Opinion/Aktualitet

“Armiku i armikut tim nuk është gjithmonë miku im.”

Serbia vazhdon të jetë partneria më e fuqishme e Rusisë në Ballkan.

Kremlini mirëpret çdo partner që ndjek politika antiperëndimore.
Ndërkaq rikthimi tek Lufta e Ftohtë, na kthen gjithashtu tek “loja pa rregulla”.

Nga Sadri Ramabaja


Ditë më parë lideri i Partisë Socialiste në Serbi, Aleksandër Vulin, së bashku me deputetë të tjerë të kësaj force, i kanë dorëzuar Kuvendit serb një kërkesë përmes së cilës synohet anëtarësimi i Serbisë në organizatën BRICS, ku përfshihen Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut. Vulin vazhdon të jetë tutje Drejtor i Agjencisë për Siguri dhe Informacion në Serbi pavarsisht se akuzohet nga Uashingtoni si i përfshirë në krimin e organizuar dhe në afera korruptive. Me këtë akt, Serbia shqeto dëshmon se ndjek politika antiperendimore.
Kremlini mirëpret çdo partner që ndjek politika antiperëndimore.

Të kujtojmë se vendet e BRICS , që po pretendojnë të krijojnë një bllok më vete, janë një shoqatë e shteteve ku përfshihen: Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut. Shkurtesa “BRICS” ka të bëjë me shkronjat e para të pesë vendeve.
Më 1 janar 2024, Argjentina, Egjipti, Etiopia, Irani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do t’i bashkohen komunitetit të shteteve nën emrin e ri BRICS plus.

Udhëheqësit serb [qeveritar e opozitar] vizitojnë rregullisht Rusinë, megjithëse Serbia vazhdon të jetë njëra nga kandidatet për aderim në BE. Kontakti midis Moskës dhe përfaqësuesve qeveritar e opozitar serb ndërkohë është intensifikuar, veçanërisht pasi Rusia filloi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022. Ndjenjat e forta anti-amerikane në Beograd dhe veçanërisht në Banjallukë po krijojnë baza të përbashkëta për përafrim të plotë me Moskën. Por ndikimi ekonomik i Rusisë në terren, me përjashtim në sektorin e energjetikës, është i kufizuar dhe nuk mund të krahasohet me atë të partnerit real – BE-së.

Pas marrëveshjes së Kumanovës [9 qershor 1999], kur Serbia qe detyruar t’i tërheqë trupat ushtarake e policore nga Kosova, ata shpallën narrativën se një pjesë e Serbisë, respektivisht Kosova e Metohia, si e quajnë ata Kosovën, ka përfunduar nën okupimin e SHBA-ve.


Sovjetikët, pavarësisht se Jugosllavia ishte shkëputur nga diktati i Moskës në 1948, vazhdonin të ishin aktori kryesor i huaj në Serbi në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Sidomos ekspertët rus në lëmin e sigurisë dhe mbrojtjes kishin dominuar konkurencën perendimore ndjeshëm. Në pjesën më të madhe të vendit gjuha ruse ishte gjuhë e parë e huaj e obligueshme në shkolla. Këtë fakt ua kishin imponuar edhe qytetarëve shqiptarë në shkollat publike të Kosovës.


Sipas sondazheve dhe raporteve të think tank-ve, Serbia perceptohet si një nga aleatët e fuqishëm të Rusisë në Ballkan, si vend me numër të madh mediash të ndikuara ose të blera nga Rusia dhe një vend ku shumë qytetarë kanë opinion pozitiv për Rusinë dhe politikën ruse.

Pas shkërmoçjes së Jugosllavisë, Serbia sërish i kthehet tërësisht Rusisë. Pavarësisht kësaj, të rinjtë serb që ëndërrojnë të emigrojnë, e të tillë ka shumë, sidomos kur mirret parasysh rrëshqitja e Shtetit drejt qeverisjes tërësisht despotike, kanë më shumë gjasa të mendojnë për Perendimin, para së gjithash SHBA-në, Kanadën e Gjermanin sesa për Rusinë, e cila tutje ka vetëm rolin e një opsioni alternativ.

