Lajme

Open Ballkan në syrin e ndërkombëtarëve, Osmani: Nuk është diskutuar fare as nga SHBA as nga BE

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është ndalur të komentojë nismën e Ballkanit të Hapur, në të cilin Kosova nuk pranon të jetë pjesë e saj, duke e shprehur se as SHBA dhe as BE nuk kanë shprehur mbështetjen e hapur për të.

Osmani u shpreh se gjatë takimit të zhvilluar me sekretarin e shtetit të SHBA, Antony Blinken, çështja e Ballkanit të Hapur nuk është prekur dhe diskutuar fare, madje theksoi se disa zyrtarë të DASH kanë thënë se do ti japin mbështetjen iniciativës vetëm nëse përfshihen të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pjesë nga intervista për REL:

Radio Evropa e Lirë: SHBA-ja mbështet Ballkanin e Hapur, Bashkimi Evropian e mbështet. Pse Kosova nuk është pjesë e tij?

Vjosa Osmani: Unë nuk do të thosha me aq siguri që SHBA-ja apo Bashkimi Evropian e mbështesin Ballkanin e Hapur. Ne e kemi pasur një takim me sekretarin [amerikan] të Shtetit [Antony Blinken] dhe kjo çështje as nuk është ngritur, as nuk është kërkuar nga ana jonë. Në anën tjetër, në deklarata të disa zyrtarëve të Departamentit të Shtetit është thënë që parakusht për mbështetjen e plotë të kësaj iniciative nga ana e Shteteve të Bashkuara është që ajo t’i përfshijë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Lexo më shumë  BE: Aplikacioni TikTok po aq toksik dhe të bën të varur sa cigaret

Dhe, ju e dini, është një iniciativë me tri shtete, jo me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Rrjedhimisht, parakushti themelor i SHBA-së, pra gjithëpërfshirja, akoma nuk është përmbushur. Të njëjtën gjë e kemi dëgjuar edhe nga zyrtarët e Bashkimit Evropian. Pra, nuk ka zyrtar të lartë të BE-së që neve na ka kërkuar që të hyjmë në Ballkanin e Hapur.

Përkundrazi, në takimet tona të mbyllura shprehet një dozë e madhe e skepticizmit nga ana e zyrtarëve të Bashkimit Evropian në raport me këtë iniciativë.

Shtetet anëtare të BE-së dhe udhëheqësit e partnerëve të Ballkanit Perëndimor gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor në Qendrën e Kongresit Brdo, afër Lubjanës, më 6 tetor 2021.

Ne kemi shprehur shqetësimet tona që kanë të bëjnë me mungesën e gjithëpërfshirjes që nga lindja e iniciativës, që është parakusht, dhe mungesën e trajtimit të barabartë të të gjithëve. Kosova nuk hyn në nisma, në të cilat nuk trajtohet si e barabartë. Dhe, unë besoj që në ato nisma në të cilat Serbia ka rol kyç, ne as nuk mund të presim që të trajtohemi si të tillë.

Lexo më shumë  Shtatë serbë dënohen me 56 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

Shqetësimet tjera kanë të bëjnë me çështje të integrimit evropian që mund të keqpërdoren si një dhomë pritjeje afatgjate. Pastaj, kemi shqetësime nga aspekti i ekonomisë dhe i sigurisë dhe të gjitha këto ua kemi bërë të ditura të gjithë partnerëve tanë dhe ata e respektojnë këtë qëndrim.

Radio Evropa e Lirë: I dërguari [amerikan] për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, megjithatë, e ka thënë se kjo është një nismë ekonomike dhe jo politike dhe do të ishte mirë të bashkoheshin…

Vjosa Osmani: Asgjë në Ballkanin Perëndimor nuk mund t’i ikë atij lensit politik. Gjithçka, në fakt, është politike, sidomos kur Serbia ka rol kyç në të. ​/REL/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *