Bota

Oslo, bisedimet e para të talebanëve me Perëndimin që nga marrja e pushtetit në Afganistan

Talebanët dhe diplomatët perëndimorë kanë filluar bisedimet e tyre të para zyrtare në Evropë që kur morën kontrollin e Afganistanit në gusht.

Takimet me dyer të mbyllura po zhvillohen në një hotel në malet e mbuluara me borë mbi kryeqytetin norvegjez të Oslos.

Përfaqësuesit e talebanëve pritet të kërkojnë zhbllokimin e fondeve prej afro 10 miliardë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore ndërsa Afganistani përballet me një situatë të rëndë humanitare.

“Ne po kërkojmë që ata të zhbllokojnë asetet afgane dhe të mos ndëshkojnë qytetarët afganë për shkak të diskursit politik”, tha delegati i talebanëve Shafiullah Azam të dielën mbrëma. “Për shkak të urisë dhe dimrit vdekjeprurës, mendoj se është koha që komuniteti ndërkombëtar të mbështesë afganët, e jo t’i ndëshkojë ata për shkak të mosmarrëveshjeve politike.”

Para bisedimeve, diplomatët perëndimorë u takuan me aktiviste afgane për të drejtat e grave dhe të mbrojtës së të drejtave të njeriut për të dëgjuar kërkesat e tyre dhe vlerësimin mbi situatën aktuale në terren. Në këtë takim po marrin pjesë përfaqësues të Bashkimit Evrpian, Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës, Italisë dhe Norvegjisë.

Aktivistja për të drejtat e grave, Heda Khamoush, e cila jeton në Kabul, mbajti disa fotografi të Tamana Zaryabi Paryanit dhe Parwana Ibrahimkhelit, dy gra të arrestuara nga talebanët javën e kaluar pas një proteste anti-talebane kundër regullit islamik që detyron të gjitha gratë të përdorin shaminë, ose hixhabin. Ato nuk janë parë që nga koha e arrestimit të tyre.

Duke hedhur poshtë akuzat se talebanët i kanë rrëmbyer, zoti Azam tha se ai “nuk ishte në dijeni për këtë” dhe sugjeroi se aktivistët mund ta përdorin këtë ngjarje si justifikim për të kërkuar azil.

Bisedimet tre-ditore u hapën të dielën me takime të drejtpërdrejta mes talebanëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Lexo më shumë  Krimea u trondit nga shpërthimet, u mbyll ura që shërben si një rrugë kryesore furnizimi për forcat ruse

Të hënën, ministri i jashtëm në detyrë i talebanëve foli me gazetarët, duke thënë se takimet me shoqërinë civile të Afganistanit nuk ishin negociata, por një bisedë konstruktive. Sundimtarët e rinj të vendit janë kritikuar ashpër për qasjen e tyre të ashpër ndaj sigurisë, duke shpërndarë gratë protestuese me spërkatës piperi dhe të shtëna me armë në ajër, duke frikësuar dhe rrahur gazetarët dhe duke arrestuar natën protestuesit antiqeveritar.

Talebanët janë kritikuar për krijimin e një kabineti të përkohshëm, i cili përbëhet vetëm nga burra dhe anëtarë të grupit të talebanëve. Shumica i përkasin grupit pashtunë. Organizatat afgane si dhe komuniteti ndërkombëtar u kanë kërkuar talebanëve që të hapin qeverinë edhe për komunitetet e tjera të vendit, pakicat, grupet e tjera fetare dhe gratë.

Zoti Muttaqi tha se shumica e nëpunësve civilë që janë kthyer në punë janë nga qeveria e kaluar dhe rreth 15,000 gra janë duke punuar në sektorin e shëndetësisë dhe atë të arsimit. Ai tha se ende nuk ka një vendimi për rritjen e numrit të grave në qeveri.

“Ne nuk kemi shkarkuar askënd”, tha ai. “Ky është përparim, por sigurisht që nuk është i mjaftueshëm.”

Bisedimet me përfaqësuesit evropianë dhe amerikanë pritet të përfshijnë çështje të shumta, si arsimi, ndihma humanitare dhe përfshirja e më shumë komuniteteve në qeverisje.

Bisedimet vijnë në një moment vendimtar për Afganistanin, pasi temperaturat e ulta kanë përkeqësuar gjendjen e rëndë humanitare që pasoi largimin e trupave amerikane dhe rënien e vendit në duart e talebanëve.

Organizatat humanitare dhe agjencitë ndërkombëtare vlerësojnë se rreth 23 milionë banorë të Afganistanit, ose më shumë se gjysma e popullsisë së vendit, përballen me mungesa të mëdha ushqimore dhe gati 9 milionë prej tyre janë në prag të urisë. Njerëzit kanë vendosur të shesin gjerat e tyre me vlerë për të blerë ushqime, kanë djegur mobiljet për ngrohje dhe madje kanë shitur fëmijët e tyre për të plotësuar nevojat e tyre ushqimore. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka mundur të ofrojë pak ndihmë, duke lejuar administratën talebane të paguajë për importet, përfshirë importin e energjisë elektrike.

Lexo më shumë  Zelensky: Ukraina po punon për përmirësimin e programit të dronëve

Përballë kërkesës së talebanëve për fonde, fuqitë perëndimore ka të ngjarë të vendosin respektimin e të drejtave të grave dhe vajzave në Afganistan në axhendën e tyre, së bashku me kërkesën e përsëritur të Perëndimit që administrata talebane të ndajë pushtetin me grupet e pakicave dhe grupet e tjera fetare të Afganistanit.

Që nga marrja e pushtetit në mes të gushtit, talebanët kanë vendosur kufizime të gjera, shumë prej tyre ndaj grave. Grave u është ndaluar puna jashtë sektorit të shëndetësisë dhe atij të arsimit, qasja e tyre në arsim është kufizuar përtej klasës së gjashtë dhe ato tani janë të detyruara të mbulojnë kokën me shami. Megjithatë, talebanët nuk kanë imponuar përdorimin e burkës (që mbulon të gjithë fytyrën përveç syve), e cila ishte e detyrueshme kur ata sundonin Afganistanin në vitet 1990.

Talibanët kanë vënë në shënjestër gjithnjë e më shumë grupet që merren me mbrotjen e të drejtaveve të njeriut në Afganistan, si dhe gazetarët, duke arrestuar dhe nganjëherë duke rrahur ekipet televizive që raportonin për protestat.

Në një postim në Twitter të hënën, Përfaqësuesi i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin, Tom West përshëndeti bisedimet midis talebanëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile të vendit dhe tha se “ne do të vazhdojmë diplomacinë me sy të hapur me talebanët në lidhje me shqetësimet tona dhe interesin tonë për stabilitet, respektimin e të drejtave të njeriut dhe një Afganistan gjithëpërfshirës.”/VOA

Rruga Press

YouTube player