Rusia vazhdon të jetë aktive në nivel lokal në fushën e fuqisë së butë. Por tutje pikërëndesë e interesit rus në Serbi mbesin Ushtria, strukturat e sigurisë dhe sektori I energjisë.

Rusia vazhdimisht ka ruajtur një prani të rëndësishme ekonomike dhe politike në Serbi. Kjo është reflektuar sidomos së fundmi, duke krijuar ndjeshmëri të theksuara në opinion. Ky fakt venerohet sidoms në këto fusha:

  1. Investimet dhe ndihma ekonomike: Rusia ka investuar në disa projekte në Serbi, përfshirë infrastrukturën, energjinë dhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Ajo ka siguruar ndihmë ekonomike për Serbinë, përfshirë kredi dhe donacione. Këto marrëdhënie ekonomike kanë ndihmuar në forcimin e lidhjeve të ekonomisë midis dy vendeve, respektivisht kanë krijuar parakushte për varësi të plotë të Serbisë me theks në sektorin e energjisë.
  2. Energjia: Rusia është një furnizues i rëndësishëm i energjisë në Serbi. Gazsjellësi South Stream, i mbështetur nga Rusia, ka qenë një projekt qenësor për transportin e gazit nga Rusia në Evropë, përfshirë Serbinë. Kjo ka rritur ndikimin ekonomik të Rusisë në Serbi.
  3. Marrëdhëniet politike: Në politikë, Serbia dhe Rusia kanë pasur marrëdhënie të ngushta të bazuara në bashkëpunimin politik dhe diplomatik. Serbia ka ndjekur një linjë të bllokut të pavarur ndërkombëtar dhe ka pasur marrëdhënie të ngushta me Rusinë në arenën ndërkombëtare. Këtë linjë ajo e ndjek tutje edhe pas shkurtit 2022, kur Rusia ka sulmuar Ukrainën me pretendimin për ta aneksuar atë në tërësi.
  4. Lidhje kulturore dhe historike: Rusia dhe Serbia kanë lidhje kulturore dhe historike të forta që kanë ndihmuar në forcimin e marrëdhënieve bilaterale. Sidomos dy kishat simotra janë tërësisht të njësuara. Ndikimi i Kishës Ruse në Serbi është pakrahasismisht dominues.
Lexo më shumë  Të sanksionuar nga SHBA-ja, por Borrelli mezi pret të punojë me Qeverinë e re të Serbisë

Rrezja e veprimit të ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov është kufizuar me forcë që nga sulmi rus në Ukrainë. Ashtu si edhe qëndrimet e tij në Zvicër në janar të vitit 2022 dhe në Serbi në qershor të vitit 2022, mund të kenë qenë mundësitë e fundit për kryediplomatin e Putinit për të lëvizur në Evropën Perëndimore për një kohë të gjatë[1][1], por ky fakt nuk e ka përjashtuar prezencën e shtuar të Rusisë në Serbi.
Prania e Rusisë në Serbi është një aspekt i kompleksuar i politikës dhe ekonomisë që Rusia pretendon ta ushtrojë në tërësi në Ballkan, duke shfrytëzuar Serbin si trampolinë të saj për ndikim brenda BE-së. Këto raporte  duhet të vlerësohen në kontekstin e zhvillimeve të pritshme dhe ndryshimeve në arenën ndërkombëtare.
Nuk ka asnjë vend tjetër në Evropë ku qeveria, media dhe një pjesë e madhe e opinionit publik kanë aq mirëkuptim ndaj agresionit rus në Ukrainë sa në Serbi.
Por, sado që Serbia mbetet i vetmi vend në Evropë, përveç Bjellorusisë, që ka refuzuar të sanksionojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës – ajo rezulton ndërkohë se ka rënë dakord ose e ka bërë tashmë këtë duke furnizuar me armë Kievin, sipas një dokumenti sekret të Pentagonit. Në dokumentin e titulluar “Evropa | Përgjigja ndaj konfliktit të vazhdueshëm Rusi-Ukrainë”, përshkruhen “pozicionet e vlerësuara” të 38 qeverive evropiane në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake.[2] [2]

