Osmani takon ndihmës sekretarin e NATO-s, diskutojnë për sigurinë në veri dhe hapat e deeskalimit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën ka takuar ndihmës sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus, dhe delegacionin përcjellës nga NATO dhe KFOR-i.
Siç ka njoftuar Zyra e Presidencës, gjatë takimit u diskutua me thellësi situata e sigurisë në veri të vendit dhe hapat për të deeskaluar tensionet e krijuara.
Presidentja Osmani ka shprehur falënderimin e saj ndaj Goffus për vizitën e tij dhe ka theksuar rëndësinë e pranisë së NATO-s në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
Ajo gjithashtu ka vlerësuar përkushtimin e thellë të Kosovës për partneritetin me NATO-n dhe kontributin e saj në sigurinë rajonale dhe globale.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj përgjegjësive tona si një partner i besueshëm i NATO-s, duke kontribuar aktivisht në sigurinë rajonale. Kosova do të vazhdojë të punojë ngushtë me NATO-n për t’i adresuar sfidat e sigurisë dhe promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Osmani.
Ndër të tjera, Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të tejkaluar sfidat aktuale dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit, duke punuar së bashku me partnerët ndërkombëtarë.
Ajo gjithashtu ka potencuar se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, siç ka treguar organizimi i zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.
Rruga Press