Pacolli: Nga viti i ardhshëm, Aeroporti “Adem Jashari” ofron ujë të pijshëm falas për udhëtarët
Të gjithë udhëtarët që shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, nga viti i ardhshëm do të kenë mundësi shërbimi me ujë të pijshëm falas.
Këtë e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, pas takimit që ka zhvilluar me Gökhan Açıkgöz, drejtor në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, si dhe Levent Kaylak, Drejtor i Përgjithshëm Operacional.
“Një vëmendje të veçantë në këtë takim i kemi kushtuar zbatimit të direktivave dhe standardeve të Bashkimit Evropian për sigurimin e qasjes në ujë të pijshëm. Në përputhje me këto direktiva, u ra dakord për krijimin e këndeve të dedikuara për të ofruar qasje në ujë të pijes papagesë që rrjedh nga kroi, një shërbim thelbësor që do të jetë i disponueshëm për të gjithë pasagjerët nga viti i ardhshëm”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka thënë se kjo nismë jo vetëm që rrit standardin e shërbimit, por lehtëson rimbushjen e enëve vetjake, duke ndihmuar drejtpërdrejt në zvogëlimin e mbetjeve plastike.
Rruga Press