Tabela që sjell dokumenti si përshkrim I këtij reflektimi, tregon se Serbia refuzoi të trajnojë forcat e armatosura ukrainase, por kishte ofruar tashmë ndihmë me armë. Aty potencohet gjithashtu se Serbia kishte vullnetin politik dhe aftësitë ushtarake për të furnizuar Ukrainën me armë në të ardhmen.
Dokumenti është shenjuar si sekret dhe me shifrën NOFORN (Jo për të huaj), i cili ndalon zbulimin e shërbimeve të huaja të inteligjencës dhe ushtarakëve. Ai mban datën 2 mars dhe mban vulën e Zyrës së Shefave të Shtabit.[3] [3]

Duket se ky duhet të jetë shkasi përse perndimi e trajton Serbin kështu si po e trajton, sidomos në dialogun Kosovë-Serbi.

***

Nga pikëpamja ekonomike, prania e Rusisë në Serbi ka zikzaket e veta që ndërlidhen gjithashtu me zhvillimet politike dhe përplasjet me motive gjeopolitike me BE-në dhe SHBA-të.

Në vitin 2020, nëse marrim në konsidertë të dhënat në dispozicion publik, vëmë re një volum të konsiderueshëm të këmbimeve tregtare midis Serbisë dhe Rusisë. Serbia ka eksportuar një gamë të ndryshme të produkteve, përfshirë energjinë elektrike, ushqime, automjete dhe të tjerë mallra. Rusia është një eksportues i rëndësishëm i energjisë, dhe Serbia është një importues i rëndësishëm i gazit natyror rus.
Rusia ka investuar në disa projekte të ndryshme në Serbi, përfshirë sektorë të ndryshëm ekonomikë. Investimet janë përqëndruar në infrastrukturë, energji dhe sektorë të tjerë.

Ndërkaq në lëmin e ndihmave ekonomike dhe bashkëpunimit financiar vëmë re se Rusia ka ofruar ndihmë financiare dhe kredi Serbisë në disa raste për të ndihmuar në zhvillimin e infrastrukturës dhe ekonomisë së vendit.

Lexo më shumë  Hoti: Serbia nuk po përgjigjet për lokacionet që synojmë t’i gërmojmë në territorin e tyre

Rusia ka shprehur interes të vazhdueshëm për të investuar në Serbi dhe për të zhvilluar marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Disa sektorë ku mund të pritet të ketë investime të Rusisë në Serbi janë:

  1. Energjia: Rusia ka një prezencë të fortë në sektorin e energjisë në Serbi. Mund të pritet që investimet të vazhdojnë në këtë sektor, përfshirë projekte për prodhimin e energjisë elektrike, gazsjellësit, dhe burimet e tjera energjetike.
  2. Infrastruktura: Investimet në infrastrukturë janë një tjetër fushë potenciale. Projekte të tilla si rrugët, infrastruktura e transportit, dhe telekomunikacionet mund të jenë objekt i interesit.
  3. Sektorë të tjerë ekonomikë: Rusia mund të investojë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë serbe, përfshirë sektorin bankar, sektorin e ndërtimit, dhe industrinë.
  4. Sektori i mbrojtjes: Siç kishte njoftuar ministri serb i Mbrojtjes Zoran Djordjevic, Serbia kishte pranuar gjatë kohë sasi të mëdha armësh nga Rusia, madje të gjitha gratis. Kështu ishte edhe me rastin e pranimit të 29 avionëve luftarakë MiG-29, 30 tankeve  luftarake T-72 dhe 30 automjeteve të blinduara BRDM-2 në pranverën e vitit 2017.[4]

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se investimet e pritshme të Rusisë në Serbi do të ndikohen gjithësesi nga shumë faktorë të ndryshëm, përfshirë politikat e qeverisë serbe në raport me Ukrainën dhe Perendimin, zhvillimet në rajonin e Ballkanit, dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Një ndërhyrje e mundshme e faktorëve të jashtëm, përfshirë imponimin për sanksionet ekonomike ndaj Rusisë edhe nga Serbia nga komuniteti ndërkombëtar, gjithashtu mund të ndikojë në shkallën e investimeve të Rusisë në Serbi dhe në vet marrëdhëniet mes dy vendeve.

