KryesoreLajme

Octopus me analizë që ngre alarmin për luftën hibride të Serbisë në Kosovë

Lufta informativo-propagandistike e Serbisë, si majë e luftës hibride, në gjithë historinë e saj i ka paraprirë ambicieve ekspansioniste serbomëdha.

Së fundmi, Nikola Selakovic, ia ka shkundur pluhurin një emri serb, simbol i agresionit barbar ushtarak serb. Selakovic, u bë ministri i parë serb a jugosllav që vizitoi varrin e Bozidar Jankovic-it, udhëheqësit ushtarak serb, i cili pushtoi Prishtinën më 22 tetor të vitit 1912, thuhet në një analizë të Institutit për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”.

Që nga kjo kohë, e deri sot, Serbia në mënyrë të përhershme e ka zhvilluar luftën hibride, për qëllime ekspansioni.

Në përvjetor të pushtimit të Kosovës nga Serbia, në një park në Beograd, do t’i përurohet memoriali Bozidar Jankovic-it, komandantit të Armatës së Tretë të kohës së Luftës së Parë Ballkanike, më 1912, shkruan OCTOPUS.

“Ndoshta, askush më parë vërtet nuk e ka vizituar këtë varr, e lëre më t’i krijojë një memorial. Ndoshta, në fakt as që është vërtet varri i tij aty ku e bëri vizitën ministri serb Selakovic. Por, sa ka rëndësi kjo, kur qëllimi kryesor është ngritja e nacionalizmit serb, si mesazh për të tri grupet e audiencave: serbe, shqiptare dhe ndërkombëtare”, thuhet në analizë.

Më poshtë gjeni analizën e OCTOPUS, pa ndërhyrje.

SKICA HISTORIKE

Përforcimi i ambicieve shoviniste serbe për territoret shqiptare, e tash në veçanti ndaj Kosovës, është i të njëjtit dimension që nga themelimi i shtetit të Serbisë. Por, agresioni barbar serb ndaj shqiptarëve nis me spastrimit e madh etnik përmes gjenocidit në vitet 1877 dhe 1878. Gjatë këtyre viteve, nga trojet etnike shqiptare, që atëbotë ishin nën Perandorinë Osmane, u dëbuan mbi 100.000 shqiptarë dhe u vranë e masakruan mijëra të tjerë. Shqiptarët e zhvendosur, për t’u identifikuar nga të tjerët, u quajtën muhaxhirë (refugjatë), me të cilin emër njihen edhe sot.

Prej kësaj kohe, e deri sot, Serbia sado që ka përparuar ne aspektin ekonomik, kulturor e social; sado që sipas, vlerësimeve demokratike ndërkombëtare, ka “avancuar” në vlera civilizuese perëndimore, asnjëherë nuk ka reshtur së vepruari për pushtimin e territoreve shqiptare. Gjersa Evropa në vitet 1990 kishte arritur majat e demokracisë dhe avancimin e lirive njerëzore, Serbia në Ballkan shkaktoi tri luftëra, në të cilat u vranë rreth 140.000 njerëz (kroatë, boshnjakë, shqiptarë e serbë) dhe dëbuan mbi 1.5 milionë njerëz.

Lufta e Kosovës 1998-1999, ani pse jo formalisht, shënon përfundimin e luftërave të mëdha në ish-Jugosllavi. Më 10 qershor të vitit 1999, pas bombardimeve 78-ditëshe të NATO-s, për parandalimin e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, me Marrëveshjen e Kumanovës, e cila u nënshkrua nga përfaqësues të NATO-s dhe Ushtrisë së atëhershme Jugosllave, Serbia u detyrua që ta lëshojë Kosovës, me të gjithë mekanizmat okupues – policorë e ushtarakë dhe administrativo-politikë.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Kur të gjithë menduan se, paqja në Ballkanin Perëndimor ka arritur një bazament, këmbëngulja serbe, edhe pse e gjunjëzuar dhe turpëruar, me përkrahjen e vazhdueshme ruse, ia doli që ta pengojë një marrëveshje të vërtetë dhe pajtim historik, i cili erdhi me propozimin e përfaqësuesit të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtissari-t.

KTHIMI I AMBICIEVE SHOVINISTE

As Serbia dhe as Rusia nuk u pajtuan që në Ballkan të vendoset paqja e përhershme! Që të dy shtetet, vazhduan ta luftojnë civilizimin perëndimor dhe politikat euro-atlantike, duke penguar njohjen e Republikës së Kosovës nga OKB.

24 vite pas përfundimit të luftës së Kosovës, Serbia ka manovruar në forma të ndryshme, jo vetëm që ta pengojë rrumbullakimin e shtetit të Kosovës, por ta pengojë edhe vendosjen e një rendi të vërtetë euro-atlantik në Ballkanin Perëndimor.

