Bota

OKB-ja Serbisë për muralin e Mlladiqit: S’ka vend për simbole që lavdërojnë kriminelët e luftës

Zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Liz Throssell, i ka reaguar Serbisë për rastin e ndërhyrjes së autoriteteve për mbrojtjen e muralit të kriminelit të luftës, Ratko Mladiq. Sipas OKB-së, “simbolet që lavdërojnë kriminelët e dënuar të luftës nuk duhet të kenë vend në hapësirën publike”.

Reagimi i OKB-së vjen dy ditë pasi murali i kriminelit të luftës Mladiq në Beograd u dëmtua nga zyrtari i Partisë Socialdemokrate, Gjorgjo Zhujoviq. Mladiq është i dënuar nga Tribunali i Hagës me burgim të përjetshëm për krimet dhe gjenocidin në Bosnjë-Hercegovinë ndaj popullatës joserbe, por pavarësisht thirrjeve, muralet e tij vazhdojnë të jenë prezente në Serbi.

“Ne jemi të shqetësuar për ngjarjet e kësaj jave në kryeqytetin serb, Beograd, ku policia ndërhyri për të mbrojtur një mural të kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mladiq, të pikturuar në një ndërtesë në qendër të qytetit. Murali në Beograd nuk është një incident i izoluar. Postera, grafiti, materiale dhe deklarata të tjera që lavdërojnë kriminelët e luftës gjenden në pjesë të tjera të Serbisë, si dhe në qytete të ndryshme në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi dhe gjetkë në rajon. Simbolet që lavdërojnë kriminelët e dënuar të luftës nuk duhet të kenë vend në hapësirën publike. Simbole të tilla janë edhe më shqetësuese duke pasur parasysh rritjen e kohëve të fundit të gjuhës së urrejtjes dhe mohimit të gjenocidit dhe krimeve të tjera mizori në Ballkanin Perëndimor – zhvillime që nxjerrin në pah dështimin për të adresuar të kaluarën. Situata në Bosnjë dhe Hercegovinë është veçanërisht shqetësuese, ku tendencat e tilla po thellojnë ndarjet”, thuhet në reagimin e tyre.

Lexo më shumë  Qeveria e Ramës po i kryen punët e jashtme të Serbisë

Në fund, OKB-ja u bëri thirrje autoriteteve që të respektojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve në rajon që të respektojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare për të drejtat e njeriut për të garantuar të drejtat për të vërtetën, drejtësinë dhe dëmshpërblimin, si dhe të miratojnë masa për të parandaluar përsëritjen dhe për të nxitur përpjekjet e mëtejshme të pajtimit. Ne u bëjmë thirrje atyre që të dënojnë dhe të përmbahen nga të gjitha format e gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së dhunës dhe të sigurojnë që autorët e akteve të tilla të mbajnë përgjegjësi”.

Lexo më shumë  Parlamenti kroat miraton qeverinë e Plenkoviçit. Ja partneri qeverisës i kryeministrit kroat

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *