Lajme

Kurti për themelimin e Byrosë Shtetërore: Do të bëhet konfiskimi civil i pasurisë së pajustifikueshme

Pas votimit në lexim të parë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ka reaguar kryeministri Albin Kurti.

Sipas Kurtit, me miratimin e këtij projektligji, do të mundësohet konfiskimi civil i pasurisë, sipas tij pa dënim, nëse nuk mund të justifikohet.

“Me votimin e sotëm në lexim të parë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ecim bashkë drejt mundësimit të konfiskimit civil (pa dënim) të pasurisë që nuk justifikohet dot”.

Ai ka thënë se projektligji në fjalë do t’i marrë për bazë rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe do të jetë në përputhje me praktikat ndërkombëtare.

“Me rekomandimet e vlefshme të Komisionit të Venecias, ky Projektligj do të standardizohet plotësisht në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe, po ashtu, do ta rrisë efikasitetin e luftimit të korrupsionit, siç ka qenë zotimi ynë e për të cilin jemi maksimalisht të përkushtuar”, ka shkruar tutje kryeministri.

Lexo më shumë  Alimehmeti: Veliajt i çuan 3 fletëthirrje, tani thotë se shkoi me këmbët e veta në SPAK

Kurti i ka falënderuar deputetët e Kosovës edhe për votimin e Projekt-kodit të Procedurës Penale, i cili sipas tij,  po ashtu është në përputhje me praktikat dhe standardet evropiane.

Sipas kryeministrit, ky Projekt-kod, do të kontribuoj në ndëshkimet e rasteve korruptive.

“Projekt-kodi është hartuar në përputhje me praktikat dhe standardet më të avancuara ndërkombëtare i cili përveç përmirësimit të procedurave penale, do t’i kontribuojë tutje ndjekjes dhe ndëshkimit të rasteve korruptive. Një vëmendje të veçantë i është kushtuar të drejtave të palëve në procedurë, në veçanti të drejtave të palëve të dëmtuara apo viktimave”.

Lexo më shumë  Osmani e Konjufca bëjnë homazhe për ish-deputetin Ali Lajçi

Ndërkaq Projektligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë, i miratuar poashtu sot, sipas Kurtit parasheh reformimin e pakos së ligjeve anti-korrupsion dhe avancimin e këtij segmenti të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë.

“Përmes këtij Projektligji do të mundësohet krijimi i një klime ku parandalohet dhe luftohet korrupsioni dhe pasurimi i paligjshëm”.

Në fund, Kurti seancën e së enjtes e ka konsideruar si të suksseshme, duke e përmendur edhe projektligjin për Vettingun, për të cilin tha se duhen konsultime me partitë opozitare.

“Me fjalë të tjera, ishte një seancë e suksesshme në të cilën më së paku kishte rëndësi sa kujt i dukesha i rrezitur unë. Ndërkohë, procesi i vettingut në sistemin e drejtësisë është një çështje tjetër, dhe konsultimet me partitë opozitare për të sigurisht që duhet të vazhdojnë”, tha ai.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *