NYT: Limitet e sanksioneve ndaj Rusisë
Kur Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës në 24 shkurt, duke shkelur sovranitetin e një fqinji, vendosja e sanksioneve ndërkombëtare ishin rruga më e mirë për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.
Pamëshirshmëria dhe mizoritë e rënda ndaj civilëve që kanë ndodhur që atëherë e kanë përforcuar edhe më shumë këtë thirrje. Vendosja e sanksioneve ka dëmtuar ekonominë e Rusisë po ashtu edhe aftësinë e saj për të marrë në kontroll Ukrainën.
Ndërsa kompanitë e huaja janë larguar nga Rusia, kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, vlerësoi se rreth 200,000 njerëz rrezikojnë të humbasin punën e tyre dhe ka prova që vendimi i Europës dhe Shteteve të Bashkuara për të kufizuar eksportin e mikroçipëve tashmë ka ndikuar në aftësinë e Rusisë për të prodhuar dhe riparuar tanke, raporton abcnews.al.
Sanksionet kanë dërguar gjithashtu një mesazh jetik mbështetjeje për popullin ukrainas. Është e pamohueshme që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kishin dhe kanë ende të drejtën të përdorin sanksionet për t’i dhënë fund kësaj lufte. Megjithatë, ndërsa administrata e Biden po peshon fazën tjetër të këtij konflikti, amerikanët duhet të jenë të qartë për kufijtë e asaj që sanksionet ka të ngjarë të arrijnë.
Është ende shumë herët për të ditur se si do të përfundojë kjo përpjekje e paprecedentë, gjithëpërfshirëse për ta bërë Putinin të paguajë një çmim për luftën që nisi.
As nuk mund të parashikojmë pasojat e padëshiruara që këto sanksione mund të sjellin në muajt apo vitet e ardhshme.
Por ka shumë indikacione se lufta dhe sanksionet mund të zgjasin për një kohë të gjatë.
Perëndimi ka miratuar vendosjen e sanksioneve si një mjet me frekuencë në rritje që nga Lufta e Dytë Botërore – në vende të ndryshme si Afrika e Jugut, Bashkimi Sovjetik, Kuba, Venezuela, Koreja e Veriut dhe Irani.
Është relativisht e lehtë të zbatohen sanksionet dhe ato pothuajse gjithmonë plotësojnë nevojën e brendshme politike për të “bërë diçka” përveç angazhimit ushtarak. Por pikërisht këtu qëndron i gjithë problemi: sanksionet historikisht nuk kanë qenë veçanërisht efektive në ndryshimin e regjimeve apo në ndryshimin e sjelljes së diktatorëve.
Kuba, Venezuela dhe Koreja e Veriut nuk u “gjunjëzuan” kurrë para kërkesave amerikane. Aty ku ka histori suksesi, ato janë modeste: Sanksionet sollën Iranin në tryezën e bisedimeve për programin e tij bërthamor, por ai regjim nuk ndaloi kurrë së kërkuari të drejtën e tij për pasurimin e uraniumit.
Vendosja e sanksioneve kontribuoi në fundin e regjimit të shumicës së bardhë në Afrikën e Jugut, por kjo ishte vetëm një nga shumë faktorë. Ose, për të kuptuar kufijtë e sanksioneve, amerikanët mund të marrin në konsideratë përvojën tonë kombëtare.
Kur vendet arabe vendosën embargo ndaj naftës së Shteteve të Bashkuara në vitet 1970, kjo shkaktoi shumë dëme por nuk ndikoi që Shtetet e Bashkuara të hiqnin dorë nga mbështetja e Izraelit. Administrata e Bidenit meriton merita për vendosjen e sanksioneve shumëpalëshe, të cilat janë e vetmja shpresë për sukses.
Efektet më të mëdha deri më tani nga sanksionet kanë qenë shkëputja e Rusisë, qoftë edhe pjesërisht, nga sistemi financiar ndërkombëtar përmes veprimeve si ngrirja e miliarda dollarëve jashtë shtetit dhe heqja e disa bankave ruse nga SWIFT, sistemi global për transaksionet financiare.
Këto sanksione krijuan një ndjenje të re bashkëpunimi midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të G7. Por fokusimi për të ndihmuar Ukrainën financiarisht dhe me pajisje ushtarake mund të jetë më produktiv sesa të vendosja e sanksioneve të tjera shtesë.
Administrata Biden duket se e njeh mirë këtë, të paktën pjesërisht, me ndihmën e fundit prej 800 milionë dollarësh në ndihmë ushtarake dhe 500 milionë dollarë të enjten.
Vetëm sanksionet nuk do ta gjunjëzojnë Rusinë.
Për sa kohë që europianët ende varen nga nafta dhe gazi rus, Rusia do të jetë në gjendje të varet nga të ardhurat e konsiderueshme nga kjo marrëdhënie. Mosmarrëveshja nëse dërgesat e gazit do të paguhen në rubla, siç ka kërkuar Rusia, vetëm nxjerr në pah lidhjen në të cilën gjenden vendet europiane.
Oligarkët që po humbasin jahtet e tyre dhe njerëzit që po “shtrëngojnë rripat” kanë shumë pak ndikim mbi Kremlinin.
A do ta izolojnë vërtet Rusinë sanksionet e vendosura nga G7?
Jo. Një numër vendesh, duke përfshirë Meksikën, Arabinë Saudite, Afrikën e Jugut dhe më e rëndësishmja, Kinën, kanë marrëdhënie miqësore me Rusinë. Fakti që në këtë listë përfshihen edhe rivalët kryesorë të Pakistanit dhe Indisë, si dhe Irani dhe Izraeli, ilustron ndikimin e Putinit si një tregtar armësh dhe një ndërmjetës në Azinë Jugore dhe Lindjen e Mesme.
Shtetet e Bashkuara mund të shtrëngojnë ekonominë e Rusisë duke vendosur sanksione shtesë. Sanksionet shtesë ose dytësore janë një mjet i fuqishëm për të detyruar vendet e tjera të jenë në përputhje me politikën amerikane. Por përfitimet e mundshme duhet të peshohen kundrejt rreziqeve dhe kostove.
Diçka e tillë mund të nxisë gjithashtu pakënaqësi të madhe, madje ndonjëherë edhe nga aleatët europianë. Sanksionet duhet të përdoren me masë dhe vetëm pas konsultimit me partnerët. Sanksionet mund të kenë edhe pasoja të tjera të padëshiruara, pasi mund të forcojnë kontrollin e një diktatori në pushtet duke forcuar kontrollin e shtetit mbi ekonominë.
Bizneset private mund ta kenë të vështirë të përballojnë stuhinë e sanksioneve, por regjimet autoritare dhe ndërmarrjet e tyre shtetërore shpesh gjejnë mënyra për t’i anashkaluar ato. Sanksionet gjithashtu u japin diktatorëve një mundësi për të fajësuar vendet për mjerimin e popullit të tyre. Në vend që t’i shtyjnë njerëzit të ngrihen kundër sundimtarëve të tyre, sanksionet shpesh frymëzojnë të kundërtën.
Pas vendosjes së sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë në vitin 2014, si pasojë e aneksimit të Krimesë, 71 përqind e rusëve i panë ato si një përpjekje për të “dobësuar dhe poshtëruar Rusinë”, sipas një sondazhi.
Megjithëse pushtimi i Rusisë dëshmon se integrimi ekonomik nuk është ilaç për luftën, izolimi ekonomik nuk është gjithashtu një recetë për paqen.
Sanksionet shpesh shiten si një alternativë ndaj luftës. Por ato mund të jenë gjithashtu një pararendës i luftës, si në rastin e vendosjes së embargos së naftës amerikane kundër Japonisë dhe ngrirjen e aseteve japoneze rreth pesë muaj para sulmit në Pearl Harbor.
Hulumtimet kanë treguar se vendosja e sanksioneve ka prodhuar disa ndryshime domethënëse në sjellje në rreth 40 për qind. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur sanksionet vendosen pa komunikuar hapat që duhet të ndërmerren që ato të rikthehen.
Aq më tepër, Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një plan të qartë se si dhe në çfarë rrethanash do të ishte e përshtatshme të tërhiqeshin nga vendosja e sanksioneve të fundit. Tani për tani, kjo është lënë qëllimisht e paqartë për të lejuar ukrainasit të negociojnë drejtpërdrejt me Rusinë.
Krijimi i qëllimeve të qarta dhe komunikimi i standardeve për lehtësimin e sanksioneve është një faktor i rëndësishëm në sanksionet e suksesshme. Shumë shpesh, sanksionet lihen në fuqi për dekada.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj janë treguar inteligjentë në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë për sa kohë që nuk janë të dyzuar se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të arrijnë ato.
Rruga Press