Më 23 shtator 2022, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe ai i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, nënshkruan Planin e Konsultimeve të dy ministreve për dy vjetët e ardhshme. Dokumenti u nënshkrua në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Siç dihet, për shkak të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Rusia është subjekt i sanksioneve nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore. Por ky fakt nuk do të thotë asgjë për Serbin!

Bashkimi Evropian, por edhe SHBA-të, megjithëse kanë shprehur shqetësimin për forcimin e raporteve midis Serbisë dhe Rusisë, e kanë toleruar deri në ekstrem, duke e trajtuar në dialogun me Kosovën si palë të favorizuar.

Qeveria e Beogradit është e prirur të bashkëpunojë me këdo që ndjek hapur një politikë antishqiptare dhe antiperëndimore, pavarësisht se këtë nuk e bën me tamtame e burbujë.

Duke vepruar kështu, Beogradi de fakto dëshmon se në narrativën e tij antishqiptare, pretendon të mbajë të lidhur për qerren serbo-ruse jo vetëm peshën e pesëshes mosnjohëse të BE-së [Spanjën, Sllovakinë, Rumanin, Greqin dhe Qipron]. Ndërkaq duke mos përfillur fare Marrëveshjen e Brukselit [shkurt 2023], pavarësisht se shtrëngohet të vete në Bruksel sërish më 14 shtator pikërisht për t’ju kthyer asaj marrëveshje, pretendon ta shtojë gamën e miqëve të saj që do të tërhiqnin njohjet ndaj armikut të saj – Kosovës, por që në këtë rast janë edhe armiqë të Perendimit.

Kapitujt kryesor të historisë ndërkohë po shkruhen në Ukrainë – edhe pse mund të mos jetë skema që Serbia dhe një lagje e shteteve të Europës Perendimore do të dëshironin ta  imagjinonin si realitet.  Qëndresa titanike e popullit dhe ushtrisë ukrainase përmbysën pritjet e gabuara dhe skemën perëndimore mbi superfuqinë ruse dhe shtetin e Ukrainës. Në këtë përballje tektonike të Perendimit me Rusinë ish shtetet xhuxhe bëhen partnerë strategjikë, terroristët e deklaruar bëhen vëllezër në rirreshtime luftimesh të përditshme, armiku i armikut tim – miku im.
Në rastin e Ukrainës miti i ngritur nga historia, respektivisht në marrëdhëniet ndërkomëbtare, mbi hegjemonin dhe barazpeshën në raportet mes shteteve, sipas konceptit  shabllon se “armiku i armikut tim, është miku im”, po shkërmoçet. 
Rikthimi tek Lufta e Ftohtë, na rikthen gjithashtu tek “loja pa rregulla”.
___________________

1. https://www.faz.net/aktuell/politik/ausland/sergej-lawrows-besuch-nach-serbien-gescheitert-keine-flugroute-18084648.html

2. https://www.euractiv.de/section/eu-aussenpolitik/news/us-geheimdienstdokument-serbien-hat-bewaffnung-der-ukraine-zugestimmt/

3. Po aty

4. https://www.welt.de/politik/ausland/article163239159/Putin-schenkt-Serbien-Dutzende-Panzer-und-Kampfjets.html


[1]https://www.faz.net/aktuell/politik/ausland/sergej-lawrows-besuch-nach-serbien-gescheitert-keine-flugroute-18084648.html

[2]https://www.euractiv.de/section/eu-aussenpolitik/news/us-geheimdienstdokument-serbien-hat-bewaffnung-der-ukraine-zugestimmt/

[3]Po aty

Rruga Press

YouTube player