Bota

Para zgjedhjeve ringjallet debati për pushimin me pagesë

Mbështetësit e kamotshëm të pushimit të lehonisë dhe mjekësor po përpiqen të sigurohen që prioriteti i shumëkërkuar i demokratëve të mbetet në një projektligj madhor për shpenzime shoqërore dhe mjedisore pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e ringjalli atë. Mirëpo rezultati ka gjasa të arrihet vetëm me mbështetjen e një njeriu.

Një demokrat i Senatit, i cili po kundërshton pushimin me pagesë në pakon e shpenzimeve është senatori i Virxhinias Perëndimore, Joe Manchin, një i moderuar që ka përdorur ndikimin e tij në dhomën e ndarë në mënyrë të barabartë për t’i larguar disa nga propozimet më ambicioze dhe më të kushtueshme të politikës së partisë së tij.

Fushata

Përmes reklamave televizive, bisedave private në Senat – madje edhe një banderolë në një lojë futbolli të Virxhinias Perëndimore – demokratët e përkrahësit po i luten Manchinit që ta mbështesë propozimin e pushimit me pagesë në legjislacionin më të gjerë prej 1.85 miliardë dollarësh. Përpjekjet pritet të intensifikohen gjatë këtyre ditëve derisa Dhoma është në përgatitje të miratojë projektligjin masiv dhe ta dërgojë atë në Senat.

“Për hir të punëtorëve në Virxhinian Perëndimore, bizneseve që i punësojnë ata, dhe për një rimëkëmbje ekonomike që funksionon për të gjithë, senatori Joe Manchin duhet t’i ketë në rend të parë kalimin e ligjit për pushimin e lehonisë dhe pushimin mjekësor tani”, është dëgjuar në reklamë nga një radio e shtetit.

Nuk ka ende shenja se përpjekjet kanë hyrë në punë për Manchinin, e shumë demokratë janë pesimistë për fatin e propozimit për pushimin me pagesë. Të dielën, sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, ka sqaruar për CBS: “Face of the Nation” që përderisa ajo dhe presidenti Joe Biden e mbështesin dispozitën, “duket se nuk do të jetë pjesë e kësaj pakoje”.

Propozimi i pushimit me pagesë do ta sillte Amerikën në një rresht me vendet më të pasura të botës, të gjitha prej atyre që ofrojnë një lloj pushimi. Do t’u jepte prindërve të rinj, kujdestarëve dhe atyre që po shërohen nga sëmundjet e rënda katër javë pushim nga 12 javët që Biden i kishte propozuar fillimisht. Kjo do t’ua paguajë përkohësisht punëtorëve një pjesë te pagave të tyre, me të ardhurat më të ulëta që fitojnë përqindjen më të lartë të pagës së tyre.

Lexo më shumë  Shkaku i mbështetjes së Rezolutës për Srebrenicën, partia pro-serbe tani po e shantazhon qeverinë malazeze

Manchin nuk e ka kundërshtuar plotësisht programin. Mirëpo e ka bërë të qartë se ai mendon që nuk duhet të jetë pjesë e një projektligji aq të madh, duke i përmendur shqetësimet e kostos pothuajse 200 miliardë dollarëshe, si dhe pagesat afatgjate të sigurimeve shoqërore. Mbështetësit e programit kanë diskutuar se në fakt kjo do të rriste kthimin e pjesëmarrësve në punë dhe do të ndihmonte në rritjen e ekonomisë.

Khrista Messinger, një e varur nga opioidet që po shërohej në Virxhinian Perëndimore, e cila kishte përdorur pushimin me pagesë për të marrë ndihmë kur pësoi një përkeqësim gjatë pandemisë, ka qenë duke i dërguar emaile Manchin dhe udhëtoi në Washington për ta mbështetur atë.

Messinger, e cila punon për qytetin e Charleston, ka treguar për një intervistë se ndoshta sot nuk do të ishte gjallë nëse puna e saj nuk do t’ia ofronte pushimin me pagesë që të bëhej më mirë vitin e kaluar. Në një email dërguar Manchin, ajo ka theksuar se më shumë se 1,200 persona të Virxhinias Perëndimore vdiqën nga mbidoza në vitin 2020. I kërkoi ta mbante mend këtë numër, “sa herë që gjen arsye për qëndrueshmërinë afatgjate të këtij projektligji”.

Mesazhi

Dawn Huckelbridge nga “Paid Leave for All”, grup i cili po ndihmon në organizimin e përkrahësve për përpjekjet që po bëhen në shtetin e Manchinit, tha se mbështetësit po bëjnë “gjithçka që kemi në dorë” për t’u siguruar që projektligji i Senatit ta mbajë politikën nëse Dhoma e miraton atë. Pas një shtytjeje dekadash, “s’mund të jetë ky viti që ne do të dështojmë”, ka theksuar Huckelbridge.

Demokratët e Dhomës, me përkrahje të Bidenit, hoqën nga pakoja e shpenzimeve pushimin me pagesë në fund të tetorit, ngaqë qëndrimi i Manchinit tashmë ishte i qartë. Mirëpo Pelosi e vuri prapë në projektligj më 3 nëntor, një ditë pasi demokratët u përballën me humbjet në zgjedhje si në Virxhinia ashtu edhe në disa shtete të tjera. Hapi i saj bëri që demokratët ta tundnin kokën, pasi partia rrezikonte të humbte votuesit duke mos i zbatuar premtimet e forta që i kishin bërë gjatë fushatës.

Lexo më shumë  SHBA-ja, BE-ja dhe Britania thonë se “ndarja” në Bosnje është e pamundur

Pelosi i drejtoi një mesazh Manchinit, në të cilin thuhej se “me gjithë respektin për këndvështrimin që ai përfaqëson” ajo nuk pajtohej me të.

Pushimi me pagesë “përshtatet lehtësisht me kujdesin ndaj fëmijëve, shëndetin e shtëpisë” dhe të tjera prioritete që përfshihen në projektligj “e kanë mbështetjen e plotë të grupit tonë”, ka potencuar ajo.

Pas kësaj ringjalljeje, Manchini insistoi se “pajtohem për pushimin me pagesë”, por sugjeroi se duhej të bëhej jashtë projektligjit aktual për shpenzime, në legjislacion të veçantë dypartiak.

Partnerët demokratë e kanë shtyrë Manchinin me javë të tëra në përpjekje për ta marrë atë në bord, sidomos Sens. Patty Murrat nga Washingtoni dhe Kirsten Gillibrand nga New Yorku. Në tetor, Gillibrand ka treguar se në shumë bisedime që kishte me të, qytetari i Virxhinias Perëndimore ka bërë “pyetje të mira”, mirëpo “nuk ishte i përqendruar në specifika” të propozimit.

Murray ishte më e hapur, duke u sqaruar për gazetarët se “nuk do të lejojmë që një burrë t’u thotë të gjitha grave në këtë vend se nuk mund të kenë pushim me pagesë.”

Përkrahësit shpresojnë se propozimi për pushim me pagesë është shumë më i fortë tani që vdiq e u jetësua prapë nga Pelosi.

“Ky është një propozim që arrin të prekë çdo familje në Amerikë”, ka thënë Vicki Shabo nga Amerika e Re me prirje majtake. “Fakti që u hoq e u kthye prapë në vend na demonstron që ekzistojnë uria e vërtetë dhe nevoja për pushime me pagesë.”

Në Virxhinian Perëndimore mbështetësit mbajnë shpresë ta fitojnë vëmendjen e Manchinit dhe zgjedhësve të tij, të cilët jetojnë në një nga shtetet më të varfra.

Banderola e 30 tetorit te loja e futbollit e Mountaineers me mbishkrimin “pushim me pagesë për të gjithë” ende nuk dihet nëse është parë nga Manchini, një ish-qendërmbrojtës i skuadrës./KOHA.NET/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *