Observatori gjigand zbulon miliona galaktika dhe 7 asteroidë rreth tokës
Pamjet e para të testimit nga një observator gjigand, që mban emrin e astronomes pioniere Vera Rubin, kanë kapur dritën e miliona yjeve dhe galaktikave të largëta në një shkallë të paprecedent dhe kanë zbuluar mijëra asteroide të panjohura më parë.
Ndërsa Fondacioni Kombëtar për Shkencën (NSF) publikoi fillimisht vetëm disa imazhe dhe një video të shkurtër nga pamjet e para të Observatorit Vera C. Rubin, të tjera imazhe dhe video të realizuara me kamerën më të madhe të ndërtuar ndonjëherë u shpërndanë të hënën në kanalin YouTube të agjencisë. Ky objekt shkencor financohet bashkërisht nga Fondacioni Kombëtar për Shkencën dhe Zyra e Shkencës e Departamentit Amerikan të Energjisë. Këto imazhe të reja përfaqësojnë vetëm pak më shumë se 10 orë vëzhgime testuese, duke ofruar një parathënie të misionit dhjetëvjeçar të observatorit për të eksploruar misteret e universit në një mënyrë të paprecedent.
“Observatori Rubin i NSF-DOE do të kapë më shumë informacion për universin tonë sesa të gjithë teleskopët optikë të historisë të marrë së bashku,” tha Brian Stone, Shefi i Kabinetit i Fondacionit Kombëtar për Shkencën, i cili aktualisht ushtron detyrën e drejtorit të NSF (pozicioni është aktualisht vakant).

Një vështrim i mahnitshëm i parë
Ndër arritjet fillestare të observatorit ishte zbulimi i 2,104 asteroideve, përfshirë shtatë asteroide pranë Tokës, të cilat nuk ishin parë më parë në sistemin tonë diellor. Sipas shkencëtarëve të observatorit, asnjëri nga asteroidet e sapozbuluar nuk paraqet rrezik për planetin tonë. Imazhet e asteroideve janë publikuar më poshtë.
Ndërsa teleskopët tokësorë dhe ata hapësinorë zbulojnë rreth 20,000 asteroide çdo vit, pritet që Observatori Rubin të zbulojë miliona shkëmbinj hapësinorë brenda dy viteve të para, sipas Fondacionit Kombëtar për Shkencën. Ky teleskop konsiderohet gjithashtu si mënyra më e fuqishme për të zbuluar kometa ose asteroide ndëryjore që mund të kalojnë nëpër sistemin tonë diellor.
Dizajni i pasqyrës së observatorit, ndjeshmëria e kamerës dhe shpejtësia e teleskopit janë të parat e këtij lloji, duke i mundësuar Rubin-it të zbulojë objekte të vogla dhe të zbehta si asteroidet. Observatori do të realizojë mijëra imazhe çdo natë, duke kataloguar ndryshime në ndriçim për të zbuluar objekte hapësinore që përndryshe mbeten të fshehura — siç janë asteroidet pranë Tokës që mund të jenë në trajektore përplasjeje.


Një pamje e publikuar të hënën përfshin një video të ndërtuar nga mbi 1,100 imazhe të kapura nga observatori, që nis me një pamje të detajuar të dy galaktikave dhe më pas zmadhohet për të treguar rreth 10 milionë galaktika të zbuluara nga pamja e gjerë e kamerës — afërsisht 0.05% e 20 miliardë galaktikave që Rubin do të vëzhgojë përgjatë 10 viteve.
Ekipi i observatorit publikoi gjithashtu një mozaik të nebulave Trifid dhe Lagoon, rajone të formimit të yjeve që duken si re dhe ndodhen në yjësinë e Shigjetarit (Sagittarius). Mozaiku, i përbërë nga 678 imazhe të ndara të realizuara për vetëm shtatë orë, kap detaje të zbehta dhe të padukshme më parë si re gazi dhe pluhuri në këto nebula, të cilat ndodhen disa mijëra vite dritë larg Tokës.

“Pamjet e para u përzgjodhën për të shfaqur fushën e jashtëzakonshme të vëzhgimit të teleskopit, që mundëson vështrime të detajuara të galaktikave në ndërveprim si dhe panoramime të gjerë me miliona galaktika”, tha Dr. Yusra AlSayyad, zëvendësdrejtore e nënsistemit të menaxhimit të të dhënave në Observatorin Rubin.
“Ka një fushë kaq të gjerë pamjeje dhe një ritëm kaq të shpejtë, sa të krijon ndjesinë e një filmi për qiellin e natës,” tha Dr. Sandrine Thomas, shkencëtare e projektit të teleskopit Rubin.

