dhe komunikimit”, ka shkruar kuratorja gjermane.
Sa i përket përfaqësimit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie, gjithçka kishte filluar më 2013. Asokohe Petrit Halilaj kishte paraqitur instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”.
Rruga Press