Organizatat mjedisore me deklaratë të përbashkët mbi rrezikshmërinë e ndërtimit të hidrocentraleve në Europën Juglindore dhe Shqipëri
Një raport i fundit i katër organizatave mjedisore ndërkombëtare sjell në vëmendje investimet e rrezikshme dhe në rritje të digave të hidrocentraleve në Ballkan, duke sugjeruar zëvendësimin e tyre me burime të kontrolluara të energjisë diellore apo të erës.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, organizat ndërkombëtare në mbrojtje të mjedisit dolën të mërkurën me një raport të ri, i cili hedh dritë mbi investimet e rrezikshme të digave të hidrocentraleve në Europën Juglindore.
Sipas raportit, në dy dekadat e fundit, qindra diga të vogla janë ndërtuar në rajon, kryesisht në zona të mbrojtura.
Përpjekjet për të ndërtuar diga më të mëdha të gjelbra kanë dështuar, duke rezultuar të mundura vetëm në Shqipëri dhe Slloveni.
“Prodhimi energjitik i hidrocentraleve në rajon po luhatet lart e poshtë për shkak të ndryshimeve klimaterike, duke e bërë të kotë shtimin e digavë të tjera. Kjo është më e qartë në shtete si Shqipëria, Kroacia, dhe Bosnje-Hercegovina që varen së tepërmi prej hidrocentraleve”, tha Pipa Gallop nga Rrjeti CCE Bankwatch.
Raporti mbi rrezikshmërinë e investimeve në diga ka si autorë organizatat mjedisore Riverwatch, CEE Bankwatch, EuroNatur, dhe WWF Adria.
Sipas raportit, Shqipëria është pothuajsë 100% e varur nga hidrocentralet për prodhimin e energjisë së vendit, me hidrocentralin e Skavicës të listuar si një prej nëntë digave të cilat përbëjnë rrezikshmëri të lartë për mjedisin.
Gjetjet e raportit tregojnë se Shqipëria ka instaluar më shumë se 600 MWh në hidrocentrale të mëdha që prej vitit 2010, megjithatë prodhimi mesatar nuk rezulton të jetë rritur së tepërmi gjatë periudhës 2010-2020.
Amelia Huber nga fondacioni EuroNatur tha se vendet energjia e të cilave varet nga hidrocentralet do të kenë pasoja prej intensifikimit të efekteve të ndryshimit të klimës, si edhe prej shtimit të thatësirave dhe përmbytjeve.
“Ndërtimi i digave në të ardhmen do të bëhet akoma më i vështirë për shkak të ndryshimit të klimës, biodiversitetit të zonës, çështjeve ligjore, rezistencës së komuniteteve apo edhe vështirësive financiare”, citon raporti i mjedisorëve.
Shqipëria deklaroi emergjencën energjitike në Tetor të vitit 2021 dhe në muajin Mars 2022 uli prodhimin në 11 nga 13 hidrocentralet shtetërore të KESH-it, për shkak të thatësirave.
“Vetëm Shqipëria duket se së fundmi ka kuptuar rrezikun e të qënit kaq të varur prej hidrocentraleve, duke u përpjekur gjatë viteve të fundit të zhvillojë burimet për energjinë e erës dhe atë diellore”, thuhet në raportin e organizatave mjedisore.
Ndër të tjerash, risqet e ndërtimit të hidrocentraleve përfshijnë përmbytjen e shtëpivë të komunitetit, të fushave dhe të pyjeve përreth, dëmtimin e specieve që popullojnë zonën, si edhe ndryshimin e mikroklimës së zonës.
Edhe drejtori ekzekutiv i organizatës Riverwatch komentoi në deklaratën për shtyp mbi disavantazhet e ndërtimit të hidrocentraleve.
“Përveç aspekteve energjitike kundra digave në lumenjtë e Ballkanit, qëndron dhe fakti se lumenj të tillë si Neretva dhe Drini kanë vlera të paçmueshme ekologjike”, tha Ulrich Eichelmann nga organizata mjedisore Riverwatch.
“Fatmirësisht, njerëzit po kuptojnë gjithmonë e më shumë vlerën ë lumenjve të Ballkanit dhe po luftojnë kundra projekteve të hidrocentrale në to, dhe në fakt po fitojnë në këto kauza”, përfundoi Eichelmann./reporter/
Rruga Press