Osmani: Përvoja e Kosovës mund ta ndihmojë Ukrainën në trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim delegacionin e Rrjetit Global të Viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës nga Ukraina e Kolumbia.
Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se përvoja e Kosovës mund ta ndihmojë Ukrainën në trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale.
Historia më e re e Kosovës, sipas Osmanit, bart në vete rrëfimin e trishtë të mbi 20 mijë grave të dhunuara gjatë luftës së vitit 1999 nga regjimi i Serbisë.
“Sot prita një Delegacion të Rrjetit Global të Viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës nga Ukraina dhe Kolumbia. Përvoja e Kosovës mund ta ndihmojë Ukrainën në trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale. Populli i Kosovës është në krah të popullit ukrainas dhe do të vazhdojë mbështetjen ndaj tij me të gjitha mundësitë”, shkroi Osmani në Facebook.
Rruga Press