Bota

OKB: Koreja e Veriut vodhi 3 miliardë dollarë nga sulmet kibernetike për të ndërtuar armë bërthamore

Monitoruesit e sanksioneve të OKB-së po hetojnë dhjetëra sulme të dyshuara kibernetike nga Koreja e Veriut që grumbulluan 3 miliardë dollarë për ta ndihmuar atë të zhvillojë më tej programin e saj të armëve bërthamore, sipas një raporti të pabotuar të OKB-së.

“Republika Popullore Demokratike e Koresë (DPRK) vazhdon të shpërfill sanksionet e Këshillit të Sigurimit,” i tha një grup vëzhguesish të pavarur një komiteti të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ekipi po heton 58 sulme të dyshuara kibernetike nga DPRK ndaj kompanive të lidhura me tregun e kriptomonedhave midis 2017 dhe 2023 me një vlerë prej afro 3 miliardë dollarë, një shumë që supozohet se ka ndihmuar në financimin e armëve të shkatërrimit në masë të DPRK-së.

Lexo më shumë  Edhe një shtet tjetër njeh Palestinën. Sa shtete e njohin pavarësinë e Palestinës

Misioni diplomatik i Koresë së Veriut në OKB nuk e komentoi raportin, por në të kaluarën regjimi i Kim Jong Un ka mohuar akuzat se po rekruton hakerë për sulme kibernetike.

Siç kanë raportuar inspektorët e OKB-së, grupet e hakerëve të Koresë së Veriut, të cilat janë pjesë e agjencisë kryesore të inteligjencës së jashtme të Phenianit, thuhet se kanë vazhduar të kryejnë një numër të madh sulmesh kibernetike.

Koreja e Veriut “vazhdoi me zhvillimin e mëtejshëm të armëve bërthamore dhe prodhoi materiale  bërthamore, megjithëse testi i fundit i njohur bërthamor u zhvillua në vitin 2017, thuhet në raport, duke shtuar se Pheniani vazhdoi të lëshonte raketa balistike.

Lexo më shumë  Rusia po fajësohet për ndërhyrje në GPS, probleme me fluturimet nëpër Evropë

Këshilli i Sigurimit i OKB-së e ka ndaluar prej kohësh Korenë e Veriut të kryejë teste bërthamore dhe të lëshojë raketa balistike. Sanksionet janë vendosur ndaj Phenianit që nga viti 2006 dhe janë forcuar vazhdimisht nga Këshilli i Sigurimit në një përpjekje për të bllokuar fondet për programin e zhvillimit të armëve të shkatërrimit në masë të regjimit Kim.

Megjithatë, Këshilli i Sigurimit nuk ka gjasa të ndërmarrë veprime të mëtejshme kundër Koresë së Veriut, pasi ajo është bllokuar prej disa vitesh për këtë çështje, me Kinën dhe Rusinë që bëjnë thirrje për lehtësimin e sanksioneve.

YouTube player