Përveç diplomacisë destruktive, Serbia me të gjitha llojet e tjera të luftës hibride ka vazhduar jo vetëm që ta mbajë gjallë shovinizmin ndaj shqiptarëve në përgjithësi, dhe territorit të Kosovës në veçanti, por edhe ta rrisë agresionin dhe, njëkohësisht, ta destabilizojë sigurinë në Kosovë, por edhe BeH dhe Mal të Zi.

Një nga format më aktive agresive të luftës hibride serbe ndaj Kosovës, që në pamje të parë duken si lëvizje kulturore me karakter historik, janë përmendoret (memorialët) dhe grafitët e formave të ndryshme (murale, transparente etj.).

Ka disa muaj që gjithandej nëpër Serbi, por edhe territore të tjera ku jetojnë serbë, e deri në Rusi, është shfaqur grafiti serb me përmbajtjen “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, i cili ka për qëllim ripushtimin ushtarak të Kosovës.

Ky grafit, si mesazh ka për qëllim, në radhë të parë përgatitjen psikologjike të popullit serb për invadimin e Kosovës, si motivim.

Mesazhi i njëjtë, por tani si kërcënim, i drejtohet shqiptarëve, se në një të ardhme jo fort të largët, Serbia do të kthehet me ushtri (me forcë) në Kosovë.

Sado që duket naive, ky mesazh dërgon sinjale edhe në botën perëndimore, veçmas në SHBA dhe Bashkimin Evropian.

Sidomos në këtë kohë, kur Perëndimi është i preokupuar me agresionin rus në Ukrainë, Serbia ka përzgjedhur që, si një aleat historik i Rusisë, ta luajë “neutralen” në luftën e Ukrainës, por ambiciozen për territorin e Kosovës. Grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” i dërgon mesazh Perëndimit se, nëse dëshironi që ta keni Serbinë në anën tuaj në raport me luftën në Ukrainë, duhet që Ushtria e Serbisë të kthehet në Kosovë.

Lexo më shumë  Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona

Ani pse, zyrtarisht ky grafit nuk ka autor, e kaluara na ka mësuar se, mesazhe të tilla vijnë nga platforma shtetërore serbe, e cila kryesisht është e përbërë nga Akademia e Shkencave të Serbisë dhe shërbimet e inteligjencës serbe.

Për ta mbajtur gjallë, dhe për ta rritur edhe më shumë politikën nacionaliste serbe, Serbia me ndihmën konkrete të Rusisë (konkretisht agjencisë së lajmeve Sputnik), brenda vitit të fundit ka botuar për fëmijët serbë libra të ilustruar lidhur me Kosovën, luftën “epike” serbe kundër shqiptarëve dhe NATO-s; libra që flasin për kishat dhe manastiret “serbe” në Kosovë, ani pse ato janë kisha dhe manastire ortodokse ishin të shqiptarëve ortodoksë.

Gjithmonë në vazhdën e kësaj lufte hibride, e cila shprehet përmes ndërtimit të memorialëve nacionalistë e pan sllavistë, veriu i Republikës së Kosovës është shndërruar në një amfiteatër memorialësh të pashije sllavo-ortodokse dhe serbo-ruse.

Në veri të Mitrovicës, në vitin 2007, është ngritur memoriali për konsullin e Rusisë në Mitrovicë, Grigory Stepanovich Scherbina. Konsulli rus ishte vrarë nga shqiptarët në 10 prill të vitit 1903, si rezistencë ndaj këmbës pushtuese serbo-ruse.

Territori i veriut të Kosovës është i mbushur me simbole serbo-ruse. Grafitë e tipit “Kosova është Serbi, Krimeja është Rusi”; simboli i agresionit rus në Ukrainë, shkronja “Z”; fotografitë e Vladimir Putinit e të tjera të ngjashme, shërbejnë për veprimtarinë që përshkruan simbolika.

Kosova duhet t’i përgjigjet këtij lloji të luftës hibride serbo-ruse. Qeveria e vendit, intelektualët dhe inteligjenca, jo vetëm e Kosovës, por të gjithë shqiptarët, nuk duhet ta shohin këtë luftë sikurse manifestim të kotë të Serbisë. Lufta informative dhe propaganda, si mjetet më efikase të luftës hibride, përgatisin terrenin për luftën ushtarake.

Në anën tjetër, bota perëndimore demokratike, sado që nuk është në pozitë të lakmueshme që energjitë e saj të drejtuara nga Ukraina t’i drejtojë edhe nga Ballkani, duhet ta kuptojë se lufta hibride nuk zhvillohet vetëm në një front.

Armiku i parë i NATO-s, Rusia në përpjekje për ta mbajtur frontin në Ukrainë, dhe për ta fituar luftën, mund ta hapë një front ushtarak edhe në Ballkan.

Rusia po investon për këtë në Serbi. Kjo u përmend më lart!

Rruga Press

YouTube player