Osmani: Historia e nënë Ferdonijes duhet të shërbejë si kujtesë e historisë sonë të trishtë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur mbi historinë e nënës Ferdonije Çerkezi, e cila ka humbur katër djemtë e saj dhe bashkëshortin gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se pjatat në tavolinë janë bërë personifikim i pritjes për djemtë dhe bashkëshortin e nënës Ferdonije Çerkezi, e cila prej 25 vjetësh, dhimbjen e ka bashkuar me pritjen.
“Shtëpia e saj tashmë është muze. Në ora 11:00, 25 vjet më parë ajo pati takimin e fundit me katër djemtë dhe bashkëshortin, të cilët forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, i rrëmbyen dhunshëm. Eshtrat e dy djemve janë gjetur, teksa pritja për zbardhjen e fatit të 2 djemve dhe bashkëshortit, ende nuk ka marrë fund”, shkroi ajo.
Sipas presidentes Osmani, që nga atëherë, pritja e ka rënduar, por “Nëna stoike nuk ka hequr dorë nga shpresa”.
“Historia e nënë Ferdonijes duhet të shërbejë si kujtesë e historisë sonë të trishtë, por edhe e përgjegjësisë që të mos reshtim në kërkesën për drejtësi dhe në mbrojtje të së vërtetës”, shtoi më tutje Osmani.
Rruga Press