Lajme

Osmani i përgjigjet Vuçiqit: Prezenca e ushtrisë serbe në Kosovë mori fund më 1999

Presidentja Vjosa Osmani në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka thënë se ky vit ka qenë vit sfidues dhe i rrethanave të jashtëzakonshme.

Ajo ka përmendur rrethanat e krijuara në veri, duke shtuar se situata atje vazhdon të mbetet sfidë.

Osmani ka deklaruar se bandat kriminale në veriun e Mitrovicës të financuara nga shteti serb do të përballen me drejtësinë.

Sipas saj, pretendimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për vendosjen e ushtrisë serbe në Kosovë është ide hegjemoniste. Por ka shtuar se prezenca e asaj ushtrie ka marrë fund në vitin 1999.

“Ne kemi këmbëngulur që shteti dhe ligji të mos i shërbejë vetëm disave, por të gjithëve. Veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës e cila i shpreh përmes financimit dhe përkrahjes së strukturave kriminale. Bandat kriminale nuk do të mund të mbisundojnë dëshirën e qytetarëve për të jetuar të lirë në atdheun tonë. Bandave nuk iu pëlqen zbatimi i ligjit në vend, por nuk ju pëlqen as lufta e pakompromis ndaj krimit dhe korrupsionit. Ata do të përballen me drejtësi për frikësimin që po ua bëjnë qytetarëve. Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste për vendosjen e trupave ushtarake në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e di fare mirë që prezenca e ushtrisë serbe në Kosovë mori fund në vitin 1999”, ka thënë ajo.

Lexo më shumë  "Hoteli luksoz i dhëndrit të Trumpit në Beograd", The New York Times: Idenë e propozoi Grenelli kur ishte i dërguar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

Ajo ka falënderuar Policinë e Kosovës për mbrojtjen e interesave të vendit.

Ka deklaruar se Kosova është një dhe e tërë dhe atdhe i të gjithëve.

Osmani ka thënë se Serbia duhet ta kuptojë qartë se Kosova është shtet dhe i tillë do të mbetet gjithmonë.

Ajo ka thënë se dialogu duhet të përqendrohet në njohjen reciproke.

“Pavarësia e shtetit tonë është ndërtuar me gjak dhe themelet e shtetit janë më të forta se sa që mund t’i mendojnë disa. FSK-ja po na bën çdo ditë krenar. Orientimi ynë strategjik nuk ka si të jetë më i qartë. Synim kemi NATO-n. Gjatë vitit 2022, kemi investuar në zgjerimin e marrëdhënieve me shtete e organizata. Politika jonë e jashtme po i shërben në tërësi interesave të shtetit tonë”, ka thënë ajo.

Osmani ka deklaruar se qytetarët janë ata që e bëjnë këtë vend më të mirë.

Sipas saj, janë njerëzit ata që i bëjnë shtetet. Ka thënë se puna e qytetarëve përkrah institucioneve ka bërë që Kosova të konsolidohet edhe brenda, por edhe jashtë.

“Ne dëshmuam se ne jemi vend i potencialit dhe vend partner dhe paqedashës. Ëndrra jonë e përbashkët për një shtet siç e meritojnë qytetarët, po realizohet. Nga kjo foltore e Kuvendit, ju lus ta kthejmë vëmendjen përpjekjet shekullore për vendin tonë. Duhet ta kujtojmë edhe sot, ish-presidentin Ibrahim Rugova. Duhet ta kujtojmë simbolin e rezistencës së armatosur, Adem Jasharin. T’i kujtojmë të gjithë njerëzit tanë që dhanë aq shumë për vendin. Duhet kujtuar edhe rruga jonë e derikëtushme. Duhet ta kthejmë vëmendjen te dhimbja e të zhdukurve me dhunë, për fëmijët e vrarë gjatë luftës, për gratë e dhunuara, për mijëra jetimë e për familjet e dëshmorëve”, ka thënë ajo.

Lexo më shumë  Sallahu e quan turp mosvotimin e Marrëveshjes për burgje: U dëmtuan marrëdhëniet me Danimarkën

Osmani ka përmendur edhe sfidat e krijuara nga pandemia COVID-19 dhe lufta e Rusisë në Ukrainë.

Ajo ka thënë se Kosova është shembulli më i mirë se çfarë mund të arrijë një popull i bashkuar rreth idealit dhe lirisë.

Ka shtuar se nuk mund të ketë neutralitet mes të mirës dhe të keqes, duke theksuar se Kosova ka zgjedhur të jetë në anën e historisë.

Ajo ka kërkuar konsensus për daljen e qytetarëve nga kriza.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk kanë qenë pjesë e seancës së organizuar për fjalimin vjetor të presidentes Osmani.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *