Editorial

Një sqarim i vogël për militantët demokratë të Ramës

Nga Elvis Hoxha

Besoj se demokratët janë të lumtur. Ata nuk kanë për detyrë të mbrojnë as pasuritë kombëtare, as ato publike, as pasuritë strategjike, as ato kulturore. Madje, demokratët nuk kanë detyrë të mbrojnë as partinë e tyre. Ata janë aty për të mbrojtur vetëm dy persona. Madje, po ta mendosh mirë, ata nuk mbrojnë Bashën e Berishën, por kunatin e Bashës dhe të birin e Berishës. Megjithatë, po të bëjmë edhe pak përpjekje mendore, do të gjejmë se militantët demokratë kanë një mision të vetëm. Ata na mbajnë ne të tjerëve me muhabet sa kohë që na vjedh xhepat socialisti Rama. Dhe Rama nuk është xhepist koti. Ai të vjedh me të dy duart një kohësisht. Ta vjedh edhe portin edhe detin. Por Rama të vjedh teatrin edhe publikun, ushtrinë dhe punëtorin. Rama ta vjedh pra dhe opozitën. 

Për të gjithë ata që mendonin se militantët demokratë janë disleksikë, ndaj lexojnë PARTIA aty ku shkruhet PATRIA, vlen ky sqarim: militantët demokratë, edhe kur janë në opozitë, bëjnë mbrojtjen e pushtetit. 

Rëndësi ka që kunati i Bashës është përsëri i implikuar te çështja e portit. Demokratët që mbrojnë Bashën do të flenë të qetë sepse njëfarësoji janë përsëri me pushtetin. 

Rëndësi ka që Berisha e ndan disi në dysh Partinë dhe i siguron jetë të gjatë Ramës. Demokratët që mbrojnë Berishën, edhe këta mund të flenë të qetë sepse njëfarësoji po e mbështesin pushtetin.  

Sepse, për demokratët është e pamundur të jenë në opozitë. Për demokratët është e pamundur të bëjnë opozitë. Me këta farë demokratësh po i sigurohet një vit i mbarë Ramës. Lum Rama për demokratët që ka. Ky është problem administrimi i rëndomtë në Shqipëri. Rama drejton partinë demokratike sepse partia socialiste nuk ekziston. Ish-kryetarin e partisë demokratike e drejton i biri, ndërsa kryetarin e partisë demokratike e drejton kunati. Në këto kushte, mos prisni të dëgjoni ndonjë socialist të flasë për interesat e kombit. Socialisti nuk ekziston. Mos prisni që një demokrat të flasë për interesat e kombit. Ky punon për Ramën që ia rrënon ditë për ditë interesat kombit.  

© Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *