Një gabim i rëndë juridik dhe politik i kryeministrit Abazoviç
Një takëm politikanësh shqiptarë, që na turpërojnë
Janë një takëm politikanësh shqiptarë në Ballkan, të cilët janë gati të bëhen theror për Serbinë. Një provë e re erdhi sot me nënshkrimin në fshehtësi në Podgoricë nga kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, dhe patriarku i kishës serbe Porfirije të marrëveshje së turpshme të qeverisë së Abazoviçit me Kishën Ortodokse Serbe, marrëveshje që godet pavarësinë kombëtare, identitetin kombëtar, historinë kombëtare dhe Kishën Ortodokse Kombëtare të Malit të Zi.
Për kulturë informative mbi këtë marrëveshje filoserbe, që mban firmën e një politikani “shqiptar”, po risjell artikullin tim të datës 7 korrik 2022, botuar në gazetën “Dita”.
Nga Shaban Murati
Askush nuk e ka shpjeguar dot zellin personal politiko-fetar të kryeministrit malazez Abazoviç për të nënshkruar ai marrëveshjen e re midis qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe. Portali malazez “cdm.me” shkruante në 29 qershor se “atij i ishte dhënë urdhër nga Beogradi që pa marrëveshjen me kishën serbe të mos vijë në Serbi”.
Kryeministri Abazoviç shkoi në Beograd për vizitë zyrtare në 29-30 qershor me marrëveshjen e gatëshme dhe në 30 qershor patriarku i kishës ortodokse serbe Porfirije, duke pas në krah Abazoviçin, njoftoi se marrëveshja është përfunduar dhe pritet vetëm miratimi i sinodit të kishës serbe. Mirpo kushti paraprak për të realizuar vizitën në Beograd me marrëveshjen të pranuar nuk e justifikon koston shumë të lartë, që pritet të paguajë kryeministri malazez Abazoviç për firmën që do të hedhë në marrëveshjen e qeverisë së Malit të Zi me kishën ortodokse serbe.
Themi kosto shumë të lartë, sepse kryeministri malazez nuk ka arritur të sigurojë sëpari konsensusin brenda qeverisë së tij, ku një pjesë e kabinetit e kundërshtuan dhe madje sinjalizuan se mund të largohen nga qeveria. Abazoviç deklaroi se pavarësisht nga kundërshtimet në kabinetin qeveritar, ai do ta nënshkruajë marrrëveshjen. Kryeministri po rrezikon të humbë mbështetjen parlamentare për qeverinë tij, sepse Partia Demokratike e Socialistëve dhe Partia Socialdemokrate i kanë kërkuar që të mos e nënshkruajë marrëveshjen me kishën ortodokse serbe.
Ministri i jashtëm i Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, i Partisë Socialdemokrate, paralajmëroi se “partnerët tanë ndërkombëtarë nuk presin që kjo qeveri të favorizojë kishën ortodokse serbe”.
Vetëm partitë proserbe në Mal të Zi e kanë përkahur nënshkrimin e marrëveshjes. Këmbëngulja e Abazoviçit për të qenë ai që ta nënshkruajë marrëveshjen me kishën ortodokse serbe do të thotë që në Mal të Zi të provokohet një krizë e re politike dhe bëhet reale mundësia që në vjeshtë të zhvillohen zgjedhje të parakohëshme dhe qeveria bashkë me kryeministrin Abazoviç të rrëzohet.
Ndërkaq pjesa më e madhe opinionit publik dhe e shoqërisë malazeze, që përkrahin pavarësinë, identitetin kombëtar dhe kishën ortodokse malazeze, janë ngritur kundër marrëveshjes dhe në datën 4 korrik para selisë qeveritare të kryeministrit Abazoviç u zhvillua një protestë e gjërë kundër marrëveshjes me kishën ortodokse serbe. Marrrëveshja e bërë gati për t’u nënshkruar dhe që sipas ministrit malazez të drejtësisë pritet të nënshkruhet në fund të verës, sanksionon kontrollin dhe autoritetin e kishës ortodokse serbe jo vetëm në jetën dhe organizimin fetar të Malit të Zi, por edhe mohon shtetësinë dhe identitetin kombëtar malazez.
Marrëveshja legalizon statusin e kishës ortodokse serbe si një shtet brenda shtetit malazez.
Pas pavarësimit të Malit të Zi nga Serbia në vitin 2006 kisha ortodokse serbe në Mal të Zi ka qenë instrumenti i vetëm i fuqishëm i Serbisë për të kontrolluar dhe ndikuar në shtetin e Malit të Zi. Kisha ortodokse serbe në Mal të Zi është një kishë uzurpatore, e cila ka uzurpuar kishat manastiret, objektet e kultit dhe pronat e kishës ortodokse malazeze në vitin 1918, kur Serbia me dhunë prishi shtetin e pavarur malazez dhe kishën ortodokse malazeze dhe i aneksoi si territor në Serbi.
Në dhjetor të vitit 2019 parlamenti i Malit të Zi miratoi ligjin për liritë fetare, i cili me të drejtë kërkonte që kisha ortodokse serbe të paraqiste dokumenta pronësie të para vitit 1918 për të vërtetuar pronësinë mbi 750 objekte fetare, kisha, manastire dhe tempuj në Mal të Zi. Ligji synonte t’i kthente shtetit dhe popullit malazez pronat e grabitura nga kisha dhe nga shteti pushtues serb.
Natyrisht kisha uzurpatore serbe nuk ka asnjë dokument të para vitit 1918 që të provojë pronësinë e saj të tanishme në Mal të Zi. Ligjërisht pronat kishtare duhet t’i kthehen shtetit, popullit dhe kishës ortodokse malazeze. Në këtë situatë të re të rrezikut të humbjes së pronave të grabitura dhe të pushtetit në Mal të Zi, Serbia dhe kisha ortodokse serbe me ndihmën e shërbimit sekret rus organizuan operacionin “regime change” në Mal të Zi.
Ixhinieringu elektoral i Serbisë në zgjedhjet parlamentare të gushtit 2020 në Mal të Zi përmbysi qeverinë, që kishte miratuar në parlament ligjin për liritë fetare të papëlqyeshëm për Serbinë dhe solli në pushtet një garniturë qeveritare proserbe. Akti i parë i qeverisë së re proserbe me kryeministër Zhivko Krivokapiçin dhe zëvendëskryeministër Abazoviçin, ishte ndryshimi rrënjësor i ligjit për liritë fetare dhe i nenit kryesor të tij, që kërkonte dëshminë e dokumentave të pronësisë nga kisha ortodokse serbe para vitit 1918 të pushtimit serb.
Në dhjetor 2020 parlamenti i ri i shumicës prorserbe miratoi ligjin e ndryshuar për liritë fetare, siç e donte kisha ortodokse serbe, pra pa nenin e vërtetimit të pronësisë mbi objektet fetare. Në 22 janar 2021 parlamenti bëri miratimin e dytë të atij ligji dhe në këtë rast zëvendëskryeministri Abazoviç deklaroi se “ligji i adoptuar për liritë fetare don të thotë siguri për asetet dhe pronat e kishës ortodokse serbe në Mal të Zi”.
Nuk dha ndonjë shpjegim Abazoviç përse nuk e kishte zënë gjumi nga shqetësimi për ruajtjen e pronave të kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, por ai qendrim është një tregues se qysh në postin e zëvendëskryeministrit ai e kishte bërë mison të tij qeveritar ruajtjen e aseteve dhe të pronave të kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, gjë që tani po e realizon përfundimisht me marrëveshjen, që po nënshkruan si kryeministër me kishën ortodokse serbe.
Tani në postin e kryeministrit duket se obsesioni i Abazoviçit për ta nënshkruar ai marrëveshjen në emër të qeverisë malazeze me kishën ortodokse serbe është aq i madh, sa që ai nuk po përfill as rreziqet politike për veten e tij si politikan. Ai shkoi në Beograd në takimin me patriarkun serb Porfirije me marrëveshjen e gatëshme dhe patriarku serb e falenderoi në mënyrë të veçantë për kontributin e tij.
E falenderoi, sepse marrëveshja është hartuar ashtu siç ka dashur dhe i ka interesuar kishës ortodokse serbe, e cila nëpërmjet marrëveshjes ruan kontrollin e saj të plotë në jetën fetare dhe civile të shoqërisë së Malit të Zi në një pavarësi të plotë nga qeveria dhe shteti malazez. Marrëveshja i jep pavarësi të plotë kishës ortodokse serbe në territorin e Malit të Zi. Sipas neneve të saj, shteti i garanton kishës ortodokse serbe ushtrimin e autoritetit publik në Mal të Zi dhe garanton paprekshmërinë e pronave të kishës ortodokse serbe nga të drejtat e shtetit mbi kishat, manastiret tempujt dhe objektet e tjera të paluajtëshme.
Në këtë mënyrë qeveria e Abazoviçit heq dorë nga e drejta historike dhe juridike e shtetit malazez mbi kishat, manastiret dhe objektet fetare, që kisha serbe i uzurpoi pas pushtimit serb në vitin 1918. Marrëveshja sanksionon të drejtën ekskluzive skandaloze të kishës ortodokse serbe për të shkatërruar kishën ortodokse malazeze, sepse sipas marrëveshjes autoriteti kishtar i kishës ortodokse serbe ka të drejtën që në mënyrë të pavarur të rregullojë organizimin e brendshëm kishtar në territorin e Malit të Zi dhe shfuqizojë apo të njohë entitete kishtare në bazë të kushtetutës së kishës ortodokse serbe.
