KryesoreOpinion/Aktualitet

Pas dështimit të Serbisë për spastrim etnik përfundimtar në Kosovë në 1999-ën, elita politike në Serbi ka pasur vetëm një qëllim: NDARJEN E KOSOVËS

Nga Donik Sallova

1. Përmes Konferencës së Rambujesë, Serbia arriti ta parandalonte ushtrimin e të drejtës së Kosovës për vetëvendosjes në kuadër të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Pavarësisht se në fund e refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes dhe u bombardua nga NATO-ja (si intervenim humanitar), Serbia arriti që akordet e Rambujesë mbi stasusin e Kosovës t’i bënte pjesë të Rezolutës 1244. Lufta e 1998-1999 duhet të përfundonte jo vetëm me çlirim nga Serbia, por me pavarësi të menjëhershme, sepse Kosova ishte njësi konstituive e një shteti që u shpërbë. Pra, Serbia e parandaloi çlirimin e plotë të Kosovës, sepse ne përfunduam nën administrim të OKB-së dhe jo shtet sovran siç ishim deklaruar me Referendum.

2. Përmes pjesëmarrjes në negociatat e Vienës, Serbia arriti të parandalonte ndërtimin e Kosovës si shtet shqiptar, ashtu siç ishte projektuar në Kushtetutën e Kaçanikut. Pavarësisht se në fund nuk e nënshkroi marrëveshjen përfundimtare, Serbia arriti që përmes kompromiseve të bëra nga shqiptarët gjatë negociatave të ndryshonte natyrën e shtetit të Kosovës nga shtet shqiptar në shtet multietnik. Edhe pse nuk e njohu shtetin ahtisaarian multietnik, Serbia i rriti dhe i shenjoi etnikisht interesat e veta në Kosovë përmes decentralizimit etnik (nga 5 i bëri 10 komuna serbe) dhe vetos se vendeve të rezervuar të serbëve në Kuvendin e Kosovës, si “gardianë” të një kushtetute që e ndalon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe çdo identifikim tjetër me shqiptaren.

Lexo më shumë  Taravari-Peter Vanhoutte: Rruga evropiane e RMV-së do të jetë në duar të sigurta

3. Përmes negociatave të Brukselit për të ashtuquajturin proces të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Serbia arriti ta faktorizonte veten politikisht në qeverisjen e Kosovës. Pavarësisht marrëveshjeve të arritura, shumica e të cilave nuk janë zbatuar nga Serbia, ajo ia ka arritur që në opinionin publik ndërkombëtar ta krijojë përshtypjen që statusi i Kosovës nuk është mbyllur dhe çështja e Kosovës nuk mund të mbyllet pa u pajtuar Serbia.

4. Pas dështimit të Serbisë për spastrimin etnik përfundimtar të Kosovës nga shqiptarët në vitin 1999, elita politike në Serbi ka pasur dhe ka vetëm një qëllim: NDARJEN E KOSOVËS. Kërkesa për Asociacionin e Komunave Serbe është në vazhdën e përpjekjeve të Serbisë për t’i ndarë institucionalisht, administrativisht dhe politikisht “territoret serbe” brenda Kosovës, duke e themeluar kështu një subjektivitet politik serb brenda Kosovës, një etnitet politik autonom i cili nuk ka ekzistuar ndonjëherë e as nuk ka arsye të ekzistojë. Kërkesa e Serbisë për Asociacionin nuk mbështetet mbi ndonjë argument të pamjaftueshmërisë të të drejtave të serbëve në Kosovë, sepse ata gëzojnë çdo të drejtë në shtetin e Kosovës. Serbia e do Asociacionin që ta forcojnë bindjen tek serbët e Kosovës se territoret ku ata banojnë në Kosovë do të kontrollohen edhe më shumë nga Beogradi drejt shkëputjes përfundimtare.

Lexo më shumë  Cila është brigada më e fuqishme e Ukrainës të cilën pritet ta furnizojë Pentagoni?

5. Argumenti se duke u dhënë më shumë të drejta vetëqeverisëse serbëve kjo do të çojë në integrimin e tyre brenda sistemit politik të Kosovës tashmë është i rrëzuar. Decentralizimi etnik i zbatuar në Kosovë si kompromis i Pakos së Ahtisaarit, duke krijuar komuna serbe krejtësisht në mënyrë artificiale dhe duke u dhënë kompetenca të zgjeruara, nuk ka prodhuar lojalitet të serbëve ndaj shtetit të Kosovës, por e ka rritur përmasën e enklavës politike si instrument në duart e Beogradit.

6. Pas dështimit të Millosheviqit për spastrimin etnik të Kosovës përmes gjenocidit, elita politike serbe ka qenë e bashkuar në mohimin e të drejtës së Kosovës për shtetësi. Nga Gjingjiqi tek Koshtunica, nga Tadiqi tek Nikoliqi, nga Daçiqi tek Vuçiqi të gjithë kanë synuar që përmes mohimit të Kosovës, mosnjohjes dhe instrumentalizimit të serbëve brenda Kosovës, të imponojnë ndarjen e Kosovës. Asociacioni është faza e parafundit e këtij qëllimi hegjemonist të një Serbie që nuk është dënuar, por është mirëkuptuar nga bashkësia ndërkombëtare për ndërtimin e modelit të një Rusie të Vogël në Ballkanin Perendimor, si në ambiciet territoriale ndaj fqinjëve, ashtu edhe në modelin autokratik të shtetit!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *