Një turp kombëtar shqiptar në UNESCO
Shkruan Zeno Jahaj
Në faqen zyrtare elektronike të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), në referencën “Iso-Polifonia popullore Shqiptare” dhe në Vendimin përkatës të saj të vitit 2008 për regjistrimin e kësaj polifonie në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit, është përcaktuar: “Termi ‘iso’ i muzikës tradicionale polifonike shqiptare lidhet me isonin e muzikës kishtare bizantine”.
Po në këtë faqe zyrtare elektronike, në ilustrim të fotografisë qendrore që vijon Vendimin e UNECO-s gjendet në tri gjuhë të huaja (anglisht, frëngjisht dhe spanjisht), ky interpretim: “E prejardhur nga muzika kishtare bizantine, iso-polifonia shqiptare është një formë e sofistikuar e të kënduarit në grup, e realizuar kryesisht nga burra”, me nënshkrim nga Vasil S.Tole. UNESCO, brenda misionit të saj për monumentalizimin edhe të trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit, ka shpallur me këtë cilësim 21 këngë polifonike nga popuj të tjerë, përkatësisht nga Bullgaria, Greqia, Maqedonia e Veriut, Italia, Kroacia, Franca, Gjeorgjia, Estonia, Lituania, Portugalia, Ukraina, Algjeria, Kina, Republika e Afrikës Qendrore dhe Tonga.
Por asnjë prej tyre nuk referohet të burojë nga muzika kishtare dhe asnjë prej tyre nuk bashkëshoqërohet me termin “iso”, përveç polifonisë shqiptare. Me studimet për polifoninë, duke qenë një fenomen i përbotshëm dhe një pasuri e njerëzimit, janë angazhuar dhjetëra institute studimore dhe personalitete të mëdha të muzikologjisë botërore. Të gjithë janë bashkuar në vlerësimin se kënga shumëzërëshe popullore (polifonia) ka lindur paralel me lindjen e bashkësisë përkatëse dhe se pasqyron bukuritë dhe vështirësitë e lindjes e të jetës, të fateve e të vuajtjeve, natyrën, udhëformimin dhe shpirtformimin e kombit bartës të saj.
Në mbështetje të këtij përfundimi shkencor, le t’iu referohemi dy muzikologëve të nivelit europian e botëror. Muzikologu i shquar gjerman, Curt Sachs, afirmon se polifonia, “e lashtë në vetvete, padyshim ka qenë e njohur të paktën pesëmijë vjet më përpara”. Ndërsa Jan Ling, profesor i Muzikologjisë dhe Rektor në Universitetin Suedez të Gotenborgut, autor i librit “Europas musikhistoria Folkmusiken” (Historia e Muzikës Folklorike të Europës), afirmon se ideja sipas së cilës polifonia popullore e merr origjinën nga modelet e artit muzikor, është futur përfundimisht në arkivë si e pathemeltë. Ndërkohë, edhe studiuesi i shquar shqiptar prof. Ramadan Sokoli ka debatuar shkencërisht: “…është shtruar çështja nëse polifonia e siujdhesës ballkanike është me prejardhje të lashtë dhe ka mbijetuar deri në kohën tonë apo kemi të bëjmë me diçka të ardhur nga vende të largëta.
Disa hulumtues e kanë kundruar polifoninë popullore të kësaj siujdhese, si rrjedhojë e ndikimit të liturgjisë bizantine, por ky hamendësim, as është vërtetuar, as është miratuar. Madje, është pohuar e kundërta: huazimet e liturgjisë kishtare nga traditat popullore. Polifonia popullore shqiptare, e cila shtjellohet në shkallë të gjymta pentatonike, nuk ka ndonjë lidhje morfologjike me literaturën bizantine, e cila shtjellohet në shkallë modale heptatonike”. Dhe, profesori i madh mbërrin në përfundimin se tiparet origjinale të polifonisë popullore shqiptare “na dëshmojnë se ajo është trashëgim i një kulture të lashtë, që ka lindur këtu në vend, nga puna e sa e sa brezave njerëzorë”.
