Opinion/Aktualitet

Njerëz që nuk e humbën kurrë lirinë

Nga Faruk Myrtaj

(Zëri i Rinisë, 5 Janar 1991)

Në mitingun e ish të burgosurve të ndërgjegjes…sonë komuniste!
Rrugës për të marrë pjesë në mitingun e organizuar nga Shoqata e ish të burgosurve politikë, gjendemi mes dhjetëra e qindra të tjerëve. Merret me mend, shumicën prej tyre s’e njohim: Ata vijnë prej kampeve të edukimit të Diktaturës së Proletariatit, kurse ne…
…Ne kemi qenë të lirë!

Të lirë në mënyrën tonë, merret vesh, por nga dielli askush nuk na ka ndarë, nga njerëzit e afërt e të dashur, nga hapësirat e fushave dhe të rrugëve, nga ndjesia, (sado iluzore) e të qenit të lirë, askush nuk na ka privuar SIÇ I PRIVOI ATA…

Kanë ardhur nga tërë Shqipëria ATA, të burgosurit e ndërgjegjes…
Zëmë edhe ne vend midis tyre duke u përpjekur të ndjehemi sa të mundim të barabartë. Së paku këtu e tutje, të jemi njëlloj. Njerëz të barabartë përpara Ligjit dhe Jetës. “Së paku këtej e tutje…”, themi me vete, duke u ndrojtur se mos ndokush prej tyre, me plotë të drejtë, mund të na sjellë ndërmend të shkuarën:

“…Po ne e kemi pasur të djeshmen ndryshe, si mund ta kemi të nesërmen njëlloj…?!”

Osman Kazazi, 1944-1991, pothuaj 50 vjet të një jete të plotë njerëzore. Por, le të nxitohemi të sqarojmë. S’kemi të bëjmë me vit-lindjen, apo ndarjen nga jeta, e një njeriu. Osman Kazazi më 1944 është mbyllur në burg dhe më 1991 është nxjerrë prej andej. (Pra, pas 47 vjetësh “falet” prej pushtetit popullor, human!).

Shkon ndërmend me këtë rast jetën e një njeriu tjetër me emrin E. Hoxha, për të cilin u tha se ka vetëm lindje (vetëm 1908…) dhe ndjenja e fajësisë ta bën të vështirë mundësinë për Pajtimin Klasor.

“S’ka vend ku të jenë veshur më shumë me të zeza, kaq shumë nëna e motra dhe nuse të reja…”, thotë njëri prej folësve në miting.

Kush mund t’i harrojë gjëra të tilla? Në emër të kujt mund të bëhet thirrje për paqe dhe marrëveshje për të jetuar, të gjithë bashkë, pa asnjë paragjykim?

Por, ne…ç’po bëjmë në të vërtetë për Ata?
Kemi aq muaj që vetëm po keq-ardhemi për vuajtjet e tyre, për rininë e humbur galerive të Burrelit dhe Spaçit, për jetët e ndërprera nga diktatura e kuqe, por vetëm kaq…

Parlamenti mbetet i pa fuqishëm për të vendosur: Amnisti apo ра-fajësi, kur çdo gjë është e qartë si drita e diellit që u ka munguar këtyre ish të burgosurve për dhjetëra vjet me radhë.

Ja tek i dëgjojmë dhe prapë na vënë në borxh: Dëgjojeni Viktor Martinin, i burgosur 16 vjeç, dikur… Vetëm se ishte i ri? Për këtë është privuar nga jeta, nga liria?!

Jetë të gjatë “armiqve” tanë, njerëz të diktaturës, uron Viktor Martini, Jetë të gjatë edhe për ta, që ta shohin me sytë turpin tyre…Jetë të gjatë fëmijëve dhe njerëzve tanë, që të shohin dhe të gëzojnë e të lumturojnë fitoren e arritur me aq sakrifica e vuajtje…
Por gjithashtu jetë të gjatë atyre, njerëzve të diktaturës që të mos vuajnë ata, fëmijët e tyre të pafajshëm, siç vuajtën, të pafajshëm, fëmijët tanë nga diktatura komuniste…!

Dëgjojmë këto fjalë të Viktor Martinit, të shoqëruar nga duartrokitjet e të gjithë pjesëmarrësve, ish të burgosurve, ish të internuar, bashkë-vuajtës… dhe bindesh përfundimisht se kurrë këta NJERËZ NUK E KANË HUMBUR LIRINË.

E kanë fshehur atë në thellësi të tyre, në brendësi të trupave të tyre të ndëshkuar dhe të munduar me përdhunë. Vetëm njeriu i lirë mund të ngrihet në këtë lartësi dhe të falë me kaq zemërgjerësi.
E ç’duhet të presim më tolerancë prej tyre, ç’prova të tjera?
Gati ta nënshkruajnë Paqen, Pajtimin Kombëtar, aq të domosdoshëm për Shqipërinë sot.

Po ne, ne ç’po bëjmë për ta?
Z. Seladin Dibra, i ikur edhe ai 18 vjeçar nga Atdheu, nga burgu, kthehet sot, pas 36 vjetëve nga Australia: Atë më kryesoren, lirinë e kemi tani, e kemi…Ajo është e para. Mos kërkoni më. Të tjerat janë…Të tjerat vijnë më pas!…

Fjalë të thëna mes lotëve. Te Atdheu, një ditë kthehen të gjithë. Dhe, si të largohesh prej tij, kur Atdheun e ndjen të lirë, kur njerëzit kanë dëshirë dhe gjejnë forca të duan njeri tjetrin.
Rrugës për tu larguar nga mitingu i ish të burgosurve të ndërgjegjes, ndjen se sado pak, gjithkush duhet të bëj diçka për këta njerëz që mbijetuan gati mitikisht, për të dëshmuar këtë ditë që s’kishte si të mos vinte.

Ata prapë po falin.
Po ne…? Për kur tjetër do ta thërrisnim Ndërgjegjen tonë?

Rruga Press

YouTube player