Bota

Osmani fton Erdoganin për një vizitë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përsëritur ftesën për presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për një vizitë në Kosovë.

Osmani ka përsëritur ftesën gjatë takimit me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay.

“Me zv. ministrin Kemal Bozay, Presidentja Osmani diskutoi për bashkëpunimin bilateral, organizimin e një forumi të bizneseve të dy shteteve, sikurse edhe bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, sigurisë, shëndetësisë dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm. Presidentja Osmani ka përsëritur ftesën për homologun e saj, presidentin Recep Tayyip Erdoğan për një vizitë në Republikën e Kosovës, në një kohë të përshtatshme për të dy palët”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Lexo më shumë  Britania e Madhe kërkon t’i kushtohet më shumë vëmendje rreziqeve të konflikteve në Ballkan

Osmani ka falënderuar Turqinë për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në procesin e pavarësisë dhe shtetndërtimit. Osmani ka thënë se marrëdhëniet e Kosovës dhe Turqisë janë strategjike.

“Presidentja Osmani theksoi se marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë strategjike dhe se shqiptarët që jetojnë në Turqi dhe komuniteti turk në Kosovë janë urë e fortë lidhëse ndërmjet dy shteteve. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka falënderuar Turqinë për mbështetjen e Kosovës në procesin e pavarësisë dhe shtetndërtimit, duke kërkuar mbështetje të mëtejmë edhe për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në takim është diskutuar edhe për tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe hapat që ka marrë Kosova për shtensionim të situatës.

Lexo më shumë  Anëtarësimi i Kosovës në KiE. Kosova dhe Zvicra mbajtën takimin konsultativ

“Në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, Presidentja Osmani diskutoi edhe për hapat konkret të ndërmarra nga institucionet e Kosovës për shtensionimin e situatës në veri të vendit në përputhje me dakordimin në Bratislavë. Presidentja Osmani theksoi se prezenca e Policisë Speciale të Kosovës në objektet komunale dhe rreth tyre në veri tashmë është zvogëluar, ndërsa po vazhdon puna për plotësimin e infrastrukturës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut nëpërmjet peticionit të qytetarëve”, thuhet nga Presidenca.

Rruga Press

YouTube player