Lajme

Pakti Rama-Meloni/ Organizatat dalin kundër vendimit të Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese vendosi të hënën që protokolli ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj Italiane për ngritjen e një kampi emigrantësh në territorin shqiptar është “në pajtim me Kushtetutën” duke i hapur rrugë kështu ratifikimit të tij nga parlamenti.

Ratifikimi i protokollit nga parlamenti u pezullua me vendim të kësaj gjykate në dhjetor, vetëm disa orë para votimit në seancë plenare, pasi shumica socialiste e shqyrtoi dhe miratoi dokumentin e qeverisë brenda ditës në komisionet parlamentare, në mbledhje online dhe pa prezencën e opozitës.

Por, sipas gjykatës, masa e pezullimit bie automatikisht kur vendimi i saj përfundimtar të publikohet në Fletoren Zyrtare.

Marrëveshja për një qendër procesimi emigrantësh në Gjadër u firmos në fillim të nëntorit në Romë nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, pa transparencë dhe pa konsultim me Bashkimin Europian.

Lexo më shumë  Ola Xama: Gazetaria në Shqipëri është shumë e vështirë! Të respektohet liria jonë!

Sipas tekstit të marrëveshjes, pala shqiptare është angazhuar që të vendosë në dispozicion të qeverisë italiane territorin e vet për të ngritur kampe të ngjashme me burgjet si dhe të presë mijëra emigrantë nga vendet e treta për të paktën një periudhë 5-vjeçare.

Deputetët e opozitës i kërkuan kësaj gjykate anulimin e marrëveshjes si antikushtetuese dhe shkel të drejtat e njeriut.

Organizata ‘Qendresa Qytetare” e cilësoi vendimin e së hënës si jo transparent dhe një noterizim të kthimit të Shqipërisë në vend-parkim të tepricave të emigrantëve të Italisë.

Lexo më shumë  Euro prek një minimum të ri historik në tregun valutor në Shqipëri, zbret në 100.31 lekë

“Precedenti në raport me eksterritorialiteti po shihet me shqetësim edhe në Itali dhe Bashkimin Evropian, teksa u shpërfillën dy hallka të rëndësishme siç janë siguria dhe ekonomia”- thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Po ashtu, organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Amnesty International, e ka cilësuar këtë marrëveshje të paligjshme dhe të pazbatueshme.

Një grup prej 29 organizatash të tjera, të fokusuara ndër të tjera te të drejtat e njeriut, iu drejtuan qeverisë shqiptare në një letër të hapur duke kërkuar tërheqjen nga kjo marrëveshje, pasi sjell shkelje të këtyre të drejtave dhe ‘burgosje të padrejtë’./BIRN

Rruga Press

YouTube player