Bota

Numri dy i NATO-s e quan blof kërcënimin e Putinit për luftë bërthamore

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, ka thënë se kërcënimi për “luftë bërthamore” i presidentit rus Vladimir Putin për momentin është vetëm “frikësim psikologjik”, shkruan “Politico”.

Putini ka dhënë paralajmërimin për “luftë bërthamore” të enjten, pasi presidenti francez Emmanuel Macron i ka qëndruar stoik mesazhit se Perëndimi nuk duhet të përjashtojë mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë.

“Kjo me të vërtetë është kërcënim për konflikt me armë bërthamore”, ka thënë Putini para Asamblesë Federale ruse.

Por zyrtari i NATO-s ka karakterizuar paralajmërimin e Putinit si “diskurs që synon frikësim psikologjik e jo qëllime të vërteta”, në një intervistë me gazetën spanjolle “El País”.

Lexo më shumë  Bloomberg: NATO po shqyrton një mision ushtarak në ngushticën e Hormuzit

“Ne nuk shohim ndonjë kërcënim të menjëhershëm nga Rusia rreth përdorimit të këtyre armëve. Por këto deklarata në vete janë shumë të rrezikshme, sepse prishin besimin. Rusia i di pasojat e ndërmarrjes së këtij hapi”, ka shtuar ai.

Geoana gjithashtu ka thënë se NATO-ja “duhet të vazhdojë mbështetjen e Ukrainës dhe të shmangë përshkallëzimet me Rusinë”.

Për propozimin e Macronit, ai ka thënë se NATO-ja i respekton idetë e aleatëve, por nuk synon ose planifikon dërgimin e trupave në Ukrainë.

Lexo më shumë  Trump: ShBA-së do t’i duhet ta sulmojë Iranin sërish

Geoana shpreson se aleanca do të mbetet e fortë edhe nëse ish-presidenti Donald Trump i fiton zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtë nëntor.

“Edhe republikanët edhe demokratët e kuptojnë konkurrencën me Kinën, Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut. SHBA-së do i duhen aleatët e saj në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës”, ka thënë Geoana.

YouTube player