Organizatat mjedisore kërkojnë ndalimin e ndërtimeve në Pishë Poro–Nartë
40 organizata i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare të pezullojnë menjëherë çdo nismë ndërtimi në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë. Në një deklaratë të përbashkët drejtuar Kryeministrit Rama, Ministrit të Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, organizatat u shprehën se këto projekte ndërtimi sjellin rrezik ndaj llojeve të mbrojtura të jetës së egër dhe trashëgimisë natyrore të zonës.
Ato shprehen se në terren janë konstatuar ndërhyrje me mjete të mekanizuara që po degradojnë habitatet pyjore dhe dunat ranore në këtë zonë të mbrojtur.
“Ndërhyrjet po zhvillohen pa transparencë, pa dëgjesa publike, pa leje ndërtimi të bëra publike, pa pëlqim apo Deklaratë Mjedisore dhe pa asnjë prezantim të Vlerësimeve të Ndikimit në Mjedis”, thuhet në deklaratën e përbashkët të organizatave mjedisore.
Sipas tyre, deri më tani janë raportuar të paktën tre leje ndërtimi për komplekse turistike në Zvërnec, brenda territorit të zonës së mbrojtur, ndërsa janë hapur rrugë të reja hyrëse në habitate që më parë kanë qenë të paprekura.
“Këto ndërhyrje po kryhen në kulmin e periudhës së riprodhimit të shumë llojeve të faunës, përfshirë shpendë folezues, gjitarë të vegjël, amfibë, zvarranikë, insekte polenizuese si bletët dhe fluturat”, thuhet në deklaratë.
Sipas organizatave, zhurmat, lëvizja e makinerive dhe degradimi i habitatit mund të shkaktojnë largimin e individëve nga habitatet e tyre, shkatërrimin e foleve dhe ndërprerjen e cikleve të riprodhimit.
Peizazhi i Mbrojtur Pishë Poro-Nartë sipas organizatave është një nga ekositetmet më të rëndësishme bregdetare në vend dhe rajon.
“Zona është pjesë e rrjetit Emerald, është shpallur Zonë e Rëndësishme për Shpendët (IBA) dhe Zonë Kyçe e Biodiversitetit (KBA), ndërsa shërben si habitat për rreth 250 specie shpendësh të egër shtegtarë”, thuhet mes të tjerash në deklaratë.
Në deklaratë thuhet se këto ndërhyrje bien ndesh me legjislacionin shqiptar për zonat e mbrojtura, biodiversitetin dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis, si dhe detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Kërkesat kryesore të organizatave janë ndalimi i menjëhershëm i ndërhyrjeve, publikimi i plotë i çdo lejeje apo projekti zhvillimi në zonë dhe verifikim i tyre, si dhe respektim rigoroz i procedurave të vlerësimit të ndikimit në mjedis.
Organizatat i bëjnë thirrje edhe Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë të monitorojnë situatën dhe të kërkojnë llogaridhënie për mbrojtjen e biodiversitetit në Shqipëri.
Rruga Press

