Bota

Putini do të pushtojë një shtet tjetër pas Ukrainës? 5 ekspertët japin alarmin

Nga Brendan Cole “Newsweek

Sugjerimi i një komandanti të ushtrisë ruse, se Moska dëshiron që të krijojë një korridor përmes Ukrainës Jugore për në Transnistria, ka shtuar spekulimet se Vladimir Putin do ta zgjerojë pushtimin e tij në vende të tjera të Evropës.

Deklarata e së premtes nga komandanti në detyrë i Qarkut Ushtarak të Rusisë Qendrore, Rustam Minnekaev, ishte një tregues i mundshëm i qëllimeve që ka Moska, dhe e ka përfshirë enklavën separatiste në një diskutim të zjarrtë rreth asaj që mund të bëjë më pas Putini.

Megjithëse Transnistria shtrihet brenda kufijve zyrtare të Moldavisë, kryeqyteti Kishinau nuk ka kontroll de fakto mbi republikën separatiste rusisht-folëse, që shtrihet midis lumit Dniester dhe kufirit Moldavi-Ukrainë. Pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, Transnistria  shpalli pavarësinë e saj nga Moldavia, duke shkaktuar trazira të dhunshme dhe ndërhyrjen e ushtrisë ruse.

Rreth 1.500 trupa ruse kanë mbetur atje si “paqeruajtës”, dhe ndërsa Moska nuk e njeh pavarësinë e saj, ky konflikti i ngrirë është një mjet i dobishëm përmes të cilit Kremlini mund ta pengojë Moldavinë të kërkojë lidhje më të ngushta me NATO-n dhe BE-në.

Presidenti ukrainas Volodymr Zelensky tha se komenti i Minnekaev, ishte një sinjal se pushtimi i Ukrainë ishte vetëm “fillimi”, dhe se “më pas, duan që të pushtojnë edhe vende të tjera”. Por ka jo pak dyshime nëse do të ishte i arritshëm kontrolli i Transnistrias nga Moska, duke qenë se ushtria nuk ka arritur të përparojë me sukses në Ukrainën Jugperëndimore.

Ndërsa nuk dihet nëse pikëpamjet e Minnekaev pasqyrojnë ato të Kremlinit zyrtar, disa analistë kanë shprehur dyshimin nëse Rusia ka kapacitetin për këtë lloj ofensive. Revista amerikane “Newsweek” pyeti 5 ekspertë mbi këtë çështje.

Stefan Wolff, profesor i sigurisë ndërkombëtare në Universitetin e Birmingem, Britani:

Kjo është një mundësi e qartë, në kuptimin që do t’i përshtatej strategjisë së Putinit për të rindërtuar sa më shumë të jetë e mundur ish-Bashkimin Sovjetik si një sferë të ndikimit rus, dhe si një bazë për statusin e fuqisë së madhe të Rusisë. Ajo që ka ndodhur në Ukrainë që nga viti 2014, dhe ajo që ka ndodhur në të kaluarën në Gjeorgji, i përshtatet një qasje që bazohet në aneksimin e territorit kur janë ezauruar të gjithë format e tjera të ndikimit mbi vendet fqinje.

Lexo më shumë  E modifikuan duke shpresuar se nuk do të arrijnë ta shkatërrojnë, tanku rus “shkeli” në minat ukrainase

Që kjo gjë të funksionojë në Moldavi, Putinit i duhet një urë tokësore, të cilën ai mund të përpiqet ta krijojë tani. Sigurisht, rusët kanë nevojë për aftësitë e duhura ushtarake për ta arritur këtë. Për momentin, nuk duket se ata po bëjnë shumë përparim në frontin e betejës, madje as në Donbas.

Gjithsesi, perspektiva e realizimit të të ashtuquajturave objektiva të fazës së dytë, është tepër shqetësuese, pasi do ta afronte konfliktin shumë më afër kufijve të NATO-s. Ajo mund ta bindë Putinin se duhet të përpiqet të arrijë me forcë atë që nuk e pranoi NATO pas propozimeve të dhjetorit 2021 nga ana e Moskës.

