KryesoreLajme

Pas Dhomës Amerikane të Tregtisë edhe Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë kundër amnistisë fiskale në Shqipëri

Pas Dhomës Amerikane të Tregtisë, është shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) që del kundër amnistisë fiskale.

“Aprovimi i këtij ligji të vetëm do të realizonte disa të ardhura të shpejta në buxhetin e shtetit në terma afatshkurtër, por në terma afatgjata do të sillte gjithashtu me vete efekte negative, si nxitja e bizneseve formale për të kaluar në informalitet me shpresën e një amnistie të dytë fiskale,” thuhet në njoftimin për mediat.

“Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është “Tatimi i posaçëm” në nenin 16 të Projektligjit. Një tatim kaq i ulët (5%, 7% dhe 10%) për formalizimin e parave dhe aseteve të pa deklaruara, jo vetëm që është i padrejtë kundrejt bizneseve që kanë paguar detyrimet e tyre në kohën e përcaktuar nga legjislacioni në fuqi me një përqindje shumë herë më të lartë, por njëkohësisht do të nxisë informalitetin në të ardhmen,” thuhet më tej në deklaratë.

Projekti për amnistinë fiskale është shpërndarë për konsultim nga qeveria që thotë se emigrantët shqiptarë kudo në botë kanë të drejtë të sjellin në Shqipëri paratë e tyre.

Por kufiri i lartë i shumave të padeklaruara të parave, deri në 2 milionë euro ka ngritur dyshime se nisma nuk do të krijojë lehtësi për emigrantët e ndershëm, por për ata që kanë pasur fitime nga trafiku i drogës, shfrytëzimi i prostitucionit apo aktivitete të tjera kriminale jashtë vendit.

Komisioni Evropian është shprehur kundër nismës, që nxit pastrimin e parave të pista, ndërkohë, Dhoma Amerikane dhe Shoqata Gjermane kujtojnë se kritikat e viteve të shkuara për amnistinë fiskale nuk janë marrë parasysh.

Lexo më shumë  Kryeministri në ardhje i Serbisë: Do të mbajmë miqësinë me Kinën e Rusinë, nuk vendosim sanksione për luftën ruse në Ukrainë

Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm kundër amnistisë fiskale në Shqipëri

Kundër draftit të Qeverisë për Amnistinë Fiskale dhe Penale është edhe Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm.

Kryetari i kësaj shoqate, Albert Nasto, nuk ka kursyer kritikat, teksa thotë se nisma do t’u shërbejë interesave të krimit, korrupsionit, evazionit fiskal, informalitetit dhe pastrimit të parave të pista dhe jo qytetarëve të zakonshëm.

“Në vendet në zhvillim amnistitë bëhen me transparencë maksimale, duke u konsultuar edhe me grupet e ndryshme të interesit, pra, është një proces gjithëpërfshirës.  Një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani me projektligjin e qeverisë, i cili ende nuk është përfundimtar dhe nuk ka për të qenë me këtë qeverisje e cila mbron interesat e oligarkëve. Projektligji u shërben interesave të krimit, korrupsionit, evazionit fiskal, informalitetit, pastrimit të parave të pista, përfshirjes me anë të ligjit të vjedhjeve dhe abuzimeve të miliarda eurove me koncesionet apo PPP-të dhe formave të tjera të abuzimit financiar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.“

“Prej kësaj nisme mund të amnistohen vetëm parat e pista të ndoshta miqve dhe shokëve të kësaj qeverie, që është një ndër më të korruptuarat në rajon e më gjerë dhe as që mund të bëhet fjalë për të amistuar paratë e emigrantëve, të cilët kanë punuar në të zezë në vende të ndryshme të Europës dhe botës. Nuk ka nevojë të jesh ekonomist për të kuptuar që nuk mund të ketë punëtorë me paga të tilla që të bësh 2 milionë euro pasuri edhe nëse pagën e shumëzon me 30 vite punë”, pohon Nasto. Ndërsa akuzon qeverinë për mungesë transparence mbi këtë nismë të rikthyer, dy vite pasi u tërhoq, Nasto thotë se kostot e saj janë të mëdha. Amnistia, sipas tij, do të shkatërrojë tregun dhe konkurrencën e lirë.“

Lexo më shumë  “Reporterët Pa Kufij”: Shqipëria e fundit mes vendeve të Ballkanit për lirinë e medias

“Ky projekt i shërben vetëm një pjese shumë të vogël qytetarësh, të cilët mund të numërohen me ditët e një muaji dhe aspak me pjesën e qytetarëve të zakonshëm. Deri më tani nuk është konsultuar as me qytetarët, as me biznesin dhe ka 0 transparencë mbi qëllimin e vërtetë dhe impaktin në buxhet dhe ekonomi. Ne gjykojmë që kjo amnisti do të shkatërrojë tregun dhe konkurrencën e lirë dhe të ndershme, ndaj s’duhet të miratohet, sepse demet që do të sjellë janë të shumta, ndërsa përfitimet janë minimale apo të papërfillshme. E ritheksoj, qëndrimi ynë është që as që duhet mend-uar kjo lloj amnistie e jo më të bëhet ligj”, thekson më tej kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *