Pas kthimit nga Franca, Vuçiqi do të propozojë rikthimin e denimit me vdekje në Serbi
Shkruan Sami Karagjozi
Ndërkohë që është sot në Paris, mes objektivave të tjera për të kundërshtuar dhe parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, autokrati i Serbisë, Vuçiqi menjëherë pas kthimit të tij në Beograd do të kërkojë rikthimin e dënimit me vdekje, ndaj kam 2 pyetje:
- A do të kujtojë Presidenti Macron trashëgiminë e Robert Badinterit (Robert Badinter ishte një avokat, politikan dhe autor francez që miratoi heqjen e dënimit me vdekje në Francë në vitin 1981, ndërsa shërbente si Ministër i Drejtësisë nën François Mitterrand) gjatë vizitës shtetërore të sotme dhe të nesërme?
- A është i vetëdijshëm Vuçiqi se çfarë është Këshilli i Evropës?
Vuçiqi do t’i kërkojë qeverisë të marrë në konsideratë rikthimin e dënimit me vdekje
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se pas kthimit nga Parisi do t’i dërgonte një kërkesë me shkrim Qeverisë për të marrë në konsideratë dërgimin në Kuvend të ndryshimeve dhe amendamenteve në Kodin Penal, të cilat parashikojnë dënim me vdekje për vrasësit si ata që vranë 2 vjeçaren Danka Iliq apo ata që kanë kryer të njëjtat krime nëpër shkolla në Serbi.
Ai tha se po avokon dhe po kërkon nga Qeveria që të diskutojë këtë çështje me Këshillin e Evropës, për të parë nëse është e mundur të rifutet dënimi me vdekje, por pa pësuar pasoja apo ndëshkim për këtë Serbia. “Kërkesën me shkrim do ta përsëris sapo të kthehem nga Parisi dhe do t’ia dërgoj Qeverisë së Serbisë, kështu që pasi të formohet Qeveria të mund ta marrin parasysh nëse do ta paraqesin një propozim të tillë në Asamblenë Kombëtare me ndryshimet dhe amendamentet në Kodin Penal apo jo”, tha ai për TV Informer. Megjithatë, Vuçiqi tha gjithashtu se kundërshtarët e dënimit me vdekje kanë një shpjegim racional ku ekziston mundësia që të dënohet një person me vdekje dhe të ekzekutohet dënimi, dhe pastaj në 10, 20 apo 30 vjet të kuptohet se ka qenë një gabim, “është një mëkat shumë më i madh se sa të ndëshkosh dikë me një dënim më të butë një mijë herë“.
Rruga Press