David Rivera, ndihmës/profesor mbi çështjet qeveritare në Kolegjin Hamilton, Nju Jork:

Disa nga shqetësimet dhe justifikimet e bëra publike nga Kremlinit për pushtimin e Ukrainës, pra mbrojtja e rusëve etnikë dhe rusisht-folësit nga shtypja kulturore dhe gjuhësore,  mund të zbatohen lehtësisht edhe për rajonin e Transnistrias në Moldavi.

Ne do të mësojmë nëse Moldavia është e rrezikuar të pushtohet nëse Kremlini do të nisë të akuzojë qeverinë moldave për “gjenocid” kundër popullsisë së Transnistrias. Edhe pse këto akuza nuk janë bindëse për askënd jashtë Rusisë, ato gjenerojnë mbështetje tek qytetarët e  Federatës Ruse.

William Muck, profesor i shkencave politike, Kolegjin i Veriut Qendror, Ilinois, SHBA:

Nëse Rusia do të krijojë një korridor tokësor përmes Ukrainës, Putini do të drejtohet me siguri drejt Transnistrias. Pasi pësoi një disfatë poshtëruese në dyert e Kievit, Putini është tani i detyruar të ribëjë llogaritë dhe të gjejë një justifikim të ri për pushtimin. Një urë tokësore që bashkon rusët anembanë Ukrainës dhe Moldavisë, do t’i siguronte Putinit justifikimin e duhur para rusëve.

Lexo më shumë  Baerbock: Mbrojtja ajrore e Ukrainës prioritet absolut

Në një farë mënyre, Putini është peng i propagandës së tij që ka radikalizuar segmente të mëdha të popullsisë ruse. Çdo gjë përveç fitores së lavdishme në Ukrainë, mund të rezultojë e rrezikshme për të ardhmen e tij politike. Ndaj mos u habitni nëse makineria e propagandës së Putinit, do të nisë të përmendi edhe Transnistrian në mesazhet e saj.

Alexander Montgomery, profesor i shkencave politike, Kolegji Rid, Portland, SHBA:

Që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, ka qenë e qartë se Rusia ka kërkuar ruajtjen e ndikimit mbi një numër rajonesh jashtë Rusisë. Prandaj një synim afatmesëm do të ishte lidhja e Transnistrias me Krimenë për të riformuar “Novorossiya” (Rusinë e Re), e cila nuk ekziston si njësi administrative prej të paktën një shekulli.

Duke pasur parasysh performancën ushtarake deri më tani, dhe gjendjen aktuale të ushtrisë

së saj të varfëruar, Rusia mund të mos jetë në gjendje të arrijë as qëllimet e saj afatshkurtra, dhe aq më pak ato afatmesme. Rusia ka treguar se është e paaftë të pushtojë dhe menaxhojë territore që ndodhen qindra kilometra larg territorit të saj.

Chris J.Dolan, politikolog, Kolegji i Luginës së Libanit, Pensilvani, SHBA:

Para pushtimit rus të Ukrainës në shkurt, nuk kishte gjasa që NATO ta pranonte Moldavinë në aleancë, pasi konflikti i ngrirë që ajo ka mund ta tërhiqte në një konflikt të hapur ushtarak me Rusinë. Por kjo mund të ndryshojë, ashtu siç kanë ndryshuar llogaritjet gjeopolitike për Finlandën dhe Suedinë.

Problemi i NATO-s, është se prania e trupave ruse në Transnistria, i jep mundësi Rusisë që t’i përdorë me shpejtësi forcat e saj ushtarake për të mbrojtur interesat e saj në Evropën Lindore, dhe të ruajë praninë e saj në emër të rusisht-folësve dhe pakicave. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *