Lajme

Krimet zgjedhore: Nga qindra kallëzime, vetëm 2 të dënuar për 25 prillin

Një raport i Qendrës për Çështje të Informimit Publik, INFOÇIP, vlerëson se gati gjysma e kallëzimeve për krime zgjedhore në votimet e fundit parlamentare janë pushuar nga prokuroritë, ndërsa u regjistrua vetëm një çështje e gjykuar plotësisht me dy të dënuar.

Zgjedhjet e fundit parlamentare të 25 prillit 2021 u shoqëruan me një numër rekord kallëzimesh për krime zgjedhore në të gjithë vendin, por vetëm dy persona kanë marrë dënime në gjykatë, vlerëson një raport i Qendrës për Çështje të Informimit Publik, INFOÇIP, që u prezantua të premten në Tiranë.

Raporti “Për Incidencën dhe Hetueshmërinë e Krimeve Zgjedhore” vlerëson gjithashtu se nga 291 njoftime apo kallëzime penale për vepra të dyshuara që cenojnë zgjedhjet, më pak se gjysma u regjistruan si procedime penale nga Prokuroria e Posaçme, SPAK apo prokuroritë e rretheve.

“Manipulimi i zgjedhjeve ka qenë dhe mbetet një shqetësim serioz për Shqipërinë. Pavarësisht parashikimeve ligjore në ashpërsim, hetimet penale në fushën e zgjedhjeve nuk kanë rezultuar efektive në Shqipëri,” tha Gerti Shella, drejtor i INFOÇIP gjatë prezantimit të raportit.

Qendra INFOÇIP, me mbështetjen e NDI në Shqipëri, monitoroi zgjedhjet dhe periudhën post-zgjedhore gjatë muajve Prill-Dhjetor 2021 për tendencën e krimeve zgjedhore të dyshuara të cilat u kallëzuan në organin e akuzës.

Lexo më shumë  Ambasadori i Kosovës flet në Bruksel kundër kushtëzimit të Planit të Rritjes me dialogun me Serbinë

Sipas rezultateve të raportit, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm mbërritën

158 njoftime/ kallëzime për krime të dyshuara zgjedhore deri në nëntor 2021, por u regjistruan vetëm 82 procedime penale.

Raporti vlerëson gjithashtu se Prokuroria e Posaçme, SPAK, mund të ketë administruar rreth 115 kërkesa për hetim nga subjektet dhe prokuroritë e rretheve, nga të cilat regjistroi 57 procedime penale deri në dhjetor 2021.

Rasti i vetëm i gjykuar deri në dhjetor 2021 i përkiste SPAK, ky dy të akuzuarit u dënuan për krime zgjedhore. SPAK konfirmoi gjithashtu se edhe një çështje e dytë ishte hetuar plotësisht dhe ishte dërguar për gjykim në të njëjtën periudhë.

“Gjysma e kallëzimeve penale kanë pësuar firo nga organi i prokurorisë që ka bërë pushimin e tyre pranë gjykatave,” tha Shella duke e konsideruar këtë një problematikë alarmante.

E pranishme në panel si kontributore në panel, gazetarja e Neës 24, Klodiana Lala shprehu zhgënjim në lidhje me mosndëshkimin e krimit zgjedhor.

“Prisja që prokuroria të ishtë më serioze,” tha Lala.

Lexo më shumë  Gjermania prezanton rezolutën për Srebrenicën

“Institucionet tona ligjzbatuese duhet të krijojnë mekanizma për parandalimin e krimeve zgjedhore, e shit-blerjes së votës, nuk duhet te mjaftohen me disa hetime apo kallzime,” shtoi ajo.

Gerta Meta nga organizata “Shoqëria për Kulturën Demokratike” tha gjatë fjalës së saj se qytetarët tashmë e kanë humbur besimin tek organet e akuzës, dhe se ata janë të dëshpëruar që vota e tyre jo vetëm nuk mirë-administrohet, por edhe manipulohet.

“Shqetësimi i qytetarëve është nëse këto krime zgjedhore do të minimalizohen apo do të dënohen ndonjëherë,” tha Meta.

Për sa i përket rezultateve në lidhje me refuzimin në masë të kallzimeve prej institucioneve ligjzbatuese, drejtori i INFOÇIP u shpreh se ka vetëm 3 pohime logjike për t’u marrë parasysh.

“Bazuar në të dhënat e raportit, mund të themi se ose nuk ka patur aq krime zgjedhore sa pretendohet, ose ka patur kallëzime të rreme për krime zgjedhore, ose këto të fundit nuk janë hetuar siç duhet, për aq kohë sa nuk ka vendime fajësie në shkallë domethënëse,” përfundoi Shella./reporter/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *