“Paratë i mori jashtë një restoranti”- Zbardhet dosja e McGonigal, takimet me Ramën

Zëri i Amerikës ka zbuluar të tjera detaje nga hetimi i ish zyrtarit te lartë te kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, arrestuar të shtunën nga autoritetet amerikane. Ai pritet të dalë gjate ditës së sotme para gjykatës ne Washington

Charles McGonigal ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 dhe ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.

Sipas aktapadisë, lidhjet e tij kryesore me Shqipërinë janë mbajtur përmes ish-zyrtarit shqiptar të shërbimeve sekrete, që në akt-akuzë identifikohet si Personi A.

Akt-padia e bërë publike dje nga gjykata në Uashington nuk e identifikon më tej Personin A. Por, në bazë të një njoftimi tjetër të shtypit amerikan, në shtator të vitit të kaluar, ku njoftohej se ish zyrtari i FBI-së McGonigal ishte nën hetime, portali “Business Insider” boton kopjen e një dokumenti të jurisë së madhe, ku në listën e atyre, që do të thirreshin për të dëshmuar, figuron shtetasi Agron Neza, shqiptaro-amerikan, që dekada të shkuara ka punuar për shërbimet inteligjente të Shqipërisë.

Personi i dytë nga Shqipëria, i lidhur me ish zyrtarin e FBI-së, identifikohet në akt-padi si Personi B, i cili “ishte një shtetas shqiptar, i punësuar nga një konglomerat kinez energjie. Personi B shërbente si një këshilltar jozyrtar i Kryeministrit të Shqipërisë, i cili kishte një llogari emaili dhe pasaportë zyrtare të qeverisë shqiptare dhe ka qënë ish-zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare.”

Sipas dokumentit të akuzës, gjatë një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017, “më 9 shtator i pandehuri McGonigal u takua me kryeministrin shqiptar [Edi Rama] Me kërkesë të Personit A [Agron Neza] ai i bëri thirrje kryeminisrit të kishte kujdes dhe të mos i jepte liçenca për kërkime nafte në Shqipëri një kompanie ruse guackë. Personat A dhe B kishin interesa financiarë nga vendimi i qeverisë shqiptare. I pandehuri McGonigal i dha kryeministrit një suvenir të FBI-së në prani të personit B”.

Lexo më shumë  Erdogan premton mbështetje për Kosovën në integrimin evropian dhe NATO

Është e paqartë se përse kryeminstri është takuar me një zyrtar të lartë të FBI-së në prani të personave privatë.

Sipas akt-padisë, ishte pas këtij udhëtimi në Shqipëri në shtator që “i pandehuri McGonigal ka mbajtur një miqësi të vazhdueshme me Kryeministrin [Rama].”

Sipas akt-akuzës, nga shtatori 2017 deri në mars 2018, McGonigal dhe Kryeministri Rama janë takuar 4 herë në Shqipëri dhe në SHBA.

Më 5 tetor 2017, sipas akt-padisë, “jashtë një restoranti, në një makinë të parkuar në Nju Jork, McGonigal mori afro 80 mijë dollarë kesh nga Personi A. Po atë vjeshtë ai mori edhe dy pagesa të tjera nga Personi A në shumat 80 mijë dollarë dhe 65 mijë dollarë në rezidencën e banorit A. McGonigal i la të kuptohej Personit A se paratë do t’ia kthente.”

“Më 19 nëntor i pandehuri takohet me Personin B për darkë dhe një ditë më pas më 20 nëntor takohet me kryeminsitrin”, sipas akt-padisë.

Menjëherë pas kthimit nga Shqipëria, më 25 nëntor, McGonigal informon Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë, me të cilin takoi politikanin-biznesmen në Austri, për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm “për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama”. Sipas akt-padisë, një ditë më herët McGonigal kishte marrë informacion për këtë lobist nga Personi B.

Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare. Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, dokumentet mbi aktivitetin lobues për llogari të PD-së, i cili më pas është bërë subjekt hetimi në Shqipëri

Lexo më shumë  Kurti: Në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar

Në akt-padinë ndaj McGonigal, përmendet se në dhjetor të vitit 2017 ai është takuar në Uashington me personin A dhe zyrtarë të qeverisë shqiptare dhe në Nju Jork me Personin A dhe kryeministrin Rama.

Më 4 janar 2018, sipas akt-akuzës, McGonigal mori informacion për lobistin amerikan nga Personi A dhe të nesërmen ia dërgoi informacionin një agjenti tjetër të zyrës së FBI-së në Nju Jork.

Më 22 janar ai mori përsëri informacion nga Personi A për lobistin dhe ia dërgoi një vartësi. Personi A, sipas akuzës e kishte marrë informacionin nga zyra e Kryeministrit të Shqipërisë.

Sipas akt-padisë “më 26 shkurt 2018, zyra e FBI-së në Nju Jork hap zyrtarisht hetime të përqendruar tek lobisti amerikan me kërkesën dhe nën udhëzimin e zotit McGonigal. Më pas Personi A u identifikua si burim konfidencial në mbështetje të hetimit. Personi A i ka ofruar informacione zyrës së FBI-së në Nju Jork gjatë hetimit.”

Po sipas akt-padisë “Më pas Personi B ndihmoi në organizimin e një takimi mes zyrës së FBI-së në Nju Jork dhe dëshmitarëve në Evropë, duke paguar mes të tjerash për shpenzime udhëtimi të dëshmitarëve”.

Akt-padia tjetër ndaj ish zyrtarit të lartë të FBI-së ka lidhje me ndihmën për oligarkun rus, , në shkelje të sanksioneve amerikane. Aktiviteti i tij në favor të miliarderit rus është zhvilluar pasi ishte larguar nga FBI-ja. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me një ish diplomat rus, Sergey Shestakov, që tashmë punonte si përkthyes për miliaderin rus Oleg Deripaska.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

AlbanianEnglishFrenchGermanItalianPortuguese