Kjo don të thotë që qeveria aktuale malazeze i njeh kishës ortodokse serbe të drejtën të shfuqizojë dhe të likujdojë kishën ortodokse malazeze, të cilën kisha serbe dhe Serbia nuk e njohin. Është një nen absurd kundër shtetësisë dhe identitetit malazez, sepse kisha ortodokse serbe është kishë e huaj e një shteti të huaj dhe është e papranueshme dhe antikushtetuese që asaj kishe të huaj t’i njihet statusi i pavarësisë dhe autoriteti ekzekutiv, të pavarur nga qeveria dhe nga shteti ku vepron.
Gazeta “Vijesti” shkruante se marrëveshja nuk e përmend fare emrin “kisha ortodokse në Mal të Zi” por përmend në preambul dy herë emërtimin “kisha ortodokse serbe në Mal të Zi”. Emërtimi sanksionon të drejtën legale të kishës ortodokse serbe për të sunduar dhe për të kontrolluar gjithë jetën shoqërore dhe fetare në Mal të Zi.
Jo rastësisht presidenti serb Vuçiç ndërhyri hapur dhe kërkoi që të mos përmendej emërtimi “kisha ortodokse në Mal të Zi. Ai e zbuloi strategjinë serbe kur deklaroi se “Plani politik në Mal të Zi ishte për ta ndarë Metropolitatin e Malit të Zi nga kisha ortodokse serbe, për ta deklaruar atë fillimisht kisha ortodokse në Mal të Zi”. Se ç’punë ka presidenti i Serbisë të ndërhyjë në përcaktimet e një marrëveshje shtetërore të një shteti tjetër këtë vetëm arroganca shtetërore serbe mund ta shpjegojë. Por kryeministri Abazoviç ia plotësoi kërkesën ndërhyrëse presidentit serb.
Marrëveshja ligjëron mohimin e identitetit kombëtar dhe fetar malazez në mënyrën më flagrante. Marrëveshja njeh subjektivitetin juridik të kishës ortodokse serbe në Mal të Zi që nga viti 1219, në një kohë që subjektiviteti juridik i kishës ortodokse serbe në vetë Serbinë njihet qe nga viti 1836. Është një absurditet juridik dhe historik, sepse nuk ka ekzistuar asnjë lloj subjektiviteti i kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, gjashtëqind vjet para se të ishte në vetë Serbinë.
Gjithë qëllimi është për të shpikur një argument të paqenë historik që të mohojë nevojën e vërtetimit të pronësisë serbe mbi kishat dhe manastiret, si një e drejtë që gjoja buron nga shekulli 13, në një kohë që kisha ortodokse serbe nuk disponon asnjë dokument të pronësisë apo të drejtës së saj juridike para vitit 1918 të pushtimit dhe aneksimit të vendit nga Serbia. Marrëveshja i garanton kishës ortodokse serbe një ekstraterritorialitet në të gjithë territorin e Malit të Zi, duke legalizuar kishën serbe si një autoritet dhe qeveri të dytë.
Gabimi juridik dhe politik i kryeministrit Abazoviç është se po e nënshkruan këtë marrëveshje jo me komunitetin ortodoks të Malit të Zi, por me kishën e një shteti të huaj, çka automatikisht pranon varësinë ndaj saj. Qeveritë e mëparshme të Malit të Zi kanë nënshkruar marrëveshje me komunitetet fetare islamike në 2012, katolike në 2011, hebraike në 2012, etj. Madje edhe peshkopi i zi i dikurshëm serb i Malit të Zi Amfilohije pat kërkuar që marrëveshja të nënshkruhej nga strukturat ortodokse të Malit të Zi. Presidenti malazez Gjukanoviç bëri të ditur në 30 qershor se qeveria malazeze e Luksiçit në vitin 2011 i ofroi një marrëveshje si të gjithë komunitetet e tjera fetare edhe kishës ortodokse serbe, por ajo refuzoi me argumentin se “nuk ka nevojë të nënshkruajë me një shtet, që e ka krijuar ajo”.
Tani kisha ortodokse serbe ka imponuar në marrëveshje kërkesat e saj dhe dikton ta nënshkruajë si palë patriarku i saj. Për krahasim po përmendim se edhe Kroacia ka nënshkruar një marrëveshja me komunitetin ortodoks në Kroaci, por atë e ka nënshkruar metropoliti ortodoks i Zagrebit dhe Kroacia nuk ka pranuar kurrsesi që palë me qeverinë kroate të ishte kisha ortodokse serbe.