Vërtetohet shkencërisht se polifonitë janë shumë-shumë më të hershme se perandoritë. Vetë polifonia popullore është një perandori më vete, e cila nuk ka nevojë të marrë leje identitare nga perandoritë politike. Ndërkohë, termi “iso” që dikush ia ka bashkëngjitur emërtimit të këngës shumëzërëshe popullore shqiptare, është absolutisht sa i panevojshëm, aq edhe i pamotivueshëm, sepse vetë kënga shumëzërëshe prandaj është e tillë, sepse përfshin, pa asnjë diskutim, edhe “mbajtësit”, krahas “marrësit”, “kthyesit” dhe “hedhësit”.
Duket qartazi se interpretimi i këngës shumëzërëshe popullore shqiptare si derivat i muzikës kishtare, sikurse paraqitet në faqen zyrtare të UNESCO-s, jo vetëm që nuk është i mbështetur shkencërisht, por ve në dyshim, së paku, mungesën e vëmendjes nga Akademia e Shkencave, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Kulturës. Nuk do të dëshironim të besonim nëse domethënia e këtij “lapsusi” do mund të jetë edhe më e thellë sesa “mungesa e vëmendjes”: që edhe bartësit e polifonisë popullore shqiptare të paraqiten si barbarë dhe si të vonë në këto troje!
Do donim të besonim se çdo polifoni, e çdo populli apo kombi, është pasuri kombëtare e tij dhe, njëherësh, pasuri e të tërëve, jo pse polifonitë derivojnë nga njëra-tjetra, por sepse secila prej tyre është një lule identitare në lëndinën e madhe natyrale të popujve. Prandaj, dëshira dhe kërkesa legjitime kombëtare do të ishte që institucionet përkatëse të shtetit shqiptar, ta lajnë këtë turp kombëtar, duke ndërhyrë zyrtarisht në UNESCO, për rishikimin dhe ndryshimin e termit “Iso-polifoni popullore shqiptare” dhe për heqjen e të gjitha referencave që e lidhin dhe që e derivojnë atë nga muzika kishtare bizantine.
Ndërkohë, është e papranueshme që vlerësime referuese të pasurive të tilla të përmasave kombëtare, brenda vendit dhe në organizma ndërkombëtare, siç është UNESCO, të nënshkruhen nga persona, kushdo qofshin ata. Përkundrazi, simetria e seriozitetit dhe dinjitetit kombëtar e kërkon që të nënshkruhen nga institucionet përkatëse. Le ta mësojnë këtë seriozitet nga Gjeorgjia e, po të duan, edhe nga Republika e Afrikës Qendrore, të cilat kanë nënshkruar me institucione.
Vijimi në faqen zyrtare elektronike të UNESCO-s (domethënë në OKB-në e vlerave arsimore, shkencore e kulturore të popujve), i shprishjes së identitetit të këngës shumëzërëshe shqiptare, është akt antishkencor dhe turp kombëtar, çka influencon hapësirën dhe prestigjin kombëtar. Të paktën, të mos na ngushëllojë Ministria e Kulturës se delegacioni i Shqipërisë në UNESCO i paska bërë leksion UNESCO-s “për t’i vënë sërish në dukje se praktika kulturore e të kënduarit me lahutë është historikisht e pranishme dhe një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Europës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, etj., kur, në fakt, pikërisht kjo UNESCO, ka regjistruar vetëm të kënduarit në shoqërimin e lahutës të prezantuar nga Serbia, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
Përvjetori i 110-të i Pavarësisë së Shqipërisë është një rast i lumtur që institucionet përkatëse shqiptare dhe UNESCO, si familja ku bëjmë pjesë, të ndërmarrin veprimin emancipues, ndaj ndërgjegjes dhe detyrimit të tyre, si dhe ndaj arsyes përse qëndrojnë në këmbë, për ndreqjen e këtij akti antishkencor dhe larjen e këtij turpi kombëtar.
Rruga Press