Observatori, i vendosur në Andet e Kilit, në majën Cerro Pachón, është pothuajse i përfunduar pas rreth dy dekadash punë. Objekti pritet të realizojë “dritën e parë” — vëzhgimet e para shkencore të qiellit të Hemisferës Jugore përmes Teleskopit Simonyi 8.4 metra (27.5 këmbë) — më 4 korrik.
Vendndodhja në hemisferën jugore ofron një pamje të shkëlqyer të qendrës së Rrugës së Qumështit, tha Edward Ajhar, oficer programi në Observatorin Rubin. Rajoni i Kilit Qendror është gjithashtu shtëpi e observatorëve të tjerë dhe preferohet për vëzhgime astronomike për shkak të ajrit të thatë dhe errësirës natyrore.
Sondazhi i Trashëgimisë së Hapësirës dhe Kohës
Qëllimi kryesor i observatorit është Sondazhi i Trashëgimisë së Hapësirës dhe Kohës (Legacy Survey of Space and Time – LSST), një film ultragjerë dhe me definicion ultra të lartë i universit, i krijuar duke skanuar të gjithë qiellin çdo pak net për 10 vjet për të kapur një time-lapse të asteroidëve dhe kometave që lëvizin, yjeve që shpërthejnë dhe galaktikave të largëta që ndryshojnë me kohën.
Sondazhi pritet të nisë katër deri në shtatë muaj pas dritës së parë.

“(Rubin) do të na lejojë të eksplorojmë galaktikat, yjet në Rrugën e Qumështit, objektet në sistemin diellor — dhe të gjitha në një mënyrë vërtet të re. Meqë bëjmë imazhe të qiellit të natës kaq shpesh dhe kaq shpejt, do të zbulojmë miliona objekte që ndryshojnë, çdo natë,” tha Dr. Aaron Roodman, profesor i fizikës së grimcave dhe astrofizikës në Laboratorin Kombëtar SLAC të Universitetit Stanford.
Roodman ishte përgjegjës për montimin dhe testimin e kamerës sa një veturë të observatorit Rubin, e cila është në gjendje të kapë një nivel mahnitës të detajeve.
“Një imazh i vetëm nga Rubin mbulon një sipërfaqe të qiellit të barabartë me 45 hëna të plota,” tha drejtori i observatorit Rubin, Zeljko Ivezic.
Për të shfaqur plotësisht fushën e pamjes së observatorit, do të duheshin 400 televizione me definicion të lartë, tha Ivezic. Faqja zyrtare e observatorit i mundëson vizitorëve të zmadhojnë një nga imazhet, të quajtur “arkë thesari kozmik”, për të vlerësuar në detaj çdo pikë — madje edhe të dëgjojnë universin, ashtu siç e ndjen Rubin përmes teknologjisë së peizazhit zanor (soundscape).

Zgjidhja e mistereve kozmike
Aftësitë e Rubin për të zbuluar fenomene interesante do ta bëjnë atë gjithashtu një “makinë zbulimi”, që mund të identifikojë zona me potencial për vëzhgime të mëtejshme nga teleskopë të tjerë, tha Roodman. Observatori mund të bëjë të mundur edhe zbulimin e llojeve të panjohura më parë të objekteve qiellore.
Teleskopi mban emrin e një prej grave më me ndikim në astronomi, Vera Rubin, e cila dha disa nga dëshmitë e para për ekzistencën e materies së errët. Në nder të saj, teleskopi pritet të vazhdojë punën e saj vizionare.
“Përmes këtij objekti të jashtëzakonshëm shkencor, do të eksplorojmë shumë mistere kozmike, përfshirë materien e errët dhe energjinë e errët që përshkojnë universin,” tha Brian Stone.
Materia e errët është një substancë enigmatike që formëson kozmosin, ndërsa energjia e errët është një forcë që përshpejton zgjerimin e universit, sipas NASA-s. Edhe pse besohet se përbëjnë shumicën dërrmuese të universit, ato nuk mund të vëzhgohen drejtpërdrejt — por mund të zbulohen përmes efekteve të tyre gravitacionale.

“Rubin ka një potencial të jashtëzakonshëm për të na ndihmuar të kuptojmë çfarë është vërtet energjia e errët dhe si po përshpejtohet zgjerimi i universit,” tha Roodman. “Aftësia unike e Rubin për të parë miliarda galaktika dhe për t’i imazhuar ato vazhdimisht për 10 vite do të na mundësojë fjalë për fjalë të shohim universin në një mënyrë krejt të re.”/CNN
Rruga Press