Me këtë goditje direkte ndaj interesave kombëtare, shtetërore, historike dhe fetare të popullit malazez, marrëveshja, që don të nënshkruajë kryeministri Abazoviç me kishën ortodokse serbe, ngriti menjëherë njerëzit dhe tensionet brenda vendit. Metropoliti Mihajllo i Kishës Ortodokse Malazeze në 5 korrik i kërkoi kryeministrit Abazoviç që t’i japë kishës malazeze të njejtat të drejta, që qeveria planifikon për kishën ortodokse serbe.
Ai deklaroi se priftërijtë dhe besimtarët e kishës ortodokse malazeze duhet të lejohen të zhvillojnë ceremoni fetare në kishat dhe manastiret, që janë trashëgimi kulturore e popullit malazez. Metropoliti malazez theksoi se ato janë pronë e shtetit malazez dhe jo e kishës ortodokse serbe. Por kryeministri Abazoviç po tregohet tepër i vendosur të mos dëgjojë as partitë e koaliacionit qeveritar apo mbështetëse të koalicionit qeveritar, as kishën ortodokse malazeze, madje as ata që e konsiderojnë atë shqiptar nga origjina etnike.
Në protestën e organizuar kundër marrëveshjes në 4 korrik para selisë së qeverisë në Podgoricë, merrte pjesë edhe drejtori ekzekutiv i “Tuzi movement”, Husein Gjokaj, i cili u deklaroi mediave:”Ne u themi “jo” atyre, që në fshehtësi negociojnë fatet e vendit tonë në Beograd”.
Në qarqet politike dhe mediatike në Podgoricë po qarkullon dendur pyetja përse Serbia zgjodhi dhe ka vendosur që të jetë kryeministri malazez me origjinë etnike shqiptare ai që do ta nënshkruajë këtë marrëveshje kontroverse. Në datën 30 qershor me titullin: “Marrëveshja përçarëse mund të nxisë urrejtjen kundër shqiptarëve”, portali malazez “cdm.me” analizonte motivet e Beogradit dhe interesin serb që të jetë firmëtari kryeministër një shqiptar etnik nga Mali i Zi.
Portali shkruan: “Marrëveshja përçarëse ishte duke pritur Dritanin që ta nënshkruante dhe nuk është rastësi. Sepse është në interesin e autorëve që të nënshkruhet nga një shqiptar. Marrëveshja shkatrrimtare e konceptuar si një bombë atomike në themelet e Malit të Zi shumëkulturor, është një mekanizëm që posedon fuqi shkatërruese për harmoninë etnike në Mal të Zi”.
Përveç ligjërimit të rolit të kishës së saj ortodokse në Mal të Zi si një shtet brenda shtetit, diabolizmi bizantin serb me këtë marrëveshje pritet të krijojë urrejtje dhe zemërim të malazezëve ndaj shqiptarëve, meqë ai që po e nënshkruan është me origjinë etnike sqiptare. Serbia me një gur vret dy zogj, sepse perçan dhe dobëson forcat indipendentiste në Mal të Zi, dhe malazezët e shqiptarët në vend që të mbrojnë pavarësinë e shtetit nga rreziku serb do të nisin konflikte etnike me njeri-tjetrin.
Portali i mësipërm malazez, pasi tërheq vëmendjen qëllimisht në faktin që Vuçiç kërcënonte me luftë Kosovën ditën që i bënte nderimet Abazoviçit në Beograd, konkludon se “zemërimi dhe urrejtja mund të jetë një nga pasojat më të tmerrshme të marrëveshjes së tradhtisë së lartë, që Abazoviç po bëhet gati të nënshkruajë”.
Sikundër shihet, çmimi që pritet të paguajnë malazezët, shqiptarët dhe gjithë shoqëria dhe shteti malazez për marrëveshjen me kishën ortodokse serbe, është jashtëzakonisht i lartë. Ndaj mbetet enigmë përse kryeministri malazez Abazoviç po ndërmerr mbi vete një risk kaq të lartë, duke e nënshkruar atë. Nuk mund të shpjegohet zelli i tij i pazakontë politiko-fetar as me ndonjë konvertim të mundshëm të fshehtë fetar të tij, siç e kanë modë disa politikanë të lartë në Prishtinë dhe në Tiranë, që i kanë ndërruar fetë fshehtas dhe i kanë shërbyer fshehtas fesë së konvertuar dhe jo kombit. Nuk ka informacion as për ndonjë konvertim politik të tij.
Ajo, që mund të thuhet me siguri, është se kryeministri malazez Abazoviç po sillet si nje ortodoks i mirë i kishës ortodokse serbe./gazeta dita/
Rruga Press