Lajme

Kronologjia/ Pse po ia mbyllin derën Ramës në Prishtinë

Për të justifikuar muajt e mjaltit me Vuçiçin dhe përkrahjen e një vizioni serb në Ballkanin Perëndimor, Edi Rama e ka veçuar gjithnjë marrëdhënien që ka me Albin Kurtin, nga ajo që ka me Kryeministrin e Kosovës. Për Albinin thotë se e ka mik, bisedat me të i përshkruan plot humor dhe batuta, ndërsa tregon se ndan me tëm të njëjtin pasion për veprat e rilindasve. Kurse kur flet për Kryeministrin e Kosovës Rama thotë se ka kritika, nuk ia mirëkupton vendimet, madje edhe e sulmon ashpër.

Por ajo që pritet të ndodhë të enjten i ka rrëzuar të gjitha alibitë për marrëdhënien mes dy kryeministrave shqiptarë.

Rama do të udhëtojë drejt Prishtinës për të folur për takimin e Procesit të Berlinit në Tetor në Tirarë, por atje do ta gjejë derën mbyllur. Albin Kurti tha se nuk do ta presë në takim, vetëm me kusht që të vijë për një mbledhje të përbashkët të dy qeverive.

“Do rrijë 2 ditë dhe 1 natë në Prishtinë në kuadër të Procesit të Berlinit. I kërkova të bënim mbledhje qeverie për të firmosur marrëveshjet. Nuk e takoj, nëse nuk do jetë mbledhje e përbashkët e qeverive që u anulua”, ka thënë Kurti.

Se çfarë do të bëjë Rama në Prishtinë për dy netë, kur kryeministri atje nuk do që ta takojë, kjo mbetet për t’u parë. Por ai nuk e anuloi vizitën.

Lexo më shumë  Zëdhënësi i Qeverisë thotë se qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme

“Do të flas kur është koha për të folur që është; nesër në Prishtinë!”, tha Rama, kur gazetarët i kujtuan se në Prishtinë ia kanë mbyllur derën.

Lënia e kryeministrit të Shqipërisë rrugëve të Prishtinës apo refuzimi i kryeministrit të Kosovës për ta pritur qoftë edhe formalisht lë një shije të hidhur. Por kjo nuk është një ngjarje e shkëputur në kohë.

Prej vitesh, Rama u përpoq ta përfshijë Kosovën në Ballkanin e Hapur, në projektin që ideoi bashkë me Vuçiçin për një Ballkan pa kufij. Kur e refuzuan, Rama u konfrontua ashpër me drejtuesit e shtetit të Kosovës.

Nuk e ka kursyer në sulmet e tij as Hashim Thaçin, as Isa Mustafën, as Ramush Haradinajn dhe së fundmi, edhe Albin Kurtin.

Në veçanti pozicioni i Ramës për situatën në veri  e përkeqësoi ndjeshëm marrëdhënien e tij me Albin Kurtin.

Kur dhuna shpërtheu në veri, Rama nuk e përkrahu Kurtin. Ai u shfaq duke folur si ndërkombëtar që i quan “të rrezikshme” politikat e Kurtit në veri. Pastaj i fuste në një thes Kurtin me Vuçiçin, duke i quajtur “koka që nxehen” në verë sepse nuk kanë det. Pastaj e kritikooi kryeministrin e Kosovës në mediat ndërkombëtare për futjen e krerëve të komunave në institucione, të cilët i krahasonte me Oso Kukën.

Lexo më shumë  Kurti: Trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd refuzojnë t’i hapin arkivat për t’i zbuluar lokacionet e varrezave masive

Pak javë më parë, pa u konsultuar me Albin Kurtin, Rama dërgoi në Bruksel propozimin e tij për zgjidhjen e ngërçit mes Serbisë dhe Kosovës. Kur Kurti e ironizoi me ftesën për t’ia dërguar Vuçiçit në Serbi, Rama anuloi në momentet e fundit mbledhjen e përbashkët të qeverive në Gjakovë.

Gjithsesi pak ditë më parë u duk se Rama bëri një ndryshim rrënjësoj në profilin e tij politik. Ai firmosi divorcin nga martesa me Vuçiçin duke i dhënë fund njëanshmërisht Ballkanit të Hapur, projektit që ishte bërë shkak për distancimin mes Tiranës dhe Prishtinës. Si për ta ilustruar më mirë këtë qasje të re, Rama nuk ngurroi të kalojë një të premte familjare me Vjosa Osmanin, presidenten e Kosovës me të cilën kishte qenë njësoj konfliktual.

Pikërisht në këtë atmosferë, vjen edhe refuzimi për t’i hapur dyert Ramës në Prishtinë. Me Vuçiç, pa Vuçiç duket se Kurti është i bindur se asgjë e mirë nuk i vjen nga Rama. Prandaj dhe nesër, dy kryeministrat e shqiptarëve do jenë në të njëjtin qytet, por të ndarë. /Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player